U përkujtua 32 vjetori i rënies së dëshmorëve Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në 32 vjetorin e rënies, janë përkujtuar dëshmorët e kombit Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu, të cilët ranë më 30 dhjetor të vitit 1990, në qendër të Malishevës, gjatë protestave të atij viti, kundër regjimit. Në këtë përkujtim, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, këtë ngjarje e ka vlerësuar si një ngjarje e kthesave të mëdha historike, pasi për herë të parë në vendin tonë, në mënyrë institucionale u reagua ndaj dhunës, vrasjeve dhe gjenocidit që ushtrohej ndaj shqiptarëve. “Kjo është datë e rëndësishme për komunën e Malishevës dhe më gjerë, pasi 32 vite më parë, gjatë protestave ranë dëshmorë, Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu. Nga rënia e tyre, Malisheva e ka bartur flakadanin e aktivizimit patriotik, si në institucione, ashtu edhe jashtë tyre”, tha kryetari Kastrati. “Kjo ngjarje ka shënuar edhe rezistencën e fortë institucionale, pasi Komuna e Malishevës, si institucion dhe deputetët tanë në Kuvendin e  Kosovës, bën rezistencë të fortë, lidhur me këtë vrasje dhe vrasjet tjera”, tha Kastrati, duke i përmendur me emra protagonistët e asaj kohe, Daut Krasniqi, kryetar i Komunës, pastaj deputetët Xhemajli Bajra, Halit Kryeziu, Selim Krasniqi dhe të tjerët, që me forcë kundërshtuan dhe reaguan ndaj situatës. “Ne që merremi me shtetndërtim, duhet ta kemi parasysh sakrificën dhe kontributin e dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që luftuan për lirinë që ne sot e gëzojmë”, tha në fund kryetari Kastrati.

Në 32 vjetorin e rënies së dëshmorëve, Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku, janë bërë nderime dhe homazhe në vendin e rënies, në “Sheshin e Dëshmorëve” në Malishevë dhe më pas në varrezat në Malishevë dhe Bubavec.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …