A.Qeriqi: U nda nga jeta, Ajvaz Karpuzi, njëri ndër luftëtarët më të përkushtuar të UÇK-së dhe mbrojtës i vlerave të saj

A.Qeriqi: U nda nga jeta, Ajvaz Karpuzi, njëri ndër luftëtarët më të përkushtuar të UÇK-së dhe mbrojtës i vlerave të saj

Ajvaz Karpuzi, i përket radhëve të para të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pjesën jugore të Drenicës, nga Komarani deri në Zborc e Carralevë, zonë ku e shtrinte veprimtarinë e vet luftarake, Batalioni i Dytë, “Ruzhdi Salihu”,  i Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Që në fillim të luftës ka qenë i angazhuar në Pikën e Krojmirit, ku ishte edhe baza e parë e UÇK-së, qysh në vitin 1995, në këtë pjesë të Drenicës.

Ai ka qenë një luftëtar i përkushtuar i lirisë dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshme në organizimin dhe konsolidimin e radhëve të UÇK-së me bashkëluftëtarët e tij tani dëshmorë:  Jetë Hasani, Ruzhdi Salihu, Milaim Beha, Azem Kastrati, Gani Kastrati, Shaqir Hoxha e të tjerë. Po ashtu ka bashkëvepruar edhe me drejtuesit e luftës në pjesën jugore të Drenicës si:  Sylë Qeriqi, Elez Durmishi,  Ali Mejzinolli, Ismet Emrullahu, Naim Ismajli,  Ramiz Qeriqi,  Heset Sahiti, Fatmir Shurdhaj e shumë të tjerë.

Ka qenë i pandashëm me dëshmorin, heroin e Kosovës, Jetë Hasani, deri në rënien e tij në krye të detyrës,  më 16 tetor të vitit 1998.

Ajvazi, ka qenë luftëtar energjik, gjithnjë në radhët e para të luftës, vazhdimisht  duke dhenë shembullin e tij personal, gjithnjë sypatrembur dhe shumëfish i angazhuar. Po ashtu, ka qenë tejet korrekt me veprimet e tij të matura,  por shumë i vendosur në zbatimin e urdhrave të eprorëve të  tij. Së bashku me Sylë Qeriqin kanë qenë në krye të Policisë Ushtarake të Batalionit të Dytë,  “Ruzhdi Salihu” të  Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Ishte shumë komunikues dhe i afërt me  bashkëluftëtarët, i sinqertë dhe i respektuar, gjithnjë në krye të detyrës dhe vazhdimisht i gatshëm  për të ndërmarrë aksione kundër forcave të Ushtrisë e Policisë serbe.

Ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha luftimet  dhe aktivitetet  civile e ushtarake, që janë zhvilluar  sidomos në këtë pjesë të Drenicës.

Ai,  ka qenë në radhët e luftëtarëve të dalluar, idealistë, të cilët moto të jetës së tyre kanë pasur  luftën për liri deri në fitore, pavarësisht të gjitha sakrificave, gjithnjë duke u mbështetur në shembullin e luftës dhe sakrificës së  Kryekomandantit të luftës së UÇK-së,  Adem Shaban Jashari dhe  heronjve e dëshmorëve të tjerë.

Kam pasur rastin ta njoh fare mirë,  Ajvaz Karpuzin, si luftëtar e epror i përkushtuar, i cili kurdo që e ka parë të nevojshme është konsultuar me mua e me të tjerët  dhe asnjëherë  nuk ka vepruar krye në vete. Ai me lehtësi i ka pranuar këshillat, me qëllim që lufta e UÇK-së të mos devijonte, pasi kishte edhe përpjekje të tilla të papërgjegjshme, sidomos në fazën e parë të zgjerimit, kur ende nuk ishte konsoliduar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Lavdi jetës dhe veprës së luftëtarit të radhëve të para të UÇK-së, eprorit e veteranit, bashkëluftëtarit besnik, Ajvaz Karpuzi, që sot  u nda nga jeta, të cilën me shumë devotshmëri ia kishte kushtuar luftës për liri, çlirimit e pavarësisë së Kosovës dhe mbrojtjes së vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I lehtë do të jetë mbi ty,  dheu i këtij vendi, i larë me lot e gjak, për të cilin luftove dhe fitove, bashkëluftëtari ynë, trim e besnik,  Ajvaz Karpuzi.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …