Ramadan Zaskoci

Personalitete meritore shqiptare me mungesë të shprehur të hulumtimeve, studimeve e argumenteve historike II

Si përshkruhet jeta dhe vepra e Ramadan Zaskocit, nga disa shkrues e studiues?

Një personazh me rëndësi i kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, biografia e të cilit jo vetëm që nuk del të jetë e ndriçuar dhe e dokumentuar sa duhet,  por edhe e deformuar  rëndë,  është edhe ajo e Ramadan Zaskocit të Lumës.

Edhe pse thuhet se ai e kishte vrarë telegrafistin e Mehmed Ali Pashë Maxharrit më 25  të vitit 1878, në “Historinë e Popullit Shqiptar, II, Tiranë 2002, faqe 169”, nuk flitet për emrin e caktuar të vrasësit të telegrafistit. Emri e mbiemri i tij nuk janë evidentuar në indeksin e emrave në fund të tekstit të historisë. Në studime e publikime del që vrasësi të ketë qenë, Ramadan Zaskoci i Lumës, i lindur në vitin 1860 në Mamëz të Lumës. Hasim edhe tekste ku shkruhet se ai në moshën 16 vjeçare ka marrë pjesë në sulme kundër ushtarëve turq, në Lumë!, ndërsa në moshën 18 vjeçare kishte vrarë telegrafistin turk, në Prizren.

Në portalin  “Enciklopedia Shqiptare”, Ramadan Zaskoci del të ketë jetuar rreth viteve 1880-1914. Pastaj shkruan se ai ishte figurë e dalluar e lëvizjes për çlirimin kombëtar. Mori pjesë aktive në aksionin kundër Mehmet Ali pashë Maxharit, duke vrarë telegrafistin e tij në Prizren, dhe në luftimet e Gjakovës (1878). Në nëntor 1879 dhe janar 1880 qe një nga udhëheqësit e forcave të Lidhjes në luftimet për mbrojtjen e tokave shqiptare nga shovinistët malazezë. Mori pjesë në qëndresën kundër ushtrisë osmane në Shtimlje, Slivovë, Prizren (1881) dhe në organizimin e kryengritjes antiosmane në Lumë në vitet 1910 dhe 1912. Më 1912-1913 luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve serbë, të cilët e vranë.   (ZASKOCI RAMADAN – Enciklopedia Shqiptare)

Në këtë “enciklopedi” e cila ngatërron datën e lindjes, shkruan se ai në moshën 18-19 vjeçare ishte njëri ndër udhëheqësit më të dalluar të kohës, që është vështirë të besohet, sepse në tekstet e historisë nuk gjejmë askund një konstatim të tillë.

Në Forumi Virtual com. thuhet se Me 27 Gusht 1878, tue zbatue vendimet e Komitetit të Lidhjes së Prizrenit, vrau telegrafistin e Mehmet Ali Pashë Maxharit, ekspert i naltë me origjinë franko-prusiane në shërbim të PO-së, që kishte ardhë i ngarkuem për tu ba trysni shqiptarve të mos i kundërshtonin vendimet e Kongresit te Berlinit. (Forumi Virtual com)

Në një shkrim të Eugjen Shehut në gazetadielli.com shkruan  se Ramadan Zaskoci lindi në burgun e Prishtinës. Mbas vrasjes së babait, ai do të detyrohet të punojë si yzmeqar pa i mbushur ende të dhjetë vitet. Kur ishte 15 vjeç, Ramadani u detyrua të lërë fshatin dhe të shkojë për bukën e gojës në Prizëren. Aty djali Lumjan nuk përton të punojë edhe kamarier në një kafe ngase duhej të jetonte vetë por edhe të mbante familjen. Në kafe hynin e dilnin plot njerëz e midis tyre edhe patriotë. Veçmas me birin trim të Lumës, do të bisedonin Ymer Prizëreni dhe Shuaip Spahiu. Pasi u bindën në trimërinë dhe ndershmërinë e tij, ata nisën të flasin hapur me Ramadanin i cili anipse i rritur mes hallesh, kishte një trup të drejtë si lastar,muskuj të fuqishëm dhe sy zhbirues. Ndër organizatorët e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,Ramadan Zaskoci do të jepte mendimet e tij jo vetëm të guximshëm por edhe të pjekura, sa u përket vendimeve luftarake. (Eugjen Shehu) Gazetadielli.com.)

Konstatimi si Ramadan Zeskoci ku punonte  hyzmeçar në një Han të Prizrenit njihej nga Ymer Prizreni dhe Shuaib Spahiu, të dy burra në moshë dhe me shumë ndikim, duhet krejt i paqëndrueshëm, meqë nuk është dhënë as edhe një referencë, fakt apo dokumenti i shkruar qoftë edhe i folur, apo i përfolur. Në mungesë të çdo burimi autori arrin në përfundimin se një i ri që kishte shkuar në Prizren të punonte për bukën e gojës, ku nuk e njihte askush, për një vit ishte bërë personalitet i Lidhjes Shqiptare. Ky tekst nuk bazohet në asnjë referencë  apo burim historik.

Në këto luftime u përfshinë edhe Luma, veçanërisht Kalaja e Dodës, Topojani, Gora dhe Opoja, të ndihmuar edhe nga Rrafsha e Lumës, Tërthorja dhe Përdrinja e Hasi me Malësi  të Gjakovës. Atyre u prinin trimat e njohur: Qazim Lika, Ahmet Iljazi, Nail Dani, Ramadan Zaskoci, Miftar Sul Kurpali e Bajram Daklani, gjithnjë sipas drejtimit nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, me Bajram Currin.  100-vjet më parë:  Isa Halilaj: TOPOJANI, “BALLI I PËRGJAKUR I LUMËS”, NË LUFTË DHE QËNDRESË, KUNDËR MASAKRAVE SERBE.

 

i ishte një djalë që lindi në qeli, sepse babai dhe nëna e tij ishin të burgosur pas pjesëmarrjes në disa kryengritje antiosmane të kohës. Kështu nisi jeta e lumjanit Ramadan Zaskocit (1860 -1914), që vazhdoi e tejmbushur me beteja të mëdha për çështjen kombëtare. Ishte nga Mamzi, ka marrë pjesë në lëvizjen kundër Mehmet Ali pashë Maxharrit në Prizren e Gjakovë (1878), në mbrojtjen e tokave shqiptare nga malazezët (1879) dhe në luftimet kundër ushtrive osmane (1881). Ai ishte në krye të malësorëve lumjanë, në luftimet kundër forcave osmane që hynë në Lumë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të XX (1903 -1904, 1909, 1910) dhe atyre të Serbisë në nëntor 1912. Qe ndër udhëheqësit e kryengritjes së shtatorit 1913 kundër pushtuesve serbë. Zaskocit familjen ia masakruan, shtëpinë ia dogjën disa herë si hakmarrje për humbjet që u shkaktoi osmanëve e më pas serbëve. Tentuan ta joshnin me para e pushtet, por e ndalën veç me tradhti. Ai vritet nga shqiptarët e paguar nga serbët. Para se ti pushonte zemra, thuhet se shokëve ua la këtë “amanet”: “Dëgjoni burra! Unë nuk kam me fuqi. Plagët më kanë rëndu shumë dhe po ma shkurtojnë jetën. Ju duhet ta vazhdoni deri në fund luftën që kemi nisur kundër pushtuesve serbë. Spastroni nga radhët tona agjentët dhe tradhtarët që janë shitur për para dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me serbët”! Marin Mema. (Top Channel)

Serbët sulmuan në të njëjtën kohë me Dibrën edhe krahinën e Lumës. Për tre ditë e tre netë me rradhë, lumjanë e dibranë, nga Reçi, Dardha, Çidhna, Sllova e Lura nën drejtimin e Elez Isufit e të Isuf Xhelilit dhe lumjanët e drejtuar nga Islam Spahia, Ramadan Zaskoci e Ramadan Çejku, nga 15 nëntori, deri 18 nëntor 1912, me trupat e tyre, u bënë barikadë nga qafa e Kolesjanit deri në portat e Prizrenit ndaj një regjimenti e dy batalioneve serbe, në 35 km gjatësi luftimi.

Sakip Cami  Beteja e Kolesjanit  Port. Kallabak com

Në përgjigje të kësaj situate, në krye të forcave dalzotëse të kombit, në mbarë trevat shqiptare u vu. Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, ku bënin pjesë Hasan Prishtina, Mehmet Pashë Deralla, Bajram Curri, Sali Gjuka, Isa Buletini, Nexhip Draga, Ramadan Zaskoci etj., kryesisht ushtarakë shqiptarë, së bashku me Organizatën Shoqëria e Zezë për shpëtim, të vendosur për mbrojtjen me çdo kusht të tokave shqiptare nga rreziku i pushtimit serb.  (Beqir Shehu)

Shkrimi mjaft përmbledhës i Dr. Vangjel Kasapi: Islam Spahia – Strateg popullor, botuar në Gazetën Telegraf,  5 tetor 2015 nuk sjellë asnjë referencë apo burim historik.

Të gjitha këto dhe shumë shkrime të tjera për Ramadan Zaskocin janë kryesisht interpretime të lira, pa marrë as edhe mundin më të vogël për të paraqitur burime të shkruara apo edhe të rrëfyera nga një person i caktuar, që ka emër e mbiemër, ku tregohet vendi data dhe vitit i rrëfimit e në radhë të parë autori i saj. Ky është shërbimi më i keq që i bëhet një atdhetari, në këtë rast Ramadan Zaskocit. Mungesa e burimet të shkruara çon deri atje sa disa autor Ramadan Zaskocin e nxjerrin me prejardhje nga fshati Zaskok i Ferizajt, ku ai me familjen paska jatuar një kohë, pastaj sërish qenka kthyer në Lumë, se paska marrë pjesë në Betejën  e Koshares e Slivovës së prillit të vitit 1881  e hamendësime të tjera krejtësisht jashtë realitetit faktik, historik, të cilat nuk japin asnjë burim konkret qoftë edhe të dhënë gojore, duke evidentuar aurotin me emër e mbiemër.

Referenca e burime:

 

“Historinë e Popullit Shqiptar, II, Tiranë 2002, faqe 169”,

Dr. Vangjel Kasapi: Islam Spahia – Strateg popullor, botuar në Gazetën Telegraf, 5 tetor 2015.

Port. Kallabak com

Marin Mema. Top Channel

Isa Halilaj: TOPOJANI, “BALLI I PËRGJAKUR I LUMËS”, NË LUFTË DHE QËNDRESË, KUNDËR MASAKRAVE SERBE.

Eugjen Shehu: Gazetadielli.com.

Forumi Virtual com

ZASKOCI RAMADAN – Enciklopedia Shqiptare

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …