Islami në Kosovë e përgjithësisht në disa shtete të Ballkanit asnjëherë nuk ka qenë i barabartë me krishterimin lindor apo perëndimor, për më tepër, nga shumica dërrmuese evropiane e ballkanike është trajtuar dhe trajtohet si një e keqe e madhe që ka shkaktuar dhe i shkakton dëme, ndasi e çrregullime kësaj pjese të rajonit të kontinentit të Evropës.
Armiqësia shekullore e krishterimit me Islamin doemos se reflektohet negativisht, sidomos te shqiptarët me fe islame në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë, Serbi e Mal të Zi. Pavarësisht se shqiptarët në pjesën dërrmuese prezantohen në radhë të parë me përkatësinë kombëtare, pavarësisht “dashurisë së tyre” për Evropën e qytetërimin e saj, evropianët e vjetër e të rinj janë, jo vetëm indiferentë ndaj tyre, por në themel po aq armiqësorë sa kanë qenë gjysh-stërgjyshërit e tyre, prej kohës së kryqëzatave e deri tani.
Është iluzion të pretendosh se një ditë Evropa do të bindet në “sinqeritetin tonë” dhe të na pranojë në mesin e vet, si të barabartë me popujt e fetë e tjera.
Në rrjetet sociale ka hapur një polemikë, imami Labinot Maliqi i cili ka bërë një kërkesë publike te kryetarët e komunave që kryeqendrat të ndriçohen edhe për festën e Bajramit, sikurse po bëhet për ato të fund-vitit. Këtë kërkesë imami, Labinot Maliqi, e bëri përmes një reagimi duke besuar që realizimi i së njëjtës nuk do të dëmtonte laicitetin e shtetit. Meqë ndriçimi i kryeqytetit për festat fetare të fund-vitit nuk po e dëmtuaka laicitetin e shtetit, kërkoj nga kryetarët e komunave që edhe për festat tona, siç janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami – të ndriçohen kryeqendrat tona çdo vit”, shkruan ai. Imami Labinot Maliqi është hoxhë i popullarizuar për reagimet e tij të shumta, por dhe se iu mbante ligjërata dhe lutje refugjatëve afganë në kampin, Bondstil.
Dekorimi i qyteteve në Kosovë bëhet që para Krishtlindjes katolike, duke filluar nga 23 dhjetori dhe ndriçimi e zbukurimet qëndrojnë deri pas krishtlindjes ortodokse serbe, deri më 10 janar, të vitit vijues. Brenda kësaj periudhe kohore festohet edhe Viti i Ri, një festë e trashëguar nga periudha pagane, që nuk ka të bëjë me krishterimin as islamin, por festohet në shumë shtete të botës në shënim të ndërrimit të moteve. Lidhur me emërtimin festat e fund-vitit ka reaguar edhe Selia në Vatikan, duke i kërkuar BE-së që të emërtohet drejt Festat e Krishtlindjeve dhe jo festa fund-vitit.
Kërkesa e imamit, Labinot maliqi edhe mund të jetë e drejtë, sa i përket ndjenjës më shumë emocionale për barazi fetare edhe në këtë segment, por dihet edhe fakti se dy festat kryesore islame, Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël (sikur njihen nga islami tradicional shqiptar), i përkasin Vitit islam të Hixhrit, i cili i ka 12 ditë më pak se viti kalendarik evropian me 365 ditë. Kjo bën që dy festat islame për çdo vit të shënohen në data të reja, të cilat shpeshherë akordojnë edhe me festat e tjera kombëtare e fetare. Pavarësisht se kjo nuk përbën një pengesë serioze, kalendarit të festave të shumta në Kosovës do t’u shtoheshin edhe gjashtë ditë në vit, me zbukurime të shesheve të qyteteve, në rastin konkret me zbukurime në gjuhën shqipe, arabe por edhe turke, të cilat nuk pranohen në radhë të parë nga shqiptarët kundërshtarë të islamit, të cilët në Kosovë nuk janë pakicë, por një shumicë shumë agresive, shumë urrejtëses e destruktive, e cila po të bëhej ndonjë luftë kundër islamit do të merrnin pjesë në të, edhe nëse atë luftë e ndërmarrin çetnikët serbë. Qarqet anti-islame i gjen kudo sidomos në institucione në mërgatën shqiptare të Evropës veçmas nga radha e atyre që kanë jetuar apo jetojnë në Francë, Holandë, Zvicër e në disa vende të tjera.
Kërkesa e Imamit, Labinot Maliqi, është vetëm një kërkesë individuale, pasi një kërkesë të tillë serioze, nëse e sheh të arsyeshme, do të duhej ta ushtronte Bashkësia Islame e Kosovës. Po kështu edhe kleri shiit islam në Kosovë, do të kërkonte zbukurimin e qyteteve në Festën e Nevruzit e festa të tjera.
Manifestimet heterogjene, fetare, në Kosovë, festat e shumta fetare, njëherë e mirë duhet të rregullohen me ligje të veçanta, që do të buronin nga realiteti ekzistues, pavarësisht se Kosova është shtet laik dhe kjo nuk është diçka e veçantë. E veçanta e jashtëzakonshme e krejt kësaj është se Kosova me 90 për qind të popullatës shqiptare, është shpallur shtet multietnik, ndërsa pakicat kombëtare, po thuajse në të gjitha segmentet barazohen me shumicën, madje me privilegje të veçanta maksimale, sikur është pakica serbe. Edhe barazia e feve me shumicë dërrmuese me fetë e tjera që nuk kanë as edhe dyqind besimtarë, është bërë mbi parimin e multietnicitetit fetar.