Vasileva është një fshat në komunën e Drenasit që në luftën e fundit lirisë së Kosovës ia fali tre dëshmorë: Agron Berishën, Nuhi Berishën dhe Sinan Berishën, është vrarë mizorisht në shtëpinë e saj plaka e palëvizshme Hasa Hamza Berisha në moshën 98 vjeçare, kurse ende vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur Ahmet Berisha dhe Fidai Berisha. Ndërkaq, të plagosur evidentohet ushtari i UÇK-së Raif Dalip Berisha dhe qytetari Shaip Dalip Berisha.
Nuhi Berisha u lind më 20.10.1972 në Vasilevë në një familje të varfër, por mjaft bujare. Rrustemi nga martesa me Shefkijen solli në jetë pesë fëmijë: Xhevatin, Dinoren, Nuhiun, Shehiden dhe Arsimin. Nuhiu ishte fëmija i tretë me radhë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, u detyrua që të mirret me punë krahu. Të afërmit, miqtë, shokët por edhe bashkëluftëtarët për figurën e Nuhiut flasin me admirim. Ishte me karakter të fortë, por edhe i dashur dhe i sinqertë.
Me shpërthimin e luftës në Kosovë dhe zgjerimit të saj në rajonin e Drenicës, ishte e pamundur që në radhët e saj të mos paraqitej një numër jashtzakonisht i madh, kryesisht të rinj, të gatshëm për t’i dalë zot këtij vendi. Dhe jo të gjithë e patën këtë fat. Mungesa e armatimit ishte pengesa kryesore që shumë të rinj, përkundër vullnetit dhe gatishmërisë së tyre, nuk mund të inkuadroheshin në radhët e UÇK-së. Shumë prej tyre mësynin kufirin dhe atje vriteshin akoma pa e realizuar ëndërren e tyre. Të tjerët binin në prita të forcave të armikut, sapo shkilnin kufirin, kurse qindra të tjerë binin në fusha të minuara dhe kanë vdekur, kurse një numër i madh sot janë invalidë të luftës.
Më 31 maj, rreth orës 13.30, në Poklek të Ri, policia dhe paramilitarët serbë ndërmorën një sulm mbi banorët e këtij fshati me ç’rast pas bastisjes së shtëpive dhe rrahjeve barbare masakruan 11 persona, ku sot e kësaj dite, për fatin e Ahmet dhe Fidai Berishës nuk ka asnjë gjurmë. I tronditur nga kjo ngjarje, por edhe ato që kishin ndodhur në Likoshan, Çirez, Prekaz, Klinë të Skënderajt e po zgjerohej edhe në pjesët tjera të Kosovës, sidomos në Dukagjin, Nuhiu nuk kishte dyshim se armiku tashmë kishte vënë në shënjestër çdo gjë shqiptare. Më 5. 6. 1998 armatoset dhe bëhet pjesë- tar i UÇK-së në pikën”Shkaba 4” duke zbatuar me përpikëri dhe sukses çdo urdhër që i jepej nga eprorët.
Goditjet me minahedhës dhe armë të tjera mbi fshatrat Paklek dhe Vasilevë do të jenë pothuaja të përditshme, por ato u intensifikuan pas bombardimeve të Aleancës veriatlantike mbi objektivat serbe. Ofensivat e shpeshta kundër fshatrave të kësaj ane kishin zhvendosur një numër të madh të banorëve kryesisht pleq, gra, fëmijë dhe të sëmur. Shumë prej tyre gjetën strehim dhe përkujdesje në Vasilevë. Përgjegjësia e luftëtarëve të lirisë ishte jashtzakonisht e madhe. Përveç përballjes me forcat militare serbe, duhej siguruar edhe strehim, ushqim, veshmbathje, medikamente dhe gjëra të tjera për mbijetesë të të ardhurve në Vasilevë si dhe evakuimi i tyre në momente rreziku. Nuhiu gjithmonë ka qenë vigjilent dhe i gatshëm që në çdo rast të jetë në front me luftëtarët, por edhe pranë popullësisë civile. Më 6. 5. 1999 së bashku me Sinan Berishën futën në qendër të fshatit për të vëzhguar terrenin ku qëndrojnë gjatë tërë natës. Të nesërmen, më 7. 5. 1999 derisa po tërhiqej përgjatë kanalit të ujitjes që përshkon një pjesë të fshatit, hetohet nga militarët serbë me ç’rast breshëri plumbash godasin trupin e tij dhe të kusheririt, Sinanit. Trupi i tij pushon në “Kopshtin e dëshmorëve” në Polac. Emri i tij është skalitur edhe në një lapidar të përbashkët të ngritur në shenjë nderimi dhe përkujtimi për tre dëshmorët e Vasilevës, kurse Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve dhe Kuvendi komunal i Drenasit i kanë ndarë mirënjohje dhe falënderime familjes së dëshmorit, në shenjë respekti për sakrificën e birit të tyre për lirinë e Kosovës. (I. S.)