TË KUPTOSH NATYRËN E NJERIUT
HYRJA
„Fati i njeriut, përfshihet në shpirtin e tij.“
Herodoti
„Kuptimi i natyrës së njeriut është i domosdoshëm për secilin dhe studimi i kësaj shkence është fushë më e rëndësishme e veprimtarisë së mendjes njerëzore.“
Alfred Adler
Është kënaqësi ta lexosh veprën e Adlerit, por ta kuptosh është fat!
Në jetën tonë, fati ynë varet nga njohja e natyrës së njeriut, sjelljet, gjendja shëndetësore dhe ajo shoqërore. Baza e shkencës së psikologjisë qëndron në njohjen e njeriut, marrëdhëniet dhe qëllimin, shkruan A. Adler. „Shpirti njerëzor është i pakuptimtë pa qëllim, drejt arritjes së të cilit janë të drejtuara të gjitha përpjekjet tona.“ f. 19
Libri i Alfred Adlerit „Të kuptosh natyrën e njeriut“, përkthyer në gjuhën shqipe, i ka 260 faqe. Ka parathënien, hyrjen dhe përfundimin. Përkthimin e ka bërë Fatmir Dibra, redaktor është Rexhep Hida, shtëpia botuese „FAN NOLI“, TIRANË, 2010. Përkthimi është i mirë, me përjashtim të disa gabimeve teknike, të cilat nuk e dëmtojnë rëndë, librin. Kryesisht, në këtë libër, autori merret me psikologjinë e njeriut, që nga lindja e deri në moshë të thyer: të menduarit, të vepruarit, sjelljet, mënyrën e komunikimit, organizimin e jetës, raportet me njerëzit e shoqërinë dhe shfaqjen e tipareve të karakterit, në përgjithësi. Natyrisht, që gjatë kësaj analize, autori i librit studion dhe shpjegon, për pasojat; suksesin dhe dështimin e individit, në raport me sjelljen e tij.
Derisa Napoleon Hill, në librin e tij „Mposhtja e djallit“, shkruan se për edukatën e njeriut mbajnë përgjegjësi këto tri institucione: familja, shkolla dhe religjioni, Alfred Adler, shkruan se përgjegjëse janë; familja, shkolla dhe shoqëria.
Përbërja e librit është në dy pjesë: në pjesën e parë trajtohet Baza e zhvillimit të karakterit, kurse në pjesën e dytë Shkenca për karakterin.
Mendoj që secili arsimtar e prind, duhet ta lexojë librin e A. Adlerit „Ta kuptosh natyrën e njeriut“, në mënyrë që sadopak të njihemi me zhvillimin dhe ndikimin e karakterit të njeriut.
PJESA E PARË
BAZAT E ZHVILLIMIT TË KARAKTERIT
- Ç’ËSHTË PSIKIKA?
Nocioni vetëdijesues, Funksioni i psikikës dhe Qëllimi ynë e ngulmi drejt synimit
Kuptimi dhe njohja e natyrës së njeriut, shqyrtohet dhe studiohet në këtë libër, nga psikologu i njohur austriak, Alfred Adler. Që nga nocioni i vetëdijes, funksioni psikikës dhe qëllimi ynë shkojnë drejt synimit. Ai analizon ekzistencën e mendimeve, të ndjenjave të individit, qëllimin, arsyen, vullnetin edhe përvojën e tij jetësore, drejt synimit. Me një fjalë, studion, kryesisht evoluimin e psikikës së individit në etapa, në kuadër të familjes, shkollës dhe shoqërisë.
Cila është veprimtaria e njeriut dhe cilat janë masat që duhet marrë, për arritjen e qëllimit? Këto janë pyetjet që duhet përgjigjur para lexuesit.
Në parimet themelore të analizës së karakterit të njeriut, në vepër, bazohet fenomeni fizik edhe psikik. Momentet kritike për fëmijën janë atëherë kur, ai nuk beson në aftësitë dhe mundësitë e veta, ka dilema dhe është skeptik, shkruan Adler. Për këto arsye, u bën bisht fëmija obligimeve, të cilat e presin atë.
Problem tjetër është edhe vendi i huaj se ku rriten ata fëmijë! Derisa në atdheun e tyre, prindërit edhe fëmijtë kanë konflikt gjeneratash! Ata prindër që jetojnë në mërgim, ballafaqohen me konflikt të dyfishtë: 1) konflikt gjeneratash edhe 2) konflikt kulturash! Në këtë moment, prindërit duhet të janë të kujdesshëm, të dinë të sillen dhe të komunikojnë me fëmijët e tyre.
Pikëpamjet dhe orientimi, luajnë rol me rëndësi për fëmijën dhe për këtë shkak, ne duhet të jemi në kontakt të përhershëm me te, në mënyrë që të ndikojmë pozitivisht në formimin e personalitetit të tij, gjë që ai të jetë sa më i aftë dhe më i sigurtë, që t’i zgjidhë problemet, të cilat dalin para tij.
„Në këto kushte, ai rritet si njeri i bindur se është në gjendje t’i kapërcejë vështirësitë e jetës. Në këtë rast ne shikojmë se te fëmija zhvillohet burrëria, çiltërsia, sinqeriteti, përgjegjësia, dashuria për punën e të tjera si këto. E kundërta e kësaj është zhvillimi i pesimizmit.“ F. 25
- VEPRIMTARIA PSIKIKE NË ASPEKTIN SOCIAL
E vërteta absolute, Domosdoshmëria e jetës shoqërore, Bindja e plotë dhe përshtatja, Ndjenja shoqërore, Fëmija dhe shoqëria, Fëmijëria, Ndikimi i pengesave dhe Individi si krijesë shoqërore
Marrëdhëniet njerëzore varen nga baza dhe raportet shoqërore të një shoqërie dhe ato duhet analizuar nga ky kënd, mendon autori. Rregullat e një shoqërie e përcaktojnë drejtimin dhe zhvillimin e mendësisë, te njeriu. As këta faktorë nuk i lë pa i përmendur autori: arsyen, gjykimin, ndjenjat e veprimet, që ndikojnë në zhvillimin dhe kushtet e jetës në shoqëri! Po ashtu, Adler shkruan lidhur me përshtatjen e individit në shoqëri, drejtësinë e ndershmërinë.
Çfarë është me rëndësi të madhe, Adleri nuk e lë pa e përmendur se, nga fëmijëria, varet sesa i shëndetshëm është, a ka të meta fizike apo mendore dhe si është trajtuar nga rrethi i tij familjar e shoqëror. Flet për detyrat, normat dhe format e tyre. Të gjitha këto, luajnë rol në shëndetin e zhvillimin e individit dhe formimin e karakterit të tij.
Fëmijëria dhe ndikimi i pengesave, luajnë rol në marrëdhëniet shoqërore dhe ndërtimin e personalitetit të tij. Po ashtu, rol me rëndësi luajnë: komunikimi i përditshëm me njerëzit, raporti me ta, qëndrimi etj. Nëse e ka fëmija një jetë të zymtë me shumë kontradikta dhe shtypje, vjen deri te çrregullimi serioz psikik dhe arrin deri te degjenerimi i tij shpirtëror, mendon autori.
„Detyrime të ndryshme që lidhen me jetën, sjellin me vetë domosdoshmërinë e ndarjes së punës, jo vetëm që nuk i izolon njerëzit nga njëri-tjetri, por edhe i fuqizon lidhjet mes tyre. Secili duhet ta ndihmojë të afërmin, secili të ndjejë lidhjen e vet me shokët. Kështu u vendos fillesa e marrëdhënieve mes individëve. Tani ne duhet të shikojmë më hollësisht ato marrëdhënie, në të cilat futet fëmija pas lindjes së tij.“ F. 32
Fëmija, i cili ka perceptim dhe arsyetim të papërsosur, ka përshtypje të zymtë në lidhje me obligimet, të cilat e presin përpara. Ai fëmijë, sipas Adlerit, shkon drejt degjenerimit mendor dhe jetësor. Secilën punë, që e marrin për ta kryer ata fëmijë apo të rritur, me dyshim apo mosbesim e bëjnë dhe fillojnë t’u shmangen. Gjatë raporteve të tyre, ata krijojnë humnera dhe mbajnë qëndrim armiqësor ndaj njerëzve, të cilat përfundimisht sjellin rezultate të pafavorshme dhe pasojnë pakënaqësitë për ta! Si pasojë, fëmija e humb ndjenjën sociale dhe rrethin shoqëror. Pas gjithë këtyre, vijnë vështirësitë në jetë, edhe mossuksesi. Që nga fëmijëria, njeriu i formon pikëpamjet e veta për jetën. Komunikimi me njerëzit, marrëdhëniet me ta dhe sjelljet e tyre ndikojnë tek ai, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm para fëmijëve në biseda dhe në sjellje, sepse ata shumë herë i emitojnë prindërit e tyre.
- (Këtu e ka harruar përkthyesi i librit një titull, ose e ka shkruar gabimisht, numrin e radhës; 4 – në vend se duhej shkruar; 3 (vër. e ime: I. B.)
- BOTA NË TË CILËN JETOJMË
Kozmosi ynë i brendshëm, Si e shikojmë botën, Perceptimi, Kujtesa dhe Përfytyrimi
I gjithë ky proces është pasojë e zhvillimit të individit, në kushtet jetësore ku ai jeton. Formimi i një karakteri të mirë apo të keq, me veçori pozitive apo negative, nuk varet nga trashëgimia, siç shkruajnë psikologët klasikë, por nga edukata, shkruan Adleri. Institucionet, të cilat ndikojnë në formimin e një personaliteti, sipas Adlerit janë: familja, shkolla dhe shoqëria. „Zhvillimi psikik ndodh vetëm atëherë kur individi ka një synim. Vënia e qëllimit, siç e dimë, presupozon aftësinë për të ndryshuar dhe një farë lirie lëvizjeje. Pasurimi shpirtëror i individit që ndodh në sajë të lëvizjes së lirë, nuk duhet nënvlerësuar.“ F. 41
Në pjesën më të madhe të shoqërisë njerëzore në botë, niveli i arsimimit nuk është në shkallë të duhur, të mos flasim për gjininë femërore. Nga të gjitha ato që i shohin, i dëgjojnë dhe i ndjejnë fëmijët, ndikohen ata! Tërheqja e vëmendjes i bën që të kenë interes dhe synim! Në bazë të praktikës që kemi, i gjurmojmë të gjitha këto, fillojmë t’i kuptojmë dhe t’i interpretojmë sjelljet e tij, veprimet dhe reagimet në raport me shoqërinë! Përgjithësisht, në këtë pjesë, autori analizon botën e perceptimit, kujtesës dhe të përfytyrimit! Gjë që nëse duam ta kemi një shoqëri të shëndoshë e të civilizuar, të mos i shtypim gratë, por t’i respektojmë e t’i përkrahim ato, të shkollohen, të kenë kompetenca, t’i dëgjojmë kur marrim vendime. Kur t‘i ka gruaja profesionin e pasionin, pse të mos udhëheq ajo?
- KUFIJTË E JOREALES
Fantazia, Ëndrrat; mendime të përgjithshme, Empatia dhe identifikimi e Ndikimi, sugjestioni dhe hipnoza
Të gjitha këto vijnë si pasojë e kushteve jetësore të një fëmije, se ku rritet dhe si edukohet, ai. Fëmijët, të cilët ishin të shtypur, i krijojnë ëndrrat e tyre dhe iu lindë synimi dhe interesi për pushtet e dominim. Ata kërkojnë njerëz të dobët dhe të dëgjueshëm, që t’i kenë rreth vetes dhe të udhëheqin me ta. Ata tipa karakteresh, i afrohen secilit dhe e nuhasin se cili është personi i duhur, a është i dëgjueshëm dhe a nënshtrohet? Nëse; jo, i largohen. Nëse; po, e mbajnë afër deri sa të kenë nevojë për prezencën e tij. Kur një individ është konkurrent dhe i vendosur, ata tipa karakteresh nuk i zgjedhin mjetet; kundër tij/asaj, trillojnë gjëra të paqena, i lansojnë te njerëzit me karakter të dobët dhe ato trillime i hedhin në dëm të kundërshtar-it/es, të/së tyre!
Sipas Alfred Adlerit, personat në fjalë, me kohë shkojnë duke u kuptuar e zbuluar nga rrethi i tyre shoqëror dhe se, gradualisht, do t’u ndërpriten marrëdhëniet. Në fund, tipat e tillë mbeten të vetizoluar, pa fajin e askujt, por për shkak të edukatës së mangët apo të keqe që e kanë trashëguar nga një rreth i ulët dhe tani nga sjelljet e veta. Këta tipa karakteresh, e injorojnë secilin person që e kanë pranë dhe secilin mendim që thuhet. Këta njerëz janë viktimë e mungesës së bindjes, kompleksit të inferioritetit, shpirtvogëlsisë dhe mendjemadhësisë, që i dëmton në masë të madhe. Hipokrizia, sharlatanizmi dhe intriga, tërë jetën do t’i shoqërojë, ata.
E përmenda më lart se në pjesën më të madhe të botës, gratë janë në një shkallë më të ulët të zhvillimit shoqëror, në krahasim me burrat. Aty ka pabarazi, shtypje permanente të gruas dhe fëmijëve, që si pasojë, ata fëmijë, pothuajse të gjithë vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Që në ditët e para, fëmija ballafaqohet me mungesë edukate, me kushte minimale, me neurozë, përtaci, agresivitet, me shtypje, urrejtje, me ndjenjën e inferioritetit, me ndjenjën e epërsisë, me mendjemadhësi, frikë, ankth, mungesë dashurie e jotolerancë, me dhunë familjare, me intriga e gënjeshtra, pasojat e të cilave do të jenë shumë të rënda.
Në këto shoqëri, gjinia mashkullore është e favorizuar, që nga familja e deri në instancat më të larta shtetërore! Si të lindë djalë në një familje, por edhe në Austri, në kohën e tij, sipas Adlerit, babai merret me të, ndërsa vajzat i anashkalon. Atë e quan Princ dhe i jep lëvdata e favore. Që nga ky moment, djalit i lindë dhe i zhvillohet ambicia për sundim, ndërsa vajza duke u ndier e fyer, bën intriga për shkak të inferioritetit që ka, në mënyrë që të bie edhe ajo në qendër të vëmendjes. Ajo pasivizohet, shpreh frikë dhe mosbesim në vete. Po ashtu, edhe në politikë, femra është e anashkaluar dhe e diskriminuar dhe, edhe në vendet më demokratike të botës.
Sa i përket shkollës, që është institucion arsimor-edukativ, cilat janë kushtet dhe mundësitë që arsimtari të arrijë për t’i edukuar ata nxënës në një frymë civilizuese, me respekt, tolerancë, dashuri, sinqeritet e disiplinë? A ka kohë edhe mundësi, mësuesi, që përveç zhvillimit të orës mësimore, të arrijë të merret edhe me edukatë, ndikim e ndryshim në personalitetin e atyre fëmijëve, pyet Adleri. Përgjigjja është se, shumë të vogla janë mundësitë që të ndikojë mësuesi dhe ta ndryshojë gjendjen e fëmijëve në këto kushte, të cilat i ka shkolla. Ndërsa rrethi shoqëror, ku rritet fëmija, po ashtu luan rol, për shkak të kushteve dhe mendësive që janë.
- KOMPLEKSI I INFERIORITETIT
Fëmijëria e hershme, Kompensimi: lufta për vetafirmim dhe epërsi dhe Grafiku i jetës dhe tabloja e gjithësisë
Kompleksi i inferioritetit edhe ai dominues, zhvillohen te të dyja gjinitë, në familjet me pak apo aspak edukatë. Aty fillon gënjeshtra, mashtrimi, intriga, përtacia, frika, shtypja e tjera. Në vend të përshtatjes së fëmijës me shoqërinë, atij i shuhen ndjenjat për përshtatje në mjedis. I zhvillohet ndjenja e armiqësisë me rrethin shoqëror, duke i fajësuar njerëzit dhe ambientin, ku jeton. Shumë herë, sipas Adlerit, fëmija që nga mosha dy vjeç, mendon se është i tepërt në këtë botë dhe se jeta që e pret përpara ka plot sfida, gjë që nga pakënaqësia që ka, fillon të bëhet depresiv, që në moshën e adoleshencës dhe në vazhdimësi shkon duke e rënduar gjendjen e tij shpirtërore e psikologjike. Pra, ai fëmijë, e parasheh jetën plot rreziqe dhe nuk sheh asgjë të mirë në jetë. Çka ndodhë me atë fëmijë? Si pasojë e kësaj, ai ka emocione dhe përfytyrime. Nga gjithë këto përplasje, ai si kompensim bën luftë të pakompromis për vetafirmim dhe epërsi, që ky është synim në masë të tepruar dhe kalim në vetëvlerësim. Këta tipa karakteresh, janë tepër të zymtë dhe jokomunikues. Si pasojë, kanë vështirësi edhe në lidhje dashurie e martesore. Kur të martohen, si burri, ashtu edhe gruaja rrinë me shpresë se do të ndryshojë partneri, pa e harruar synimin për dominim, që të dyja palët e kanë. Pra, lakmia për epërsi ndaj të tjerëve, dominon në të dyja gjenitë, sepse si burri, ashtu edhe gruaja, i bartin pasojat e një shtypje të përhershme, neglizhim dhe nënçmim nga rrethi i tyre shoqëror! „Ata fëmijë fillojnë ta mohojnë lirinë e vullnetit dhe arsyen njerëzore.“ F. 74
Ne duhet të punojmë që të marrim hapa konkretë ndaj zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Të ndikojmë në qëndrimin e fëmijëve ndaj jetës, ndaj shoqërisë, pa dallim gjinie dhe ta formojmë një filozofi të jetës, në mënyrë që të fillojë ndryshimi. Të heqim përfytyrimin e gabuar ndaj jetës dhe shoqërisë! Të bëhen të disiplinuar ata dhe ta kenë durimin, për të mësuar e punuar! T’u bëjmë me dije atyre, se asgjë nuk arrihet brenda diteës. Të bëhemi bashkëpunues, t’i mësojmë që t’i ndihmojnë të tjerët pa e dëmtuar veten, të janë optimistë, të dashur dhe të buzëqeshur. Kjo është jeta; çdo gjë që japim, në tjetrën anë e marrim. T’u ikim paragjykimeve, të mos i kundërshtojmë të tjerët, ende pa e ditë se çka do të thonë, sepse fëmija; sheh, dëgjon dhe emiton! „Injoranti, të kundërshton, ende pa e kuptuar se çka do të thuash!“ Faik Konica. Të mos i favorizojmë në pozita njerëzit jokompetentë, joseriozë dhe të padisiplinuar, sepse pasojat vazhdojnë me gjenerata. Ta marrim shembull gjendjen politike e diplomatike në shumë vende të botës e, sidomos ato në tranzicion; si në parlament, në qeveri, në arsim, diplomaci, shëndetësi e drejtësi, kanë njerëz jokompetentë dhe të paaftë, të emëruar nga pushtetarët dhe miqtë e tyre. Pra, njerëzit me edukatë të mangët, e kanë të zhvilluar dinakërinë dhe intrigën; vjedhin, gënjejnë dhe mashtrojnë me mjeshtri, pa pikë ndërgjegje dhe ndikimi nga ata në shoqëri është i pashmangshëm.
- KARAKTERISTIKA PSIKOLOGJIKE
Përgatitja për jetën, Vëmendja dhe hutimi, Neglizhenca kriminale dhe harresa, E pavetëdijshmja, Ëndrrat dhe Intelekti
Të gjitha këto i përgjigjen psikologjisë së individit. Që në fëmijëri ballafaqohemi me legjenda, mite, saga e dogma tjera se dikur ishte parajsa, ndërsa tani jemi në këtë botë. Gjatë jetës, fëmija, zhvillohet fizikisht dhe psikikisht, ka përfytyrime rreth përvojës jetësore dhe si pasojë e gjithë këtyre fenomeneve, ai merr orientim dhe qëndrim të drejtë apo të gabuar, ndaj jetës. Krenaria është pasojë e pamjaftueshmërisë së respektit ndaj vetes.
Faktorët që ndikojnë në aftësinë tonë, janë sëmundjet dhe lodhja. Si pasojë e sëmundjes dhe lodhjes, mungon koncentrimi dhe personi ka vëmendje të dobësuar. Për shkak të shëndetit të dobët vjen vullneti i ulët dhe fëmija i ndryshon sjelljet, fillon ta humbasë bashkëpunimin dhe kontaktin me rrethin. Në rast ftese për bashkëpunim, ai kundërshton, paraqet kokëfortësi dhe arsye të pabaza para kërkesave.
Këtu duhet pasur vëmendje dhe kujdes në mënyrë që të ndërmerret diçka, në lidhje me fëmijën. Atij duhet t’i zgjojmë interes, sepse interesi është shumë më tepër sesa vëmendja. Ta motivojmë atë dhe të fillojë t’i parapëlqejë, që të dalë nga kjo situatë. Kurse neglizhenca kriminale dhe harresa, janë rezultat i mungesës së kujdesit të njerëzve, për të tjerët. Ata mendojnë vetëm për vete dhe s’kanë ndjenja solidarizimi e, ndihmë për tjerët: „Njerëzit mund t’i ndash në dy tipa: në ata që kanë njohuri për mungesën e tyre të vetëdijes më shumë se mesatarja, dhe në ata që e njohin më pak veten.“ F. 91
Pavetëdijeshmëria është pasojë e të menduarit të cektë të individit. Njerëzit mendjemëdhenj, shumë herë nuk e kuptojnë se po shfaqin mendjemadhësi. Edhe pse shumica e personave të tillë, e dinë, por nuk është e thënë që ta kujtojmë gjithherë se po tregojnë mendjemadhësi. Ka njerëz që “kanë zakone të pakëndshme – të themi të hanë thonjtë ose të fusin gishtin e të gërmojnë në hundë, – nuk e dinë se me këtë ata e zbulojnë karakterin e tyre kokëfortë, meqenëse ata nuk e kuptojnë se nga iu shfaqën atyre këto zakone.“ F. 93
Mendimet dhe sjelljet e pakuptimta të individit, bëjnë që ta justifikojnë orientimin e tij dhe e pengojnë rrethin shoqëror. Me njerëzit shëndetligë dhe të gjymtuar, të shkurtë, tepër të gjatë, të trashë apo të shëmtuar, bëjnë sjellje të padëshirueshme edhe tallen me ta, gjë që nuk është e ndershme as njerëzore! Pas gjithë këtyre reagimeve të palakmueshme, këta që kanë të meta, fillojnë të largohen nga rrethi shoqëror dhe izolohen, si protestë shpirtërore ndaj shoqërisë.
Ja në shembull që jep autori në libër: „Pasi i mbushi 17 vjeç, me të ndodhi një ndryshim i madh. Pushoi së marri nga jeta ndonjë kënaqësi, u bë i zymtë dhe i përhumbur, mendohej me të gjitha forcat të largohej nga bota. Nuk arrinte të njihej me dikë. Kur, pas një farë kohe, prishej me të. Askush nuk e kuptonte sjelljen e tij. Babai i djaloshit, ndërkohë, shpresonte se jeta e mbyllur do t’i jepte atij më shumë kohë që t’i kushtohej mësimeve. Gjatë kurimit, ky djalosh ankohej tërë kohës se babai ia kish privuar atij të gjitha gëzimet e jetës, se ai nuk ishte në gjendje të fitonte siguri të mjaftueshme në vete si dhe burrëri për të vazhduar të jetonte, se atij nuk i mbetej më asgjë tjetër, por ta kalonte jetën që i kish mbetur në vetmi të zymtë. Në atë kohë ai filloi të mësonte keq edhe nuk përparonte në kolegj. Djaloshi shpjegoi se ndryshimet në jetën e tij kishin nisur që në një mbrëmje të organizuar, ku injoranca e tij në fushën e letërsisë bashkëkohore, e bënë atë objekt talljesh nga ana e shokëve të tij. Kjo dhe disa ngjarje të kësaj natyre e detyruan atë të vetizolohej dhe t’i shmangej shoqërisë. Atij i ish ngulitur në kokë ideja fikse sikur fajtor për fatkeqësitë e tij ishte i ati dhe për këtë shkak marrëdhëniet e tyre përkeqësoheshin jo me ditë, por me orë.“ F. 97/98
- FILLESA MASHKULLORE DHE FEMËRORE
Burrat, gratë dhe ndarja e punës, Mbizotërimi i burrave, I ashtuquajturi inferioritet i femrave, Refuzimi i rolit femëror, Konflikti mes gjinive dhe Ç’mund të bëjmë ne?
Vëmendje të madhe i kushton autori ndarjes së punëve, pozita dhe roli në mes tyre, që nga ndjenja dhe të menduarit e të dyja gjinive, deri te organizimi i punës dhe veprimtaria. Që nga fëmijëria, sipas Adlerit, në pjesën më të madhe të botës gjinia femërore diskriminohet, duke e lënë anash dhe duke mos i dhënë detyra, për shkak se femra trajtohet si gjini më e dobët, përballë mashkullit! Që në fillim, diskriminimi është i gabueshëm, për shkak se ne jemi fajtorë, që e përgatisim gjininë femërore të jetë e shtypur. Përveçse, aty gruaja ndihet e diskriminuar, ajo fillon të vuajë nga kompleksi i inferioritetit, dhe është e shtyrë që të bëjë intriga dhe në raste kur ka mundësi të kryejë punë, ajo tërhiqet me pretekst se është e paaftë dhe e pafuqishme! Dëmi tjetër është se ajo, duke qenë e shtypur, me dashje apo pa, i edukon fëmijët me mangësi. Ata fëmijë kur të rriten, gjatë gjithë jetës përpiqen dhe arrijnë t’i skllavërojnë të tjere. Ndërsa burrat mbizotërojnë dhe, jo vetëm atëherë kur janë më të aftë se gratë, por edhe kur nuk janë të aftë për udhëheqje, ata udhëheqin, ose më mirë të themi, sundojnë me forcë e pa sukses. „Nëna e arsimuar, rritë fëmijë të edukuar!“ (Sami Frashëri)
Që të kemi fëmijë të edukuar dhe shoqëri të shëndoshë, duhet të mos i shtypim gratë, por t’i përkrahim ato që të shkollohen, të aftësohen dhe të udhëheqin, sepse shumë më të kujdesshme, më të disiplinuara dhe më korrekte se burrat janë.
- KOLERACIONI I FAMILJES
Rëndësi të madhe ka shoqëria, në të cilën është rritur fëmija dhe cila është mendësia. Mbizotërimi i burrave dhe nënshtrimi i grave sjell pakënaqësi dhe konflikt. Mbas gjithë këtyre analizave, autori kërkon zgjidhje dhe barazi gjinore dhe jep këshilla e sugjerime.
„O gabimtar, kujdes që të mos gabosh, sepse pasojat janë shumë herë më të mëdha, në raport me gabimin!“ Fjalë e urtë