Dr. Igli Tola: Një urim ndryshe në këtë Fund-vit

Dr. Igli Tola: Një urim ndryshe në këtë Fund-vit

Festimi i Vitit të Ri e ka zanafillën qysh nga epoka e Cezarit. Ishte Julius Caesar (Jul Çezari), në vitin 46 p.e.s., ai që krijoi Kalendarin Julian. Në këtë kalendar diellor, ardhja e Vitit të Ri u bë që të përkonte me festën e Janusit (Giano, Iano: Zoti i fillimeve materiale e jo materiale. Hyjni i Romës antike), nga emri i të cilit e ka prejardhjen Janari. Më vonë ndër shekuj ky kalendar u zëvendësua nga ai Gregorian dhe u vendos që Viti i Ri të jetë më 1 Janar. (për kuriozitet ortodoksët vazhdojnë të ndjekin ende kalendarin Julian dhe Vitin e Ri e festojnë më 14 janar.)

Një festë me zanafillë shumë të lashtë, mileniale; ku në thelb të gjithë celebrojmë një moment magjik në të cilin i themi lamtumirë vitit të vjetër, për të filluar një vit të ri me shpresën që të jetë më i mirë.

E ajo që shpreson gjithësecili prej nesh në rrafshin personal apo profesional varion; ama si Shqiptarë ‘ëndrrat’ kësaj here i kemi disi të kufizuara, sepse paradoksalisht kemi 30 vite që zhgënjehemi, na premtohet dhe serviret ‘sapuni për djath’. Andaj gjatë këtyre 365 ditëve të 2022 e në vijim na mjafton që:

‘Zarfi’ dhe vjedhja nëpër tendera/koncensione/PPP të shkoj të paktën 20%, aq sa ishte disa vite më parë. ‘Është bërë deti kos’ duke shpikur lloj-e-soj ‘yçklash’ e marifetesh që e kanë kthyer përmbys raportin 20:80; ‘zarfi’ është fryrë në mbi 80% të vlerës së projektit dhe ngelet që nga ai 20% të hidhet ndonjë lopatë zhavor.

Pavarësisht se nuk reagojmë, ose reagojmë me hope; nuk jemi budallenj dhe e kuptojmë se po e paguajmë kilometrin e rrugës sa ‘frëngu pulën’, pastrimin dhe incenermin e mbetjeve sa ‘arabi ujin’ etj.

Duke zhvatur pronën dhe paratë publike për mëse 3 dekada: mjaft syresh janë bërë milionera, për pak veta thonë se i kanë kaluar edhe 1 miliardë euro nëpër ‘Off-shore’. Uleni pak ritmin se kështu do t’Ia kaloni edhe Elon Musk duke rendur drejt trilionit të dollarëve.

 Dakort nuk del hesapi ti rrisni rrogat e administratës se aq është buxheti, kurse privati i cakton vetë në marrëveshje me punëdhënësin dhe sipas kërkesë-ofertës; por të paktën mos u tallni kështu barbarisht me mundin dhe dinjitetin e qytetarëve. Një ushti me këshilltarë lokal, që zorr se e merr vesh për çfarë japin mend dhe a kanë shkuar ndonjë ditë të vetme në punë, paguhen sa 2-fishi i një mësuesi. Atij mësuesi që mund të japi mësim edhe në ndonjë fshat të harruar, të bëj nja 2 orë rrugë në borë e shi për të vajtur në shkollë.

Boll me trajtimin ‘ca të nënës e ca të njerkës’. Të duket sureale dhe ndjen neveri kur sheh se ka ca Institucione ku shoferët (këto mbase ish-pilota të Formula 1), apo sanitaret (ndërsa këto mbase me master në Harvard), marrin nga  1 milion e kusur në muaj. Mos të flasim për shefat dhe drejtorët e tyre. Kurse, inxhinierët, ekonomistët, mjekët që së paku kanë nga një karton diplome firmosin në bordo për 600-800 mijë lekë.

Nëse  ka një vend të dytë në këtë planet ku ndodh kjo, qoftë Zimbabve apo Honolulu na thoni, mos të ngelim injorant.

Fjala ‘Eurobond’ mbase tingëllon ‘trandy’, por e kemi kuptuar tanimë që është si puna e ‘dardhës që e ka bishtin prapa’; borxh që duhet ta paguajmë cent-për-cent e plus madje me ca interesa të majme. Prandaj, shtrëngohuni pak dhe mos na emetoni nga 2 obligacione brenda 16 muajve, me vlerë mbi 1 miliard euro. Historia ka dëshmuar me dhjetra herë që shtete shumë më të mëdha i ka kolapsuar borxhi dhe korrupsioni.

Sikundër termi ‘Eurobond’, rrishtazi në fjalorin tonë u futën edhe termat ‘Arbitrazh’ dhe ‘vendime të Gjykatës së Strasburgut’, veçse edhe këto vetëm sa na e rëndojnë barrën që bartin përditë në kurriz. Falë këtyre ‘3 strumbullarëve’ borxhi publik de-facto i tejkaloi 90% të PBB-së. E aq më keq kur paratë kanë vajtur dhe janë harxhuar për projekte që ose kanë ngelur në letër-3D, ose kanë ngelur ‘rrugëve’ është për të dhënë alarmin SOS.

Për të bërë një krahasim të thjeshtë: vërtetë çdo bebe që lind merr 400 mijë lekë shpërblim, 800 mijë i dyti dhe i treti 1.2 milion; por marrin edhe një çek prej 4800 deri në 5200 euro borxh. Ne do të paguajmë, nuk kemi zgjidhje tjetër; fundja për të mirën tonë merren ato borxhe.

“Eh sa shume gjëra bëhen në emrin tënd o popull” – Sandër Prosi.

Sistemi gjyqësor të mos harxhoj shumë energji duke menduar dhe folur për kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’. Mbase, për to duhen të tjera rrjeta, apo karema-grepa; por të paktën këto ‘peshqit e mesëm’, sardele e cironka ti shohin një herë. U duket vetja Zeus që lëshonte vetëtima: ligjin e shkelin me të dyja këmbët pa iu trembur syri, duke mbajtur veshur mantelin e ‘arrogancës’. Që me të ardhurat e deklaruara nuk justifikojnë dot karburantin për makinën luksoze që bredhin lartë-e-poshtë, jo më makinën vet, rrobat firmato etj.

Kjo është forma më e thjeshë e Vetting-ut, pa kosto të shumta administrative e gjumë mbi dosje voluminoze; thjesht duke bërë një xhiro nëpër rrugët e qytetit.

Të ndalojmë për ca kohë ‘prodhimin’ e VIP-ave, se edhe pak do të kemi më shumë VIP-a se njerëz (jo për gjë, por me dhjetra mijëra shqiptarë po vazhdojnë të largohen nga vendi çdo vit: azilantë, studentë, klandestinë etj). Kurse, VIP-at nuk ikin, se nuk gjejnë dot punë andej, se Europa dhe bota kanë mjaftueshëm VIP-a për vete.

VIP, nuk është akronimi i “unemployed, and very lazy person”/njeri përtac dhe i papunë ; por i “very important person”/njeri shumë i rëndësishëm. Edhe ndodh të bëhesh VIP se ha fara në Tik-Tok, por jo të gjithë që hanë fara aty janë VIP-a.

Antivlerat kurrsesi në afatgjatë nuk mund të jenë Vlera, sado të përmbyset piramida shoqërore.

. . .

Edhe diçka të fundit, kjo më shumë në formën e lutjes. Mirë që po jetojmë në një “Big Brother” të madh (George Orwell këtë realitetin tonë kishte në mendje kur shkroi romanin “1984”): me lista pagash, borxhesh, tualetesh që kemi në shtëpi shëprndarë vërdallë si mall pazari ; të paktën na vendosni edhe një Premio – 100 milionë lekë të motivohemi tamam dhe shijojmë lojën.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …