I pavdekshmi, Rexhep Mala, lindi më 29 mars 1951 në fshatin Hogosht të Dardanës, ish Kamenica, nga nëna Fahrija e babai Mehmeti. Familja e tij ishte një familje me traditë patriotike e atdhetare të trashëguar brez pas brezi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje e shkollën e mesme, gjimnazin në Gjilan.
Si nxënës i vitit të tretë, kishte marrë pjesë në demonstratat e vitit 1968 që ishin organizuar në qytet e Kosovës. Gjatë viteve 1970-71, kishte filluar punën në detyrën e mësimdhënësit-edukatorit në fshatin Marec të Prishtinës. Ai, pa shkëputje nga puna vazhdoi studimet në fakultetin ekonomik në Prishtinë, ku gjatë kësaj kohe edhe e kalon kufirin ilegalisht që arrin të shkon edhe në Shqipëri, e që pas kthimit nga atje dënohet me 28 ditë burg nga gjykata komunale e Gjilanit. Pasi, që trimi i Karadakut, Rexhep Mala e vazhdoi rrugën e lirisë edhe gjatë viteve 1970- 1974, së bashku me Adem Demaçin dënohet me 9 vite burg të rëndë, për veprimtari kundër shtetit komunist “vetëqeverisëse” Jugosllav, të cilat i mbajti në pjesën më të madhe të burgjeve jugosllave si: Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Idrizovë, Prizren, Foçë e në Mostar.
Kur Rexhepi, edhe kësaj radhe lirohet nga burgu më 23 maj 1983, në vend që t’i kthehet jetës familjare, ai bashkë me Nuhi Berishën, vazhduan edhe më tutje punën ilegale dhe legale për krijimin e Republikës së Kosovës.
Andaj të mundohesh sot që të heqësh emrin e këtij; mendimtari, atdhetari, artisti, luftëtari, trimi e revolucionari të devotshëm ndaj atdheut nga lista e emrave që sakrifikuan veten për lirinë dhe çlirimin e atdheut, është një naivitet i llojit të vet. të cilin shoqëria dhe institucionet e atëhershme shqiptare të Kosovës, nuk e kishin kuptuar dhe nuk dëshironin që ta kuptonin në asnjë mënyrë. Ai, jo që nuk u kuptua nga forcat e atëhershme politiko shoqërore, po, ai me shokët e tij të ilegales u shtynë dhe u mënjanua për fat të keq, edhe nga një numër jo i vogël i qytetarëve shqiptar, në mënyrë të hapët e kundër civilizues. Rexhep Mala, bashkë me një numër të madh të shokëve u arrestuan dhe u burgosën, së bashku me ideatorin e Lëvizjes Revolucionare për Bashkim z. Adem Demaçi-Dema, gjatë vitit 1974. Ata u arrestuan dhe u privuan nga shoqëria në mënyrën më të mjerë, tinëzare e tërësisht fashiste, gjatë viteve të tetëdhjeta. Ne, pasardhësit e këtyre atdhetarëve (patriotëve), dhe vazhduesit e rrugës së tyre, anëtarët e grupit OMLK, që nuk ishte aspak i lehtë, në fillim na dukej e pamundur dhe gati e pa realizueshme, nëse i marrim parasysh rrethanat, politike në të cilat kishim lindur, rritur e mësuar nga institucionet shtetërore të asaj kohe. Nga, porosia e këtyre ideatorëve e mësuesve tanë të dashur, arritëm të kuptojmë e gjykojmë se a ishte e mundshme të quhet reale dhe e drejtë një gjë apo çështje, e cila nuk e pasqyronte realitetin me besnikëri, siç ishte çështja e të drejtave shqiptare në Jugosllavi?
Mirëpo, lëvizja e jonë, kombëtare ilegale, ishte, është dhe do të jetë edhe nesër, një fenomen shoqëror historik, jashtëzakonisht i ndërlikuar në kokën e atyre që e bënë dhe morën pjesë drejtë për së drejti në demonstratat e vitit 1968. Për këtë arsye, sot një numër jo i vogël i intelektualëve e dijetarëve të ndryshëm me të drejtë e quajnë shpesh edhe me termin ‘Revolucion’. Në këto demonstrata e lëvizje politike të ndërlikuara, kishte edhe shumë element shoqërorë, të cilët në asnjë kohë nuk arritën që të kuptojnë atë që kishte ndodhë dhe që është ende duke ndodhë e duke u paraqitur në shoqërinë Kosovare. Të gjithë ata, me vetëdije apo pa vetëdije u mënjanuan nga detyrat imediate dhe e vërteta historike që iu kishte afruar e vënë përpara, zhvillimi i ngjarjeve të bujshme atdhetare, kombëtare e historike. Pasi, që të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me një atdhetar dhe me njërin nga revolucionarin më të madh, të kohës së Pranverës së Madhe Shqiptare. Vetvetiu na del fakti që ai me punën, veprimtarinë, guximin, pamjen, aktivitetin e veprën e tij, tepër të bujshme e madhështore e pasqyron anën më të rëndësishme të lirisë, çlirimit e krijimit të shtetit shqiptar të Kosovës, që sot është pranuar nga një numër i madh i shteteve. Shtypi legal në gjuhën shqipe dhe gjuhëve të kombësive tjera të Kosovës që dilte në Kosovë e Jugosllavi, ishte i mbushur me artikuj, shkrime e letra të ndryshme, me rastin e përvjetorit të lindjes e rënies heroike në fushë të mejdanit të atdhetarit Rexhep Mala. Heroi i popullit bashkë me shokun e tij të ilegales Nuhi Berishën, pas qëndresës dhe luftës në Kodrën e Trimave, ishin bërë tashmë të njohur për opinionin vendas e ndërkombëtar edhe për kundër tentimit të heshtjes së tyre nga shtypi dhe qarqet e bërjes së politikës. Ato, më pak se për çdo gjë tjetër, interesoheshin për një analizë të mirëfilltë shkencore, rreth veprës e punës ilegale të këtyre atdhetarëve si edhe të atdhetarëve të tjerë, të burgosurve, përndjekurve politik dhe të luftëtarëve që dhanë gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë sot. Edhe pse, për nga pikëpamja e karakterit revolucionar e politik i demonstratave, ashtu edhe forcën e saj lëvizëse, asnjëherë nuk u tha ashtu siç ishte në të vërtetë, po, çdo herë etiketoheshin e vlerësoheshin si armiqësore, nacionaliste, irredentiste, separatiste e që edhe sot është duke na kushtuar çdo ditë e më shumë. I gjithë, shtypi ynë i sotëm, për të cilin janë duke u bërë shpenzime marramendëse, është i mbushur me një hipokrizi e cila të bënë nervoz e të neveritshëm, brenda çdo dite e që në vete mbanë, një hipokrizi të dyanshme e të dyfishtë; zyrtare dhe ‘gjoja’ liberale.
Hipokrizia e parë, është aq e pakripë e disa kalemxhinjve-gazetarëve robot dhe argatë të huaj që dje kishin marrë urdhra e paguheshin nga pushteti që t’i ndiqnin e diskreditonin Adem Demën e Rexhep Malën me shokë, kurse, sot, po të njëjtit gazetar, mundohen të gjejnë në punën e veprat e tyre, patriotizmin, atdhetarizmin, revolucionaritetin, trimërinë, burrërinë çka jo se. Sot, ata mundohen e përpiqen që të respektojnë mirësjelljen formale, përpara popullit shqiptar e shoqërisë në tërësi, duke u thirrur në lirinë e fjalës e demokracinë që e sollën, ata që u sakrifikuan dhe e dhanë jetën për liri. Që kalemxhinjtë e këtij lloji apo e këtij soji, janë paguar për shkrimet e punën e tyre e dimë të gjithë, dhe ata nuk mund të mashtrojnë dot njeri, përveç bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët e tyre.
Andaj, sot është, shumë më e dëmshme dhe më e rrezikshme hipokrizia dhe injoranca e loja e sotme liberale, sesa ajo e para dyzet-viteve. Këto, kontradikta e kundërthënie shoqërore, nuk ishin e nuk janë, një gjë e rastit, por, është një shprehje e kushteve kontradiktore ekzistuese në të cilat ishte vu jeta e shqiptarëve në dyzet vitet e fundit të shekullit XX. Populli shqiptar i cili sapo doli nga Lufta e Dytë Botërore u la në mëshirën e fortë të shovinizmit serbo-jugosllav e çetnikizmit serb të maskuar në petkun e komunizmit proletar botëror. Kundër këtyre bazave e formave të vjetra sunduese në Kosovë e viset tjera shqiptare, ishin angazhuar edhe një numër jo i vogël i atdhetarëve dhe i kundërshtarëve të sundimit jugosllav mbi shqiptarët edhe para atdhetarit Rexhep Malës e Nuhi Berishës. Mirëpo, Lëvizja Ilegale, ishte bërë më e theksuar, më aktive e më profesionale me atë e bashkëveprimtarët e tij. Veçanërisht, ajo ishte forcuar, zgjeruar e profesionalizuar pas qëndresës heroike, bashkë me shokun e vetë të ilegales kombëtare shqiptare më 11 janar 1984 në Kodrën e Trimave në Prishtinë. Kryeqyteti i Kosovës e qytetarët e tij, ishin tronditur e tmerruar nga krisma e armëve të zjarrta ushtarake të trimave të Karadakut në njërën anë, dhe ushtrisë e policisë jugosllave në anën tjetër. Policia e sigurimi i përbashkët Kosovare-Jugosllave, kishin kërkuar edhe angazhimin ndihmën e ushtrisë të garnizonit të Prishtinës, bashkë me të gjitha mjetet e armët ekzistuese duke mos përjashtuar edhe ato të blinduara ushtarake të ndihmuara në të njëjtën kohë me aeroplan e helikopter ushtarak dhe njësi speciale e vëzhgues të Jugosllavisë socialiste e vetëqeverisëse të asaj kohe.
Mr. Avdi Gjata- Prishtinë.
Më 11.01.2014.