Radio Kosova e Lirë është dhe mbetet e përkushtuar gjithmonë për të realizuar misionin atdhetar që nga themelimi i saj në kohën e UÇK – së heroike, në flakët e luftës për çlirim, liri e bashkim kombëtar.
Ajo që atëherë e në vazhdimësi ka pasur hapësirë të veçantë, për të gjithë njerëzit, që kanë vepruar e veprojnë me përkushtim e dashuri për atdheun e në fushat e ndryshme të arsimit, të kulturës, të shkencës e dijes përgjithësisht, duke i publikuar arritjet e realizimet e planeve në këto fusha e veprimtari, të cilat kanë për qëllim funksionimin e mbarëvajtjen e përgjithshme të shoqërisë shqiptare, qoftë në trojet shqiptare, qoftë në mërgatën shqiptare, e cila ka qenë dhe është një ndihmesë e madhe e të gjitha hapësirave shqiptare.
Në programin e “Radios Kosova e Lirë” e Televizionit “Dielli”, janë përgatitur emisione dhe janë realizuar programe edhe për mërgatën tonë.
Në portalin e RKL – së, botohen shkrime informative, lajme, komente, analiza, vështrime, përkujtime për dëshmorët e heronjtë shqiptarë të të gjitha kohërave, për luftën heroike e madhështore të UÇK – së, për veprimtaritë e shumta në të gjitha trevat shqiptare, por një vend të veçantë kanë edhe arbëreshët e të gjithë të mërguarit shqiptarë që kanë dhënë e japin ndihmesë me përkushtim për gjallërimin e mbarëvajtjen e frymës atdhetare dhe jetësimin e idealeve shqiptare.
Në këtë vijimësi të atdhetarisë e përkushtimeve shqiptare është edhe veprimtaria e atdhetarëve të denjë e profesorëve, siç është edhe profesor dr. Vaxhid Sejdiu e shumë të tjerë. Ai me punën e veprimtarinë e tij prej një mësimdhënësi, koordinatori e veprimtari të arsimit shqip, ka shfaqur gjithë përkushtimin e tij në misionin kombëtar për përhapjen e çeljen e sa më shumë shkollave shqiptare kudo në Zvicër. Ai kudo është gjendur i gatshëm të flasë, të veprojë, të kalojë qindra kilometra në Zvicër, nga skaji në skaj, nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, për të hapur sa më shumë shkolla shqipe, për t’u vënë në kontakt me kolegë, me administratorë vendorë e institucione arsimore kulturore të kantoneve e qyteteve dhe vendbanimeve zvicerane, por edhe me ambasadat e me institucionet shqiptare dhe në këtë drejtim ka arritur rezultate të mëdha, kuptohet në bashkëpunim e në bashkëveprim me kolegë, administratorë, veprimtarë shqiptarë e diplomatë shqiptarë, por duke gjetur edhe mirëkuptimin në institucionet e Zvicrës. Megjithëkëtë, si parësore ka shkëlqyer puna e veprimtaria e profesor Vaxhidit. Si rezultat i kësaj veprimtarie të gjithanshme kemi edhe hapjen e dhjetëra e dhjetëra shkollave shqipe në katundet, në qytetet zvicerane, pra gati në të gjitha kantonet e Zvicrës.
Kjo veprimtari është përhapur e përshkruar denjësisht edhe nga Radio Kosova e Lirë, në portalin e saj e në valët e saj. Radio Kosova e Lirë dhe profesor Ahmet Qeriqi, drejtor i kësaj radioje, kanë shfaqur me përkushtim mirënjohjen e thellë për këtë veprimtari sa arsimore e kulturore, aq edhe atdhetare që ka bërë në radhë të parë dr. Vaxhid Sejdiu, por edhe mësimdhënës të tjerë shqiptarë në Zvicër, në Gjermani e në vende të tjera ku kanë mërguar shqiptarët.
E falënderojmë nga zemra “Radion Kosova Lirë” dhe profesorin, Ahmet Qeriqi për mirënjohjet e shpërndara edhe për punën e veprimtarinë e gjithanshme informative dhe përkushtimin e tërësishëm atdhetar, për gjithë publikimet e krijimet e botuara letrare, historike, shkencore e kulturore dhe respektin e përkujdesjen ndaj mërgatës e veprimtarisë së saj, siç është edhe veprimtaria e vatrës sonë shkollore “Shkolla Shqipe” në Zvicër, veprimtari kjo e cila ka gjetur hapësirë dhe respekt të madh te “Radio Kosova e Lirë”!