Ylli Mece

Ylli Meçe: Një leksikon për të pa diturit, por edhe për frikacakët e ditur

Nuk kisha aspak ndërmend që të merresha me këtë temë, por duke qenë se në kushtet aktuale, kur Kosova është e çliruar nga pushtimi serb, përveç pikëpamjeve të drejta mbi faktorët vendimtarë të luftës së saj deri në çlirim, hasim me shumicë dhe pikëpamje të gabuara e mendoj se është e nevojshme për tu njohur nga ana e publikut. Të flasësh për luftën çlirimtare të Kosovës duhet që domosdoshmërisht, të lidhet nga njera anë shtypja, represioni dhuna genocidi i shovinizmit serb në shekuj mbi këtë krahinë dhe nga ana tjetër urrejtjen, shpirtin kryengritës dhe dashurinë për të qenë i lirë dhe i bashkuar i popullsisë së kësaj treve me trungun amë – Shqipërinë.

Pa bërë aspak histori më duhet të theksoj edhe pse me Titon në krye, i cili hiqej si një komunist dhe që pat deklaruar dhe premtuar se…”Po Kosova e dimë që është shqiptare dhe mbas çlirimit nga nazi – fashizmi do i jepet Shqipërisë” . Nëse Titua do të ishte një komunist i vërtetë, këtë gjë duhej ta kishte bërë qysh ne vitet 1945 – 46 të shekullit të kaluar. Por ja që ashtu sikurse për fatin e keq te popujve të kësaj Federate e pësoi dhe Kosova. Kjo do të thoshte se ai ishte në rrugën e tradhtisë së idealeve internacionaliste, pa shkuar më tej, se Titos i kullonin jargët për të aneksuar dhe vet Shqipërinë. Tradhtia e tyre bëri që ajo të përjashtohej ne vitin 1948 nga Internacionalja komuniste . Kështu, që Jugosllavia mbas denoncimit që ju bë asaj për rrugën e tradhtisë nga “Komiterni” u përpoq të hiqej “një vend i pa-angazhuar” që do të thoshte se nuk puqej me B. Sovjetik të Stalinit, por dhe as me imperializmin.

Veçse kur fliste kundër imperializmit, Beogradi e përdorte këtë term në përgjithësi dhe jo konkretisht, ndaj dhe marrëdhëniet e Titos me Britaninë e Madhe, Amerikën dhe disa vende te Evropës, ishin aq të mira të shtrira në të gjitha fushat deri te ato të sherbimeve sekrete. Amerika dhe vet Evropa deri në vdekjen e E. Hoxhës, madje dhe kur filluan kryengritjet dhe revoltat e rinisë kosovare në pranverën e vitit 1981 nuk ishin për luftën e këtij populli dhe lirinë e tij.

Strategjia e imperializmit Amerikan ndryshoi vetëm mbas viteve 1989, vit ky që shënon pikën kulmore, deklarimin haptas të ish vendeve të kampit socialist në rrugën kapitaliste të zhvillimit. Këto vite e sidomos mbas viteve 1990 të shekullit të kaluar përkojnë dhe me ndryshimin e taktikave të imperializmit amerikan, taktika këto të domosdoshme, sepse tashmë harta gjeografike e sistemeve politike dhe ekonomike kishte pësuar ndryshime të mëdha dhe te kjo hartë e re, ata projektonin interesat e lakmive të tyre. Dalja e shumë ish republikave sovjetike nga “suaza e URSS” dhe lufta për pavarësi kombëtare tashmë me të drejtë doli në plan të parë. Përkrah vende të tilla si Polonia Hungaria R.D Gjermanisë, Çekosllovakia Bullgaria Rumania, Republikat Priballtike, si Lituani, Letoni, Estoni, të shoqëruara këto me lëvizjet kryengritëse ju shtua dhe ajo e popujve të Federatës Jugosllave. Këto e të tjera, do prishnin balancat e pas luftës së dytë botërore dhe në këtë kuadër kërkohej një” ndarje e re” e heshtur madje jo kërcënuese, por mikluese dhe “dashamirëse” me ofrim të “miqësisë” dhe ndihmash për “rimëkëmbjen e demokracisë”. Evropa vrapoi që shumë vende ish socialiste t’i antarësonte në NATO-s. Dhe ja erdhi çasti ,Republika Federative jugosllave u shpërbë jo paqësisht, por me luftë dhe teksa lufta e dominuar

prej ushtrisë së pushtuesve serbë u përballë me veprime vendimtare të popujve të kësaj federate, e cila solli Pavarësinë e tyre, për çudi Kosova e cila ishte në mospajtim me Serbinë qysh prej vitit 1945 ende qëndronte e pushtuar. Evropa heshte , teksa Amerika as që mendonte për luftën e këtij populli, madje dhe kur pushka e Adem Jasharit paralajmëroi se ky popull nuk mund t’i duronte më vargonjtë e skllavërisë, ata na këshillonin që ne duhej të “rrinim urtë”, të mos bëheshim “faktor destabilizues për Ballkanin” të luftonim brenda nesh konceptet e “ separatizmit dhe irredentizmit” dhe lloj, lloj “këshillash” të cilat kishin për qëllim uljen e frymës revolucionare, por nga ana tjetër, indirekt linin të kuptohej se Shqipëria sikurse dhe Kosova, duhej të rrinin urtë dhe t’i gëzoheshin statusin territorial të tyre sipas vendimeve te dikurshme të zuskës dhe zuzarëve të Evropës plakë, pra koloni e Serbisë. Sigurisht që dhe Amerika heshtte dhe pse brenda saj ka një komunitet të madh shqiptarësh atdhetarësh të vërtetë të cilët dolën në mbështetje jo vetëm të ideve për çlirim por dhe për luftën e armatosur si i vetmi faktor vendimtar që të çon deri në fitoren përfundimtare. Ide këto të drejta, ide këto të hedhura dhe dikur nga E. Hoxha, të cilat grisën petkun pacifist të disa udhëheqësve në Kosovë… “se vërtetë duhet të jemi të lirë, por ama të vet përmbahemi, t’i kundërvihemi shovinizmit të egër paqësisht…paqësisht, por ama ta ruajmë frymën revolucionare, teori kjo e cila në pamje duket sikur e kërkon lirinë, por rruga paqësore do të thotë të presim që lirinë të na e dhurojë vet dhunuesi, pra pushtuesi shovinist. Ç’farë vërejmë në këtë periudhë?

Duke analizuar fenomenin dua të them se kjo urrejtje e cila çoi në luftën e armatosur, është një akumulim i llavës së brendshme patriotike e atdhe dashurie të shqiptarëve të kësaj treve, llavë kjo që do shpërthente me siguri e që do të thotë se një popull, mund ta mbash të pushtuar për ca kohë, por kurrë pafundësisht. Nëse një popull i nënshtrohet përjetësisht sundimit, ai ose e humbet identitetin e tij, asimilohet, ç’ kombëtarizohet dhe gradualisht shuhet dhe brenda tokës së tij, ose nuk është gjë tjetër veçse një kufomë e vdekur. Populli ynë i Dardanisë shqiptare e kreu me nder e dinjitet misionin e vet historik nëpërmjet bijve të tij të lavdishëm të cilët krijuan bërthamat e para luftarake duke u përballur direkt ballë për ballë me pushtuesin. Këto embrione të para të UÇK-se vërtete fillimisht ishin të vogla në numër por gradualisht fryma luftarake përfshiu gjithë tokën dardane dhe ato erdhën e u zgjeruan.

Por ç’po ndodhte ndër kohë dhe çka po mendonin kancelaritë evropiane dhe vet Amerika?

Çuditërisht ata nga këshillues të mos fillimit të luftës kundër pushtuesve shekullorë dolën befasisht mbështetës të saj, madje mobilizuan dhe vet NATO- n për veprime luftarake kundër Serbisë shoviniste. Po pse si qe puna mos vallë Amerika dhe Evropa ndërruan mëndje se na duan aq shumë?

Jo aspak ! Ata as na kane dashur e as nuk na duan, por djallëzia e tyre qëndron te fakti se gjithë luftën për çlirim të popullit tonë shqiptar në Dardani dhe bijve të tij luftëtarë, kërkonin tashmë që t’ia atribuonin vetes së tyre dhe rezultatat e fitores t’i përkushtoheshin ndihmës së tyre, se gjoja ajo ndihmë na qënkish ”jetike”, se gjasme pa ndërhyrjen e NATO- s dhe USA- s mbase dhe sot Kosova nuk do të ishte e çliruar.

Madje për ta njollosur dhe deningruar këtë luftë shumë komandantë të tyre po i çojnë në Hagë si “terroristë” (Sa e përputhshme kjo me tezën e Dick Marty-it )Të ishte e vërtetë kjo? Jo kjo nuk është aspak e vërtetë dhe është teze reaksionare e cila ose përqafohet nga njerëzit e paditur, ose nga ata që janë të ditur por frikacakët, të cilët sa dëgjojnë një plasje arme , me brekë të mbushura plot vrapojnë ku të futin kokën. Në fakt NATO dhe Amerika ndërhynë vërtetë, por ndërhynë atëhere kur e panë se në rrugën e nisur ishim të vendosur dhe qe kurrë nuk do ktheheshim mbas . Ata duke e parë situatën që nuk kishin se si ta ndalonin( me gjithë përpjekjet që bënë) menduan tashmë të merrnin në duart e tyre “flamurin e shpëtimtarit” dhe nga “këshillues për paqen në Ballkan” u bënë përkrahësit më aktiv të luftës.. Shtrohet pyetja : Nëse nuk do të kishte ndërhyrë NATO dhe Amerika, a do triumfonte me fitore lufta e UÇK-së? Në mënyrë absolute që do të fitonim dhe triumfonim mbi armikun. Kuptohet do kishim më shumë viktima, më shumë dëshmorë, më shumë djegie, shkatërrime e përdhunime, por dhe këtyre egërsi të armikut i përgjigjet një hov po aq i madh dhe nje llavë vullkani aq e zjarrte e luftarake sa që do digjte e përvëlonte çdo agresor. Amerika dhe Evropa ndihmuan dhe kjo nuk duhet të mohohet . Ata vetëm përshpejtuan në kohë fitoren. A nuk ndodhi i njëjti fenomen dhe me hapjen e “frontit te dytë” nga Anglo-amerikanët në qershor të 1944, që përshpejtoi fitoren e Ushtrisë së Kuqe të Stalinit e cila e mbajti frymën në Berlin? Po nëse Anglo-amerikanet nuk e hapnin frontin e dyte mos vallë Ushtria e kuqe nuk do kishte hyrë në Berlin?

Sigurisht, që ushtria e kuqe do ta ngrinte flamurin e fitores në Raishtang të Gjermanisë, mbase jo në 9 Maj 1945…ndofta pak më vonë. U kujtoj të paditurve dhe frikacakëve se një popull i cili është i pushtuar dhe ngrihet për liri nuk ka forcë në botë, që ta ndale nëse ai lufton deri në ushtarin e fundit.

Pyes te paditurit dhe frikacakët: Si mundi që Skënderbeu fitoi kundër ushtrive turke duke qenë shumë herë më pak në raporte ushtarake por dhe ne tekniken luftarake me turqit osmanli?

Si mundi që populli shqiptar dhe bijtë e tij partizane fituan në luftë kundër hordhive nazi-fashiste disa herë më shumë në numër dhe në pajisjet e tyre tekniko- luftarake ? A nuk ishin ata të parët tanë një shembull i madh frymëzimi dhe ne të jemi krenarë për jeten dhe veprën e tyre? Historia nuk është e s’duhet të jetë kurrë një luks diturish por mbi të gjitha nje mjet i fuqishëm edukimi me vlera atdhetare sidomos për brezin e sotëm, për të ditur mësuar e kurrë për të mos i harruar se ç’është dhe sa vlerë ka për një popull e një komb, trimëria dhe çfarë dëme sjell tradhtia. Është për tu ardhur keq që asnjë pushtetar nuk foli për heroizmin e Skënderbeut dhe rrugën e lavdishme të popullit shqiptar në shekuj për liri- pavarësi dhe identitet kombetar….. por u ndalën te “vëllai Erdogan”. Mirë bënë se shqiptari mikun e pret si mik, por ndodh që një ditë ai dhe mund të harrohet, mirëpo heronjtë e dëshmoret tanë janë të përjetshëm dhe përherë duhet të kujtohen.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …