Prioritetet e Qeverisë, sfidat që bizneset po hasin gjatë ushtrimit të veprimtarisë si dhe ligjet që OAK konsideron që Qeveria duhet t’i trajtoj me urgjencë ishin disa ndër temat e diskutimit në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës, Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe shefit të Kabinetit të Kryeministrit, Luan Dalipi. Oda e Afarizmit të Kosovës konsideron që nevojë e menjëherëshme është krijimi i ofertës për investitorët potencial për të bërë biznes në vend, pasi që për më shumë se 20-të vite, ne nuk kemi arritur të prezantojmë një ofertë konkrete në këtë drejtim. Sipas OAK-së është tejet e nevojshme që të punohet në ndarje të zonave ekonomike varësisht nga prioriteti, kompletimin e zonave ekzistuese ekonomike, krijimin e një Ligji funksional për Tregti të Brendshme, Ligjit për Miniera e Minerale, Ligji i Pushimit të Lehonisë dhe Ligji i Punës, vazhdimi i normës 8% të TVSH-së për sektorin e gastronomisë si dhe të bëhet lirimi i plotë i lëndës së parë dhe asaj përcjellëse për bizneset prodhuese. Ndërsa, Ministrja Hajdari falënderoi përfaqësuesit e OAK-së për ndarjen e shqetësimeve të komunitetit të biznesit si dhe theksoi që si Ministri aktualisht janë të orientuar në krijim të politikave industriale, marrë parasysh që si të tilla kanë munguar.
