Bedri Halimi

Ibish Neziri: LUFTË E VËRTETË KUNDËR KORRUPSIONIT, APO SEPEKTAKËL SI TË ISHTE MISS GJYSHJA

Se ka korrupsion, keqpërdorime, ndikim, hajni, zhvatje…, nuk ka dyshim. Ka pasur, ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen dhe për çrrënjosjen e kësaj dukurie jo vetëm që nuk duhet heshtur, por duhet ashpërsuar luftën deri në maksimum dhe duhet fituar në mënyrë që të mund të ecet para më sigurt. Por, edhe se jemi popull paragjykues, përsëri nuk ka dyshim. Madje jemi shumë paragjykues. E shpallim njeriun sa hap e mbyll sytë hajn, të korruptuar, kriminel dhe këtë e bëjmë para se ta bëjnë gjykatat, edhe pse mirëfilli është e qartë se përderisa njeriu me vendim gjykate të formës së prerë nuk është shpallur fajtor, nuk është fajtor. Jemi dëshmitarë se shumë të korruptuar e vjedhës që botërisht dihen, ngase botërisht ju është dëshmuar korrupsioni dhe hajnia, janë të lirë dhe lirisht sillen poshtë e lartë duke i forcuar pozitat e veta në këtë marifet të ndyrë „pa iu thënë kush dreq me gojë“, si thuhet në popull.

Ka disa vite që jemi mësuar të shohim arrestime spektakulare sikur ato të ishin miss shkalla, miss mëhalla, miss qyteti, e miss gjyshja dhe që shumë shpejt flakët e tyre u shuan sikur të ishin flakë kashte.

Një spektakël i tillë para kamerave ndodhi edhe dje, sikur të ishte „miss gjyshja“ i quajtur „Rasti Brezovica“. Se edhe në këtë rast ka pasur dhe ka keqpërdorime nuk ka dyshim, por të arrestohet kryeinspektori, Bedri Halimi, i cili vetëm pak muaj më parë u luria nga të gjitha akuzat për një rast të tillë atë ngjashëm, bashkë edhe me të tjerë, para kamerave sikur të ishte vrasës i shumëfishtë, është absurd i llojit të vet. Po mirë, edhe Bedri Halimi le të arrestohet, por arrestimi, jo vetëm i këtij, do të duhej të ishte më njerëzor, do të duhej të ishte jo aq spektakular sa e bënë, jo aq antinjerëzor, jo aq poshtërues. Qytetarëve të Kosovës nuk iu duhen spektakle të tilla, nuk iu duhet lojë e një teatri absurd siç ka ndodhur dhe po ndodhë. Sa njerëz të arrestuar në këtë mënyrë janë liruar të pafajshëm, në mungesë provash gjatë pesë, gjashtë, shtatë e më shumë vjetëve të fundit? Vërtetë shumë! Ata e kanë marrë pafajësinë dikush vërtetë duke qenë i pafajshëm si Bedri Halimi pak muaj më parë e disa të tjerë duke e trashur korrupsionin.

Edhe në këtë rast nëse dikush është i pafajshëm, unë besoj thellë se ai është Bedri Halimi. Nuk duhet bërë shumë përpjekje për të parë se sa i korruptuar ka qenë apo është kryeinspektori i Kosovës në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Mjafton t’i trokitet apo t’i mëshohet zilës në derën e banesës së tij me qira në Prishtinë. Mjafton t’i trokitet në derën e tij të shtëpisë në fshatin Kuk të Opojës edhe nga vije për të parë se çfarë „pallatesh“ paskësh ngritur nga paratë e korrupsionit. Po pse jo, të shihet edhe se çfarë makine nget ai, gruaja e tij dhe fëmijët e tij, apo të shihet se cilat qendra të shopingit brenda e jashtë i vizitojnë dhe të gjitha këto do të dëshmojnë se arrestimi i djeshëm i Bedri Halimit është si krisma e daulles. Krismë e madhe e brenda bosh.

Badri Halimi nuk është pa faj.  Ai mund të ketë madje shumë, dhe faji i madh i tij është se që nga rinia e tij e hershme – bankat e shkollës së mesme e luftoi pushtimin serb e jugosllav të Kosovës. Ai edhe përkundër një rrahjeje dhe torture të tmerrshme me 9 prill të vitit 1982 në burgun famëkeq të Gospiqit nuk tha se Prizreni është në Serbi që ia kërkonin gardianët gjakpirës që kishin shkuar në këtë burg vullnetarë me shërbime mujore me moton „për të rrahur irredentistë shqiptarë“.

Faj tjetër i tij mund të jetë lufta e pakompromis kundër dukurive negative dhe rolit negativ që në prapavijë e luante alternativa shqiptare e Kosovës e viteve 90-ta. Edhe lufta e tij në uniformën e së lavdishmes UÇK është një faj i madh. Ai do të duhej ta ulte kokën dhe ta priste lirinë si bënë shumë etër e bijë , të cilët qe 20 vjet mbajnë pozita në strukturat më të lartat të shtetit të Kosovës.

Edhe në pozitën e kryeinspektorit, Bedri Halimi do të duhej të heshtte dhe të mos e rrënonte asnjë objekt të vetëm as në Prevallë, as në Brezovicë e as gjetiu, si ka bërë.

Të gjitha këto tani po i hakmerren Bedriut dhe edhe më tutje do t’i hakmerren.

Bedri Halimi edhe mund të jetë i korruptuar, gjë që unë në asnjë mënyrë nuk e besoj pa e parë vendimin e formës së prerë të gjyqit që e dëshmonë korruptimin e tij, mund të ketë kërkuar ndonjëri gjë edhe në emër të tij pa ditur gjë ai, gjë që edhe mund të jetë e mundur, por Bedri Halimi ka merituar një trajtim krejtësisht tjetër ditën e djeshme.

Kryeministrit, ministres së drejtësisë, ministrit të brendshëm, kryeprokurorit dhe të gjitha organeve tjera të involvuara në luftën kundër korrupsionit nuk mund të mos iu them se neve, qytetarëve që e duam këtë vend, që aq sa kemi mundur të bëjmë për të kemi bërë dhe nuk kemi marrë gjë prej tij na duhen rezultatet në luftën kundër korrupsionit që dëshmohen me vendime gjyqësore të formës së prerë e jo spektaklet e tilla siç i kemi parë në të kaluarën dhe dje, që neverisin. Atyre nuk mund të mos u them se spektaklet e tilla nuk iu bëjnë nderë as juve e as vendit!

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …