Shemsi Muslijaj, u lind më 1 maj të vitit 1958, në një familje të ndershme e me tradita atdhetare në fshatin Shaptej, komuna e Deçanit. Prindërit Ukë Muslijaj e Gjyke Halilaj, bijë e Lipovecit, kishin shtatë fëmijë, gjashtë djem e një vajzë. Edhe pse me vështirësi ekonomike, të gjithë i shkolluan dhe i arsimuan. Prej tyre, tre djem, Shemsiun, Bajramin e Azemin, ia falën atdheut, duke lënë pas një jetë të ndershme dhe një sakrificë sublime për çështjen e lirisë së Kosovës. Shemsiu është djali më i madh i familjes i rënë dëshmor.
Shemsiu shkollën fillore e kreu në fshatin Gramaçel, të mesmen në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ndërsa studimet i vijoi në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.
Më 1981, Shemsiu shkoi të punojë si punëtor ndërtimtarie në Slloveni, prej nga më vonë kaloi në Zvicër. Shërbimin e obligueshëm ushtarak në ushtrinë jugosllave e kreu në Garnizonin e Prejlepit në Maqedoni gjatë viteve 1983-1984, ku vazhdimisht iu nënshtrua keqtrajtimeve e provokimeve në baza nacionale, sikurse edhe shumica e rekrutëve e ushtarëve të tjerë shqiptarë.
Familja Muslijaj gjatë viteve të ’90-të të shekullit 20, disa herë ishte bastisur me pretekst të kërkimit të armëve. Gjatë kësaj kohe, vëllai i dytë, Osmani, u arrestua dhe u torturua në mënyrën më çnjerëzore nga policia serbe e MUP-it të Deçanit.
Ndërkaq, me të filluar të luftës në Kosovë, kur populli i Kosovës po përpëlitej mes jetës a vdekjes, kur Serbia kishte planifikuar që me çdo kusht të zbatonte planet shoviniste të akademikëve serbë për spastrimin etnik të Kosovës, duke i vrarë e masakruar, duke ua plaçkitur e djegur pasurinë, duke i dëbuar jashtë atdheut, Shemsiu, vetë i gjashti vëlla, ndër të parët në fshat, menjëherë pas betejës së 24 marsit në Gllogjan, që në muajin prill 1998, iu përgjigj zërit të atdheut. Ata vunë kontaktet me Shkëlzen Haradinajn, dëshmor i kombit, morën detyrat mbrojtëse dhe i qëndruan besnikë luftës çlirimtare deri në fund. Shtëpia e tyre u bë strehë dhe bazë e sigurt për luftëtarët e lirisë. Vëllai i dytë i tij, Osmani, ishte komandant i Shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Shaptej. Këso kohe prej 700 banorëve sa kishte fshati Shaptej, 91 prej tyre u mobilizuan në radhët e UÇK-së.
Vëllezërit Muslijaj morën pjesë në luftimet e zhvilluara në Shaptej, Gramaçel, Prejlep, Baballoç, Carrabreg etj. Gjatë pranverës dhe verës së vitit 1998, vija e frontit në Shaptej, ishte ndër vijat më të rrahura nga lufta, ku pati tentime të pandërprera të forcave serbe për depërtim në fshat për të vazhduar më pas në zonat e kontrolluara nga UÇK. Në Sukën e Biteshit dhe në rajonin përreth Liqenit të Radoniqit ishin të stacionuara njësitet elite të policisë e ushtrisë serbe dhe njësitet elite për veprime të posaçme të sigurimit shtetëror serb.
Vëllezërit Muslijaj vepruan në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Shaptej, deri më 10 gusht 1998.
Prej 28 tetorit të vitit 1998, kur Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, u rikthye në Gllogjan, vëllezërit Muslijaj dhe kushëriri Rifat Beqiraj, u risistemuan në njësitin vëzhgues të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Ata vëzhgonin terrenin si dhe përcillnin koncentrimin dhe lëvizjet e forcave serbe të pozicionuara në Sukën e Biteshit, si dhe bënin përcjelljen e ushtarëve të UÇK-së për në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja dhe anasjelltas.
Tre vëllezërit Muslijaj, Shemsiu (41-vjeç), Bajrami (30-vjeç), Azemi (27-vjeç), përjetësinë e patën të përbashkët, ditën e 9 majit të vitit 1999, atëherë kur forca të shumta ushtarake serbe, të shoqëruara edhe nga serbë kriminelë të vendit, të njohur me emër e mbiemër, po vazhdonin marshimin për shfarosjen e shqiptarëve.
Më 9 maj, në orët e hershme të mëngjesit, te Lagjja e Gojanëve, në vendin e quajtur Shavare, në mes të fshatrave Gramaçel e Shaptej, ranë dëshmorë tre vëllezërit Muslijaj dhe Rifat Beqiraj.
Në korrik të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, trupat e këtyre dëshmorëve u varrosën në vendlindjen e tyre. Ndërsa më 10 dhjetor 2008, katër dëshmorë të kombit, tre vëllezërit: Shemsi, Bajram e Azem Muslijaj, Bekë Sadri Muslijaj, veteran i arsimit (që ra një ditë më vonë gjatë përpjekjeve për të marrë dhe varrosur trupat e dëshmorëve, së bashku me Ukë Beqirajn nga Shapteji dhe rapsodin e njohur Lan Dobra nga Gramaçeli), u rivarrosën me nderime të larta, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.
Shemsiu ka lënë pas vetes nënën, Gjykën, vëllezërit Osmanin, Bashkimin e Agronin dhe motrën Rrushen. Ai ishte i martuar me Nepë Ibrahimajn nga Skivjani dhe la pas vetes gjashtë fëmijë: Dardanin, Dafinën, Arbneshën, Besartën, Ukën dhe Beslindën.
Familja Muslijaj është nderuar me mirënjohje të shumta për tre bijtë e saj dëshmorë. (F. R.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …