leoni

Nesip Kaçi: TË FUQISHMIT DHE I PLOTFUQISHMI

Nesip Kaçi: TË FUQISHMIT DHE I PLOTFUQISHMI

   (Reflektime rreth Amerikës, Zotit dhe Ngjarjeve të Botës, shkruar nga Madeleine Albright, Parathënia nga Presidenti Bill Klinton : një libër befasues ) 

 

       Ka mbi tre vjet që shtëpia botuese “Fan Noli“ ka vënë për shqiptarët në qarkullim librin “ Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi ” shkruar më 2006 nga Madeleine  Albright me Bill Woodward, të përkthyer në shqip, nga Engjëllushe Shqari, të cilën  gjejmë rastin ta përgëzojmë për këtë punë të lavdërueshme dhe përkthim të goditur me tingëllim politik koherent. 

       Që në fillim të këtij shkrimi, dua të vë në dukje se, në Parathënien  e këtij libri, që e ka shkruar  i Madhi Bill Klinton, Presidenti i 42- të  i Shteteve të Bashkuara, thotë : “ Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon. Në librin “Të fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një llogjikë të shëndoshë për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjëndjen aktuale të përçarjes dhe pështjellimit të botës. Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të  rrish duarkryq. Madeleine Albright është mishërim i lëvizjes përpara”.

       Kur nuk kisha hyrë akoma mirë në adoleshencë, shkruan Zonja Madeleine Albright, populli amerikan e mirëpriti  familjen time, pasi në Çekosllovakinë time të lindjes në fuqi erdhën komunistët. 

       Në fund të viteve  ’50, Madeleine  Albright  ishte në kolegj. Si emigrante dhe vajzë e një diplomati çekosllovak, gjatë shkollimit tim, shkruan ajo, më interesonin sidomos marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fillim të viteve ’80, pasi mbarova studimet e larta, fillova punë si profesoreshë në Universitetin e Georgetown-it. Lenda ime ishte politika e jashtme. Zbigniew Brzezinski, teoricien i shquar i çështjeve ndërkombëtare dhe ish-profesori im në Universitetin Kolumbia, ku kisha kryer studimet universitare, thotë zonja Albright, më ofroi një punë në stafin e tij. Ai ishte tashmë këshilltar i Sigurisë Kombëtare të administratës së Karterit  dhe unë u bëra pjesë e administrarës, që do të përpiqej të vendoste një ekujlibër të drejtë midis dy kërkesave morale: luftës me efikacitet kundër komunizmit dhe demonstrimit të mbështetjes së vazhdueshme për parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Duke punuar në stafin e Brzezinskit, Madelein Albright dha një ndihmesë të çmuar dhe të suksesshme në luftën kundër komunizmit duke respektuar të drejtat e njeriut, që ishte doktrina themelore e politikës së jashtme amerikane. Jimmi Karter, njëlloj si çdo president përpara apo pas tij, mendonte se morali duhet të ishte në qendër të politikës së jashtme amerikane. Angazhimi i Jimmi Karterit ndaj të drejtave të njeriut më bëri të ndihesha krenare që punova në Administratën e tij. 

       Më pas zonja Albright shërben në postin e ambasadores së presidentit Klinton në Kombet e Bashkuar dhe më 1997 u emërua Sekretare Shteti. Ajo duke ecur në rrugën e Woodrow Wilson bëri shumë për konsolidimin e namit të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si fanar i lirisë dhe i drejtësisë, si një komb me fuqi të pamasë, që beson dhe punon që bota nuk duhet sunduar përmes shpatës por përmes ligjit. Gjithsesi, ekipit të politikës së jashtme të Administrarës së Klinton-it, thekson ajo, i duhej të merrte vendime, ngjarjet nuk prisnin, prandaj i peshonim opcionet me kujdes. Kur isha Sekretare Shteti këmbngulja të shkoja përtej rutinës së takimeve diplomatike. Doja të shikoja dhe dëgjoja nga njerëzit që prekeshin më shumë nga vendimet e marra nga qeveritë. Për këtë qëllim vizitoja refugjatë, familje, kryefamiljarët e të cilave ishin pa gjymtyrë, që u ishin prerë në fusha të minuara, vizitoja vejusha, të dashurit e të cilave ishin vrarë për shkak të origjinës etnike, takoja nëna që kishin humbur djemtë e tyre nga reprezaljet, nëna që nuk kishin mundësi të ushqenin fëmijtë e tyre. Më kujtohet  kur mora në krahë një vajzë tre vjeçare që luante me një makinë lodër me të vetmin krah që kishte. Një ushtar ia kishte prerë krahun tjetër me hanxhar. Në këtë kohë kisha një nip vërsnik me të. Nuk arrija të kuptoja se si dikush kish mundur të përdorte një hanxhar kundër asaj vajze  të vogël dhe pa faj. Për kë përbënte kërcënim ajo vajzë e vogël ? Armiku i kujt ishte ajo? Isha e sigurt se kështu mund të reagonim më shpejt dhe bujarisht. Kjo ishte edhe ideja mbi të cilën u mbështet vendimi i Jimmi Karterit  për të vënë theksin mbi të drejtat e njeriut, që e vuri vendin tonë , Amerikën, në një pozitë udhëheqëse për një çështje me rëndësi jetike për të gjithë njerëzit kudo në botë. Reputacioni moral i një vendi është një pasuri e palujtshme.   

Në librin e saj  “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi” Zonja Albright shkruan se personalisht besoj fuqimisht se Demokracia është një nga shpikjet më të mira të njerëzimit: një formë qeverisjeje më e mirë se çdo formë tjetër dhe një burim i madh shprese. Por po aq fort besoj edhe në domosdoshmërinë e udhëheqjes amerikane. Besoj se ne e kemi për detyrë të çlirojmë njerëzit.

Ndër vendimet më të vështira politike, shkruan Zonja Albright, janë vendimet që kanë të bëjnë me përdorimin e forcës. Dërgimi i ushtrisë në luftë është vendimi më i vështirë që një president mund të marrë apo një Sekretare e Shtetit mund t’i rekomandojë atij.

Zonja Madeleine Albright, duke cituar studiuesin më të shquar ushtarak të Kinës së Lashtë, Tian Rangju, shkruan: “Nëse sulmon një vend i shtyrë nga dashuria për popullin e tij, sulmi është i përligjur, nëse zhvillon një luftë për t’i dhënë fund një lufte, edhe ajo luftë është e justifikuar.” Në shekullin e V Shën Agustini shkroi: “Lufta është e përligjur për të mbrojtur tjetrin e pambrojtur”. 

Gjatë viteve të fundit Shteteve të Bashkuara u është dashur të përballen me çështjen e luftës në Afganistan dhe Irak. Si Sekretare e Shtetit jam ndeshur me një sfidë të ngjashme në Ballkan. Në fillim të viteve ’90 diktatori serb Sllobodan Millosheviç kishte nisur tre luftëra të pasuskesshme: kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë dhe kundër Bosnjës. Në vitin 1999 ai e drejtoi armiqësinë e tij kundër shumicës etnike shqiptare në Kosovë, provincë e Serbisë. Gjatë një viti, studiova çdo rrugë të mundshme për të siguruar një zgjidhje diplomatike që të respektohej nga të dy palët. Shqiptarët më në fund e pranuan propozimin tone; Millosheviçi e refuzoi, duke ndërsyer forcat e tij të sigurimit kundër popullsisë civile shqiptare. Interesi i tij ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre, duke djegur fshatrat e tyre duke përhapur terror. Qëllimi i tij ishte që problemin e Kosovës “ta zgjidhte” një herë e përgjithmonë.

       Duke qenë se provinca ishte pjesë e Serbisë, krimet e Millosheviçit nuk mund të karakterizoheshin si agresion ndërkombëtar. Asnjë anëtar i NATO-s nuk po sulmohej, kështu që aleanca nuk mund të pretendonte të përdorte të drejtën e vetëmbrojtjes, Serbia nuk kishte kërcënuar të pushonte një vënd tjetër, kështu që nuk kishte arsye për një goditje parandaluese. Megjithatë, ne e kishim për detyrë “të mbronin tjetrin e pambrojtur“. Këshilli i Sigurimit të Kombeve te Bashkuara miratoi një rezolutë e cila kërkonte tërheqjen e trupave plaçkitëse serbe; por diplomatët rusë, historikisht në anën e vëllezërve të tyre sllavë, premtuan se do të vinin veton për çdo masë që autorizonte përdorimin e forcës për ndaljen e serbëve.

       Kjo gjë e vuri administratën e Klinton-it dhe NATO-n përpara një zgjedhjeje të vështirë. Ose të lejonin Rusinë të përdorte veton me të cilën na kish kërcënuar, duke mos na lënë të vepronim, ose të përdornim forcën për të shpëtuar popullin e Kosovës edhe pa lejen e shprehur të Kombeve te Bashkuara. Punova tej mase shumë dhe ia dola mbanë për përdorimin e variantit të dytë. Arsyet e mia ishin pjesërisht strategjike: Evropa nuk do të ishte asnjëherë plotësisht në paqe, për sa kohë që Ballkani nuk do të ishte i stabilizuar, për sa kohë që Millosheviçi do të ishte në pushtet. Gjithsesi, motivi im kryesor ishte moral: Nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm. Prania e NATO-s në Evropë na dha mjetet për të ndaluar spastrimin etnik në atë kontinent, ndërsa unë shpresoja se duke bërë këtë, do të ndihmonim që krime të tilla të mos ndodhnin edhe gjetiu. Qëndrimi ynë do të bazohej  jo në atë që ishte e sigurt, por në atë që ishte e drejtë. 

      Nisur nga fakti që ne nuk kishim një mandat të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për veprime ushtarake, u përpoqëm veçanërisht  shumë të provonim drejtësinë e kauzës sonë. Së pari, adminisrata e Klintonit siguroi mbështetjen unanime të NATO-s. Së dyti, unë mbaja kontakte të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i cili u dakortësua publikisht me ne se veprimet e serbëve ishin moralisht të papranueshme. Së treti, objektivat e NATO-s gjatë luftës kontrolloheshin nga avokatë ushtarakë, të cilët e krahasonin secilin prej tyre me standartet e përcaktuara nga Konventat e Gjenevës. Në çdo rast bëhet një vlerësim për të parë nëse vlera e objektivit ishte më e madhe se risqet potenciale ndaj civilëve.

       Teksa lufta përparonte, ne shtuam presionin ushtarak ndaj Beogradit, por ndërkohë bënim kujdes për të minimizuar numrin e viktimave në njerëz dhe plagosjet e panevojshme të tyre . Tre objektiva civile (Ambasada kineze, një tren pasagjerësh dhe një kolonë me refugjatë) u goditën gabimisht. Vlerësimet për numrin e civilëve të vrarë nga bombardimet tregojnë se ata ishin nga 500 deri në 2000. Ndërsa Serbët përpara se të arrinim t’i ndalnim, vranë rreth 10.000 shqiptarë të Kosovës dhe përzunë qindra mijëra të tjerë nga shtëpitë e tyre. Gjatë gjithë luftës, ne vazhduam përpjekjet diplomatike për të vendosur paqen. Më në fund, këto përpjekje u kurorëzuan me sukses. Millosheviçi kapitulloi; serbët i tërhoqën forcat e sigurimit nga Kosova; refugjatët u lejuan të ktheheshin në vatrat e tyre; në vend u vendos një forcë paqëruajtëse e kryesuar nga NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara arritën të kontribuonin në rindërtimin e vendit, i cili që atëhere ka organizuar disa raunde zgjedhjesh demokratike. Farat e konfliktit në Kosovë, sikurse edhe në luftrat e kahershme kishin ardhur si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë, kishin qenë të mbjella në historinë fetare të rajonit. Duke mbrojtur kauzën e Serbisë, Millosheviçi do të më thoshte se populli i tij kishte mbrojtur “Evropën e Krishterë” për shekuj të tërë. Historia kombëtare epike e Serbisë është një rirëfim i betejës së Kosovës, e zhvilluar kundër turqve otomanë në Fushën e Mëllenjave më 1389. Sipas legjendës, Princit Lazar të Serbisë i ishte shfaqur Profeti Elia në ditën fatale. Elia i kishte premtuar princit të zgjidhte midis fitores në betejë (dhe një perandorie në tokë) dhe disfatës (kompensuar me një vend në parajsë). Princi zgjodhi fitoren e përjetshme në parajsë. Është një histori frymëzuese, një histori që ka luajtur një rol në vendimin e guximshëm të serbëve për t’u rrezistuar nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Problemi është se disa serbë vazhdojnë të jenë të vendosur të hakmerren për disfatën e pësuar në Kosovë më shumë se 600 vjet më parë, të motivuar nga një ndjenjë e egër nacionalizmi dhe besimi se kanë një marrëdhënie të veçantë me  zotin. 

       Ndërsa në Kosovë lufta vazhdonte, Vaclav Havel-i do ta karakterizonte me këto fjalë: “Nëse mund të thuash se një luftë është etike, apo se ajo po zhvillohet për shkaqe etike, atëhere kjo është një prej atyre luftërave. Kosova (ndryshe nga Kuvajti) nuk ka puse nafte për t’u lakmuar, asnjë nga kombet  anëtare të Aleancës nuk ka ndonjë pretendim territorial ndaj saj; Millosheviçi nuk kërcënon integritetin territorial të ndonjeri prej anëtarëve të Aleancës. E megjithatë Aleanca hyri në luftë. Ajo lufton sepse është e shqetësuar për fatin e të tjerëve. Ajo po lufton sepse asnjë njeri i mirë nuk mund të rrijë e të bëjë sehir vrasjet sistematike të popujve të tjerë nën drejtimin e qeverisë…Kjo luftë i vendos të drejtat e njeriut mbi të drejtat e shteteve”. 

       Shumica jonë, nënvizon Zonja Albright, do të pajtoheshin me faktin  se morali, ndonëse shpesh i vështirë për t’u përcaktuar, është thelbësor për të shkuar mirë me njeri tjetrin. Ne do të ndiheshim më të sigurt në një botë ku ndërgjegjia do të shërbente si udhërrëfyesi kryesor i veprimeve të kombeve dhe të individëve. Po feja? Feja është ndoshta ndikimi i vetëm më i madh në formimin e ndërgjegjes njerëzore, e megjithatë, ajo është njëherazi edhe një burim konfliktesh dhe urrejtjeje. Pas asaj që pamë të ndodhte në Ballkan dhe në rajone të tjera të shkatërruara nga konflikte me bazë fetare, a mund të themi se feja është diçka që duhet ta kemi më me bollëk ? 

       Pasi u largova nga puna që bëja në qeveri, më 2001, shkruan Zonja Albright, iu ktheva një dashurie më të hershme,  mësimdhënies në Universitetin Georgetown. Gjatë gjithë viteve që punova në qeveri,  ruajta një këndvështrim pozitiv. Në administratën e Klinton-it bisedonim shumë për shekullin e 21-të dhe për çudi ndiheshim të sigurtë se Amerika, bashkë me të tjerët, do t’u gjente zgjidhje shumicës së problemeve. Ajo nënvizon lidhur me librin e saj “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi” se kritikët e kanë për detyrë të jenë të ndershëm dhe të ofrojnë ide konstruktive. Ky është qëllimi i këtij libri, ku në pjesën e parë të tij trajtoj pozicionin e Amerikës në botë dhe rolin e luajtur nga feja dhe morali në formimin e politikës së jashtme amerikane, si tani dhe në të shkuarën. Pjesa e dytë përqëndrohet në marrëdhëniet e trazuara midis Bashkësisë Islamike dhe Perëndimit. Pjesa e tretë përmban mendimet e mia në lidhje me mënyrën se si politika e jashtme amerikane dhe feja mund të gjejnë pika takimi për të bashkëpunuar më mirë.    

      Duke lexuar këtë liber elitar, mëson se  Madeleine  Albright, në  atë kohë  Sekretare e Shtetit  të  SHBA-s,  ka dhënë  një ndihmesë  të jashtëzakonshme  në çlirimin e Kosovës, mbështetur në parimet demokratike dhe në motivin moral për  të drejtat e njeriut, që është doktrina themelore e politikës së jashtme amerikane.

Nesip Kaçi eshte  Publicist dhe Diplomat

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …