Albert Z. Zholi

Albert Z. Zholi: Dashuri pa kushte

Ku je….? Ku jam…!? Era bredhërin ftohshëm në qenien time. Qielli më duket gri çdo ditë dhe pse është pranverë….! Nuk më bën përshtypje askush në rrugë, kafene, punë, shtëpi. Çdo gjë më duket bosh, pa formë, po ngjyrë, pa nxitje…Ç’më ndodh pa ty, ç’më ndodh pa zërin

tënd…?! Vetmia varet nëpër mure si cerga merimangash dhe trishtimi më kaplon. Akrepat e orës tringëllijnë një melodi pa sens që më gërryen qetësinë e neveritshme që ka pllakosur

këtë dhomë… Dua që ora të ndalet dhe të rrijë në një pikë të vdekur. S’ka Hënë, as diell, por vetëm gri…Kështu është dita pa ty..Në tokë dergjen akoma çarçafët e rrudhosur, si viktima

të mëkatit që vetëm më përplasin në fytyrë momente të shthurura epshi që tani duken si një ëndërr e largët….Pasqyra më ngërdheshet me një të vërtetë që as vetes s’guxoj t’ia

them. …shuaj dritën, dhe shpalos shpirtin në errësirë. Disa psherëtima malli grishin natën. Këmbët më shkelin nëpër fjalë të thëna e të pathëna hedhur si batanije nate nëpër dysheme. Kudo ti, kudo prania jote. Kam gjurmët e tua mbi lëkurë, dhe shijen tënde në gojë….ëndrra iku, në qiell fluturoi…Ti je aty me lëkurën e mermertë që rrëshqet nëpër gishtat e mi. Trupi yt si pikturat e Mesjetës vërtitet në shtrat. Ofshamat, dridhjet, zëri yt si një cicërimë, turpi dhe guximi yt. Bashkë kemi prekur qiellin me dhjetëra herë dhe kam parë sytë e tu të tejzgripit. Ai vështrimi i dëlirë si një engjëll që fluturon qiejve të kënaqësisë më është ngulitur në kujtesë. Arrati në kënaqësitë më të mëdha njerëzore. Je me të vërtet e bukur. Bashkë prekëm majat e kënaqësisë trupore. Bashkë

ndamë të përditshmen dhe thurëm ëndrra. Bashkë jetuam atë që quhet jetë dashurore. Dhe ishe dhe det dhe lumë që rrjedh dhe mal me brigje të thepisura. Ishe natyrë, ishe shpirti im. Kishe sqimë femërore dhe një delikatesë që të çmendte.

Fragmentet e pasthirrmave i shkërmoq nëpër gishta dhe kujtimet i përtyp nëpër dhëmbë… Sa rëndë më bien në stomak, pështjellim ndjenjash. Nëse vjell tani me

siguri do jenë dënesje, pëshpërima, lutje, prekje, pushtim, kafshime, sfilitje, puthje, vështrime…..do të jetë një natë e tërë përpëlitjesh nën krahët e tu. “Po përpiqem të shtrëngoj qenien tënde brenda meje, por ti, shqelmon të dalësh jashtë.

Pse vallë?! Dyshimi qëndron pezull mbi hijen tënde, ndjej vetëm dëshirën që rrjedh mbi mua si shi meteorësh. Shoh hijen tënde që s’do të përvidhet heshtur nga shtrati. Lëkura

ime dhemb nga shtypja e gishtave të tu. Në shpirt më ke gdhendur prekjen, në gjak i ndiej kafshimet e tua. Frymën ma merr një puthje që më burgos dënesjet, dhe aroma jote oksigjenin ma mbyt”. Ka shumë mundësi që të jem duke trilluar…

Këto mendime lindin prej vetmisë e dëshpërimit tim kur s’flas me TY. Pushtuar prej teje më duhet kohë të kuptoj se s’ke shkuar, se s’më ke lenë vetëm. Përtej xhamit të

dritares nata jehon me ca hapa që afrohen….AJO je ti tek unë. Gjithësia.

***

Pse u largove papritur?!

Ora 22-00! Ti më merr në celular. Më the ftohtë: Unë do iki disa ditë jashtë, do iki, do iki për një shërbim pune, gërrmime arkivash për një hero. Ike! Se di se sa. Prisja të më merrje në kthim. Por jo, ti s’më more më…të pashë pas disa ditësh në Tiranë dhe s’u besoja syve. Erdha më vrap të të takoja,

por më humbe sysh. Kishe ndërruar numrin e telefonit.

Celulari yt rezultonte i mbyllur. Pse u largove? Arsyeja dhe

mosarsyeja kacafyten keqazi. Dikush më tha që kishe nisur të frekuentoje grupe të hapura ku gëlonte hashashi dhe orgjitë. Nuk arrita ta kuptoja dot. Po dashuria ku shkoi?! Ajo ndjesi magjike që pushtonte shpirtrat tanë të ndezur?! Nuk harroj ditën e parë të takimit në kinema. Ulur ngjitur duke ndjekur filmin francez. Gjoksi bymehej nga disa dridhje të lehta. Në mesin e filmit ti u afrove të më thoje diçka në vesh dhe befas më puthe. Ishte një puthje e sinqertë që më turbulloi. Sa e kisha dëshiruar atë puthje në atë çast. Nuk më rrihej më. Doja të dilja jashtë dhe të përqafoja. Doja të bëja dashuri me ty…Por sot..?! U ndamë?! Po!

Por një gjë e di me siguri…Ti më mungon pak sot, ndërsa nesër, unë do të të mungoj TY shumë…Pse? Sepse ti ke të zhvilluar ndjenjat fundamentale, ndërsa unë atë operative. Humbja ime e sotme do të jetë e papërfillshme përballë humbjes tënde së madhe së pasnesërme… Ti velesh shpejt dhe

kërkon shumë në çast. Unë nuk dehem kurrë dhe vështrimin e mbaj gjithmonë larg. Sot ti ke mbyllur për ca ditë telefonin. Pasnesër unë do e mbyll përgjithmonë…! Unë e vuaj çdo gjë dhe e mbyll brenda vetes, ndërsa ti s’ka perëndi që të mbyll çezmat e lotëve dhe ngashërimet e zëshme. Kështu është kjo botë. Fitorja duket në fund të

takimit. Ndeshja është me dy pjesë…Të parën e fitove ti, por unë fitova tërë ndeshjen…Më mirë i lirë në hapësirat e varfra të dyzimit, se sa i hareshëm apo i pasur në burgun e dashurisë gënjeshtare!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …