Përmes një shkrese të përcjellë te kryeministri dhe ministrat e linjës, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në emër të komunitetit të bizneseve që përfaqëson edhe një herë kërkoi nga Qeveria e Kosovës largimin e orës policore dhe kushtëzimin e vendosur për hyrje në Kosovë, me tre vaksina përmes Vendimit Nr. 01/55.
Sipas OAK-së obligimi për vaksinim me tri doza të vaksinës po ndikon që edhe më shumë të kufizohet lëvizja e qytetarëve si dhe qarkullimi i bizneseve.
Ndërsa, bazuar në pikën 14 të Vendimit Nr. 01/55 thuhet që “Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00”, përmes këtij vendimi vazhdon të kufizohet ushtrimi i veprimtarisë për sektore të veçanta.
Gjithashtu, OAK kërkon që me urgjencë të përkrahen punëtorët dhe bizneset që u mbyllën apo u është kufizuar shfrytëzimi i hapësirës në 30%, 50% apo 70%., pasi që si rezultat i këtij kufizimi janë dëmtuar qindra biznese dhe kanë mbetur pa punë mijëra punëtor.
Oda e Afarizmit të Kosovës vazhdimisht bënë thirrje tek komuniteti i biznesit që të respektohen masat e vendosura nga Institucionet e Republikës së Kosovës, mirëpo gjithashtu po kërkon nga Qeveria e Kosovës që çdo vendim për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë apo përgjysmim i tij të përcjellet me përkrahje financiare.
Çdo qytetari të Republikës së Kosovës, përmes Kushtetutës së vendit, i sigurohet e drejta e ushtrimit të punës.
Duke marrë parasysh që aktualisht jemi në një situatë të jashtëzakonshme, më e pakta që mund të bëjë shteti për qytetarin që nuk e lejon të punoj është t’i ofroj përkrahje financiare.
(Zyra për Informim)