Përkujtohen dëshmorët e kombit Ramadan Rexhepi e Zejnullah Zejna në fshatin Sojevë

Strukturat komunale të Ferizajt, miq e familjarë i kanë përkujtuar dy dëshmorët e kombit të cilët ishin nga fshati Sojevë  Ramadan Rexhepin e Zenjullah Zejnën.

Me këtë rast  u shënua edhe dita e shkollës së fshatit Sojevë e cila mban me krenari emrin e dëshmorit Ramadan Rexhepi i njohur me nofkën Adidasi.

Kryetari i komunës së Ferizajt z. Muharrem Sfarqa në fjalimin e mbajtur me këtë rast tha se dëshmorët duhet nderuar në çdo vend e në çdo rast ngase falë tyre nxënësit tanë e shkollat tona po punojnë e mësojnë lirshëm, madje po hapen mundësitë që të integrohen më lirshëm në vendet evropiane.

“Shkollimi dhe ngritja intelektuale e profesionale e gjeneratave të reja, më shumë se detyrë, tashmë është një mision, për të cilin duhet të punojmë fort, në mënyrë që të rinjtë tanë të ecin me hapin e kohës, me hapin e integrimeve euro-atlantike. Vendimi për liberalizim të vizave, përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimeve në bashkësinë e popujve të zhvilluar. Ky integrim patjetër se do të ndodh në një të afërme jo shumë të largët. Prandaj, fëmijët dhe të rinjtë që sot janë nxënës të kësaj shkolle, patjetër që do ta përjetojnë bashkimin e Kosovës me BE-në. Ata do të jenë qytetarë të Evropës së Bashkuar dhe kjo gjë na obligon dyfish. I obligon në radhë të parë shkollat tona që ta modernizojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien, në përputhje me rrjedhat aktuale të kësaj fushe në vendet perëndimore”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar përkushtimin e pushtetit lokal të Ferizajt, që në pajtim me mundësitë ekzistuese, të sigurojë një ambient sa më të mirë e më të sigurt për punë në shkolla, të rekrutojë staf sa më të kualifikuar e të përgatitur profesionalisht për punë me nxënës, të përfshijë në arsimin e obliguar të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e të gjitha komuniteteve dhe të përcaktojë e të zbatojë objektiva të qarta zhvillimore, të cilat kanë për synim ngritjen e cilësisë së arsimit dhe edukimit.

Edhe udhëheqës të shkollës thanë se me shumë dashuri e pietet po mundohen të nderojnë figurat e ndritura të kombit që dhanë shumë për atdheun. Drejtori i kësaj shkolle Kujtim Ilazi ka përmendur se edhe shkolla e Sojevës si vatër diturie po bën një punë të mirë në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

Me homazhe tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve është përkujtuar edhe dëshmori Imri Halili në 17 vjetorin e rënies së tij.

Familjarët e dëshmorëve thonë se dhimbjen e kanë shndërruar në krenari dhe se vetë pjesëmarrja e qytetarëve tregon më së miri respektin jo vetëm për këto dy figura po për të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e sotme.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …