leoni

Bedri Islami

Bedri Islami: Farë e keqe që duhet shkulur

Dy ditë më parë, në një takim foltoresh në Fier, ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, në dalldinë e tij për të zhbërë krijesën e tij politike, deklaroi se “Basha na doli farë e keqe“.

Ende pa u përtypur deklarata e tij, në një mesazh që lideri i tanishëm i PD-së u drejtonte besnikëve të tij, shkonte edhe më tej duke deklaruar, si kurrë më parë brenda partisë së tij, dhe si hapje për petët e lakrorit të krimit, se njeriu që flet kundër tij, që ndërsen turmat dhe përdor dhunën, nuk është askush tjetër, veçse “Është Sali Berisha, zonja e zotërinj, ai i çadrave pistoletë dhe thikave me helm në 21 janar. Është i njëjti që nuk njihte baxhanakun e tij që çmontonte predha me fëmijë, në “aksidentin teknologjik” të Gërdecit, me 26 të vrarë. Është Sali Berisha i kontrabandimit të naftës për tanket e Millosheviçit sepse siç do thoshte më vonë nuk mund të linte pa ngrohje kosovarët. Është Sali Berisha që i shtrëngonte dorën Alimuçës e Sudes për të thënë më pas lekët tuaja janë 100% të sigurta”.

Basha shkoi edhe më tej, në një letër të hapur, drejtuar njerëzve të tij se “Sali Berisha ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës, por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna është streha e tij e fundit“.

Pra, farë e keqe!

Si në konstatimin e parë, ashtu edhe në konstatimin e dytë, jam i një mendje.

Lulzim Basha është farë e keqe!

Sali Berisha është farë edhe më e keqe!

15 vite miqësi mes tyre, si askush tjetër, i ka bërë ta njohin mirë njëri tjetrin, të dinë deri në detaje se çfarë ka bërë njëri dhe çfarë ka mbuluar tjetri; si i ka shtrirë njëri këmbët dhe me çfarë jorgani e ka mbuluar tjetri, i kanë të përbashkëta bëmat dhe mbrojtjet, abuzimet dhe fshehjet, ia dinë sho-shoqit se ku i kanë bërë pasuritë dhe si i kanë bërë.

Lulzim Basha e di se Berisha është farë e keqe, por sa kohë që u rrit nën hijen e tij, ishte i kënaqur me babain e tij politik, të cilin, siç shkroi në një libër qesharak, nuk mund ta vriste kurrë. Ja që, sa i thanë urdhër, ndoshta edhe pa i thënë urdhër, e vrau.

Ata kanë të përbashkëtat e tyre, sidomos katër madhore, që sjellin edhe farën e keqe.

Njeriu që i bashkoi ata, më shumë se sa bija kryeministrore, ishte Damir Fazlliq. Nipi i Stanishiqit, shefit të shërbimit të sigurimit të Serbisë, nën qeverisjen e Millosheviqit, kriminel lufte. Fazlliqi, miku i familjes së Berishës, të cilin desh e shpuri në parlament është ura lidhëse e tyre. Jo e vetmja, por kryesorja. Të gjitha fijet dhe zhvillimet e mëtejshme lidhen me këtë njeri, që u bë eminencë gri e familjes Berisha dhe ëngjëll mbrojtës i familjes Basha. I pari delegoi pranë tij të bijën, që përmes një studio të ngritur shpejt e shpejt, sapo babai u bë shefi i qeverisë, bënte pastrimin e parave të pista të Fazlliqit, në bankat qipriote. Basha delegoi kunatin, e kë tjetër? Veç kunatin, që u bë bashkëpunëtori i ngushtë i Fazlliqit. Që të dy, si Berisha, si Basha e dinë fare mirë se si kanë lëvizur milionat e eurove përmes Fazlliqit dhe se ku janë tani. Ata e dinë përse u bënë blerje masive tokash me çmime qesharake dhe përse u morën vendime për investime të rëndësishme në tokat e shkreta; e dinë përse e dërguan Fazlliqin në institucionin më të rëndësishëm të Sigurisë Kombëtare dhe cilin mesazh përcollën përmes këtij akti; e dinë se kush ishte njeriu që nxorri jashtë sallave dhe arkivës së një institucioni hetimor në Kosovë dosjen hetimore të Millosheviqit dhe ku ta dish, e dinë edhe se si u përcoll, ta zëmë, përmes Fazlliqit te supernazisti Millosheviq. Dinë shumë gjëra me aktet e Fazlliqit, për të cilin nënshtruan edhe prokurorinë e Shtetit.

E përbashkëta tjetër e tyre është 21 janari. Gërdeci ishte bio berishiste, përmes një birboje që vilte “borxhet“ në zyrat ministrore me çantën e njohur, por 21 janari është i tyre. As njëri e as tjetri nuk i ikën dot.

Basha, pas prishjes së pazareve hodhi plumçat e parë për 21 janarin. Deklaroi se Berisha kërkoi të përsëritej skenari i 21 janarit për vrasje të protestuesve, si kishte bërë asaj dite, por Basha nuk ra në kurthin e tij. Ishte deklarata më e çuditshme e ish-ministrit të brendshëm të asaj dite dhe nëse drejtësia do të ishte reformuar, pra e drejtë, duhej ta kishte thirrur që asaj dite shefin e opozitës dhe ish-kryeministrin për të dhënë dëshminë e tij. Ende nuk është e qartë, i tha Basha këto fjali nga vetja apo ia përgatitën të tjerët, që mund të përgatitin edhe zhvillime të tjera; e di Basha vazhdimin, si e dinte shpalljen “non grata” të Berishës shumë kohë më parë se ta dinte edhe vetë Berisha, por edhe shefi i qeverisë?

21 janari është jo mëkati, por faji i tyre i përbashkët. Nëse nuk do të hapet 21 janari, atëherë do të vazhdojë që krimi të mbetet i hapur dhe gjaku i derdhur i vajtur dëm. Nëse 21 janari mbetet këtu ku është, me akuza qesharake dhe denoncime foshnjore, atëherë faji nuk do të jetë më vetëm i atyre që vranë, por edhe i atij që nuk i zbardhi vrasjet, si kishte premtuar 9 vite më parë.

Tymnajat që po hedh Basha tani mund të hapin një dritë të re, një akuzë të ardhshme, nga e cila, pavarësisht përkëdheljes politike që bëhet tani, nuk e ndryshon të vërtetën: ata ishin bashkë dhe po ashtu, bashkë e fshehën krimin. Në selinë qendrore, në mbrojtjen e Bashës është shefi i IT së kryeministrisë, ku në thyerjen e natës së 21 janarit u fshinë të gjithë serverët, edhe pse Berisha deklaroi se regjistrimet aty janë. Jo më kot Basha mban afër vetes njeriun përgjegjës, e jo më kot, Berisha nuk dorëzoi zinxhirin komandues të Gardës për hetime të mëtejshme.

Grinduni sa të doni, hidhni mbi njëri tjetrin gjithë shkëmbinjtë e akuzave, 21 janarin nuk e ndani nga njëri tjetri.

Ashtu si nuk ndani dot aferën e Rrugës së Kombit, nuk ndani dot Marrëveshjen antikombëtare të Detit, nuk ndani dot mashtrimet e mëdha të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Tiranës, ku do të mbetet gjatë në mendje dora e Ristanit që futej në arkat e votimit deri në bërryl. Ajo dorë, pas kërcënimeve të Berishës, i dha Bashës bashkinë, sëbashku me alibinë e mos hetimit të mëtejshëm.

Që të dy kanë marrë partinë pas lëvizjeve të dhunës, shkeljeve dhe mashtrimit politik. Berisha spostoi Aleksandër Meksin dhe ajo ishte ditë fatale për vetë opozitën e tanishme, pasi në vend të mendjes sundoi dhuna, ndëshkimi, mashtrimi, vjedhja dhe kalbësia e pushtetit. Basha mori partinë e tij pasi ia dorëzoi haptas Berisha, duke pasur rivali i tij, Olldashi në fat të keq dhe mizor.

Për më shumë se 15 vite Basha ishte kanakari i Berishës, askush nuk e dinte se cilin donte më shumë shefi i qeverisë, djalin e tij biologjik, mashtrimet e të cilit nuk ishin asgjë para korrupsionit të ligjëruar, apo djalin e tij biologjik, që e nisi rrugën ministrore duke u shfaqur në aferën më të ndjeshme të 240 milionë eurove, zbuluar nga institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që drejtohej nga një përfaqësues i tyre, i deleguar nga një parti motër. Basha e hodhi lumin me procedurë, besnikët e Berishës nuk e merrnin dosjen në dorëzim, prokurorët bënin sikur hetonin dhe loja vazhdoi deri sa një ditë gjithçka u la në një qoshe.

Berisha e di se si ndodhi kjo, ashtu si e di se ku janë vilat e Bashës, për të cilat askush nuk e di nëse janë të dhëna me qira apo të blera, pasi si nuk ndodh askund në Evropë, Basha as nuk denjon të deklarojë pasurinë e tij, ecuritë e fitimeve, pasi edhe në opozitë, është mbi shtetin, që mbyll sytë ndaj çunakut të mirë.

As njëri e as tjetri nuk i duhen opozitës dhe nuk i bëjnë hajër asaj. Njëri bunkerizohet, sepse mendon se është më i sigurt; tjetri, ashtu si përgatitnin deshtë luftëtarët e kohës romake, përgatit falangat e tij për të sulmuar.

Asnjë ide nuk është progresive, asnjë vizion nuk është shfaqur si shenjë ndryshimi, asnjë qëndrim i tyre nuk është i vyer për këtë vend: përballë njëri tjetrit është një farë e keqe, e kultivuar si e tillë që në ditën kur pranoi të bëhej komunist, dhe fara tjetër e keqe, që mësoi më shpejt të korruptohet, se sa të qeverisë, gjithnjë duke e ditur se po fle rehat në sqetullën e babait të tij politik.

Tani demonët u zgjuan, secili prej tyre ka marrë pamjen e engjëllit të reformës, në fakt nuk është asgjë tjetër, veçse vazhdimi i farës së keqe, që duhet shkulur për të pasur një opozitë ndryshe, të besueshme, të votuar dhe të aftë për të bërë diçka të dobishme.

Sot, 8 janar, përballë njëri tjetrit do të jenë dy njerëz që nuk mund të jenë bashkë më. Asnjëri nuk ia vlen, por duhet zgjedhur e keqja e domosdoshme. Do të jetë dita e Asgjësë, e Asgjëkundit! (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …