Hallakama e përgjithshme për të rrahur gjoks patriotizmi, për tu veshur me “petkun e lirisë”, për të cilin është derdhur gjak, ndërsa dikujt nuk i ka munguar as një qime floku gjatë luftës së UÇK-së, të cilën e kanë bërë në vendet e Evropës, të përbashkuar rreth fondeve, për luftën “tejet të rëndë dhe të rrezikshme” nëpër hotelet e Tiranës e gjetkë, përpjekjet për të na bindur se akëcili grup apo klan ia paska kthyer dinjitetin kombit, duke mos përmendur dinjitarët e vërtetë, Adem Jasharin me dëshmorët e dëshmoret e UÇK-së, përpjekjet për të qëndruar në radhët e para pas luftës, ndërsa gjatë luftës fshiheshin nga një vend në tjetrin, përpjekje të tjera për ta zhvlerësuar SHP të UÇK-së, për të vënë në dyshim se kush e ka themeluar atë, për të përhapur gënjeshtra se Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë qenë të instruktuar nga shërbimi francez i inteligjencies, duke vënë në dyshim edhe përkatësinë e tyre kombëtare, përpjekjet për ta deformuar luftën e UÇK-së, për ta paraqitur Adem Jasharin si kryetar fisi, përpjekjet për ta paraqitur luftën e UÇK-së luftë për mbrojtjen e pragut të derës apo të “fisit të jasharëve”, nuk janë vetëm përpjekje të çoroditura e të marrëzishme, por ato bëhen me qëllim për të goditur bazamentin e së vërtetës për luftën e UÇK-së, nga disa ndoshta jo me qëllim të keq, por të verbuar nga megalomania dhe euforia që po zgjat dhe nga disa të tjerë, me qëllim për ta diskredituar atë…
Ata që aq fort i mëshojnë sot telit të LPK-së, madje duke e njëjtësuar si LPK-UÇK, thjesht për qëllime karrieriste politike, për t’ i treguar krahut të tyre në Vetëvendosje, se ata e paskëshin pasur më herët një Lëvizje, tani të bashkuar me Vetëvendosjen dhe se qenkan protagonistët kryesorë të binomit LPK-VV, ose të vijës së pretenduar të Republikës së Tretë LPK-UÇK-VV, kanë pretendime të caktuara politike, por nuk kanë të bëjnë me të vërtetën, me proceset e zhvillimet realiste, të cilat dëshmohen me gjuhën e fakteve dhe argumenteve….
Këtë luftë sistematike, pa ndërprerë e kanë bërë dhe e bëjnë disa “mendje…” nga brenda UÇK-së e disa nga jashtë.
1.
Sot, të gjithë po tregohen trima, por më trima po tregohen ata që gjatë luftës nuk kanë qenë fare në zonat e luftimeve, por kanë kryer detyra “super të përgjegjshme” pa të cilët, sipas tyre nuk ishte bërë lufta, sepse gjatë luftës, “truri” i kombit paska qenë jashtë, në Tiranë, dhe në disa qytete të vendeve të Evropës.
Po aq të zëshëm e të zhurmshëm tregohen disa veprimtarë për mbledhjet e tubimet që i kanë mbajtur në vitet 90, kur 90 për qind e tyre ishin brenda LDK-së pacifiste, ( thonë se aty paskan qenë sa për sy e faqe, apo për ta marrë kalanë nga brenda, por në fund i përzuri nga partia vetë kryetari i saj, Ibrahim Rugova, pak para se të shpërthente lufta).
Edhe më trima tregohen disa qyqarë e mjeranë, të cilët familjet i kishin siguruar në Tiranë e gjetkë dhe vetë shëtisnin me armë e me uniformat e UÇK-së nga një zonë në tjetrën, por kurrë dhe asnjëherë në vijat e frontit të luftës.
Dihet fare mirë kush dhe ku ka vepruar në mërgatë, kush ka qenë i pazëvendësueshëm atje, kush ka hyrë në Kosovë gjatë luftës dhe është larguar në nivel detyre e angazhimi, por dihet si kanë vepruar disa të tjerë, sidomos në kohën e ofensivave. Ne, që kemi qëndruar prej ditës së parë të luftës në frontet e saj, e shumë më herët në organizimin e saj, secili sipas detyrave e angazhimeve, i dimë të gjitha, shumica nesh edhe i kemi shënuar dhe dëshmojmë për të gjitha veprimet e mosveprimet, që kanë ndodhur gjatë luftës, po thuajse në të gjitha zonat.
Në kontestin historik, psiko-social, kjo mund të shpjegohet si pasojë e robërisë shekullore, e njerëzve që iu kanë nënshtruar çdo regjimi dhe kanë përfituar për veten e familjet e tyre, duke mos e çarë fare kokën për ata të tjerët, që kacafyteshin me regjimet e huaja shtypëse e shfarosëse. Dhe, mjerisht kjo ka qenë shumica, gjatë tërë historisë shqiptare, sado që rrahin gjoks se janë trimat e dheut, se të gjithë shqiptarët janë, “Mic Sokolë e Adem Jasharë”.
Struktura mendore e veprimeve të skllavit, është mashtruese, hipokrite, goditje pas shpine, përsëritje e gënjeshtrave, etiketime ndër më të neveritshmet për kundërshtarin, përpjekje për të ndërtuar kauzë me gënjeshtra e mashtrime e trillime sipas momenti, thjesht, strukturë mediokrish të rrezikshëm për mbarëvajtjen e shoqërisë.
Të tillët propagandojnë se janë të parët, se kanë qenë në burgje, disa edhe kanë qenë, por kush sa herë ka qenë dhe sa herë është dënuar, edhe kjo dihet.
Të tillët pretendojnë se janë themeltarë të LPK-së, se UÇK-ja qenka pjellë e LPK-së, se tri luftërat çlirimtare i ka bërë LPK-ja dhe një varg konstatimesh që nuk i qëndrojnë realitetit faktik, as historik.
Askush nuk e mohon rolin opozitar të LPK-së, opozitë e fshehtë e LKJ-së së në vitet 80-të dhe deri diku edhe opozitë e LDK-së në vitet 90-të.
Por kur konstatohet kështu, duhet parë pak më gjerë historinë e Lëvizjeve tona të rezistencës.
Shumë kohë para LPRK-LPK-së, kanë vepruar organizatat më të njohura të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, sikur ka qenë Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare: Imer Berisha, Gjon Serreçi, Ajet Gërguri etj, e cila veproi politikisht e ushtarakisht prej vitit 1943-1944 deri në vitin 1963, kur u themelua, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Trojeve me Shqipërinë, (shkurt LRBSH), në krye të së cilës ishte më meritori dhe më i madhi i Lëvizjes kombëtare, Adem Demaçi. Pastaj në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare, prej vitit 1968 e deri në vitin 1981 kanë vepruar dhjetëra organizata kombëtare, shumica dërrmuese e të cilave iu kanë përmbajtur programit politik, kombëtar të LRBSH-së, pavarësisht emërtimeve.
Në vitet 70-të e 80-të ka qenë mjaft e përhapur në nivel të Kosovës e më gjerë Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ)
Në vitet 70-të, 80-të organizatat më masive, kanë qenë ato me program majtist, organizata e parti marksiste leniniste, por me platformë të çlirimit dhe bashkimit të Kosovës e viseve të tjera me Shqipërinë.
Të gjitha këto organizata, pas kërkesave plebishitare të vitit 1981, përkrahen idenë e krijimit të Republikës së Kosovës, në kuadër të Jugosllavisë, madje njëra nga to ( PKMLSHJ) kërkonte edhe krijimin e një Republike të të gjithë shqiptarëve brenda Federatës Jugosllave.
Asokohe, një pjesë e veprimtarëve politikë të vendit formoi edhe Lëvizjen Për Republikën e Kosovës (LPRK), në akord me kërkesat plebishitare të kohës.
Me themelimin dhe regjistrimin në Beograd të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në vitin 1989 krerët më të njohur të Lëvizjes Atdhetare (Lëvizjes ilegale) u inkuadruan në LDK dhe vepruan me besnikëri në platformën e saj, bashkë me ish strukturat e Lidhjes Komuniste Jugosllave, të cilët në shenj pakënaqësie për shërbimin 45 vjeçar që i kishin bërë Jugosllavisë, në momentin historik kur e panë se ishin përzënë, ata të hidhëruar e të zhgënjyer, i kishin dorëzuar triskat e partisë, veprim të cilin e kishin quajtur “revolucionar”.
Kjo ishte koha kur shumica dërrmuese e ish të burgosurve politikë ishin pranuar në radhët e LDK-së, ndërsa një pjesë tjetër brenda dhe jashtë vendit, kishte mbetur e hutuar, por me kohë ishte aktivizuar rreth Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Ata që aq fort i mëshojnë sot telit të LPK-së, madje duke e njëjtësuar si LPK-UÇK, thjesht për qëllime karrieriste politike, për t’ i treguar krahut të tyre në Vetëvendosje, se ata e paskëshin pasur më herët një Lëvizje, tani të bashkuar me Vetëvendosjen dhe se qenkan protagonistët kryesorë të binomit LPK-VV, ose të vijës së pretenduar të Republikës së Tretë LPK-UÇK-VV, kanë pretendime të caktuara politike, por nuk kanë të bëjnë me të vërtetën, me proceset e zhvillimet realiste, të cilat dëshmohen me gjuhën e fakteve dhe argumenteve.
Ky projeksion, këto pretendime megallomane, kanë qëllime të caktuara politike, për të lënë anash të gjitha përpjekjet e Lëvizjet e tjera, duke bërë katapultime të paqëndrueshme, por që kanë një qëllim të caktuar politik, me shpresë për ta marrë nga brenda Vetëvendosjen, ashtu sikur dikur, të njëjtit kishin bërë përpjekje për ta marrë nga brenda LDK-në, në kohën e Ibrahim Rugovës. Se cili është sot elektorati i Vetëvendosjes dhe sa u beson ai elektorat veprimtarëve të rezistencës, flet një fakt i njohur. Të gjithë të burgosurit politikë në Vetëvendosjes nuk kanë marrë vota as sa një, Mimozë Kusari.
Ata që po përpiqen të lidhin fijet e tyre të së kaluarës me të sotmen, kanë shkuar aq larg sa në Dyzet-vjetorin e demonstratave e protestave të Marsit-Prillit-Majit të vitit 1981, (“ të pranveres’81”) ndërruan kryefjalën “Republikë”, të cilën e zëvendësuan me “Vetëvendosje”, duke manifestuar fitoren historike të “ Lëvizjes Vetëvendosjes”. !?
Këto pretendime janë shkizmatike dhe si të tilla kanë shkaktuar jo vetëm huti e përçarje, por edhe deformime të papranueshme për realitetin faktik dhe historik të së kaluarës.
Këta megalomanë, vepra dhe aktiviteti i të cilëve është i njohur botërisht, këta të vetëquajtur protagonistë të historisë, që e paskan bërë dhe po e bëkan historinë, duket se janë ekzaltuar dhe entusiasmuar para kohe, si atëherë kur kanë qenë në LDK, pas luftës në PDK, e në parti të tjera e tani në VV.