Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë lypsa ( serbisht, prosjak, sikur shprehet një profesor universiteti) por janë zhvatës të buxhetit të Kosovës, janë zhvatësit e taksave dhe tatimeve tona që i derdhim në arkën e Shtetit. Por jo të gjithë deputetët bëjnë kështu dhe nuk janë vetëm deputetët që plaçkitin Buxhetin e Kosovës. Edhe më shumë zhvatin zyrtarët e Qeverisë prej krye-qeveritarit me shpurën e këshilltarëve, zëvendës-këshilltarëve, ministrave, zëvendës-ministra, këshilltarë ministrash e zëvendës-ministrash, sekserë bodigardë, shoferë…
Është tërë një aparat zhvatës që bën luftë për ta marrë pushtetin, në radhë të parë për marrë nën kontroll buxhetin e vendit tonë që është i barabartë me shumën e buxhetit të një lojtari të njohur të futbollit, në Evropë.
Po kështu një segment zhvatësish e parazitësh vegjeton edhe në Presidencën e Kosovës, ku janë rrogat e nivelit evropian të Kosovës me buxhet të një vendi afrikan.
Se ku e si derdhet paraja publike, tashmë e di çdo qytetar i interesuar i vendit.
Po nuk janë të pakët ata qytetarë të mashtruar që ia kishin dhënë besimin një partie të vetëquajtur të majtë, duke besuar në kauzën e tyre e cila doli të jetë më mashtruesja nga të gjitha ato para saj. Kjo me të vërtetë është për të ardhur keq, por këto janë rezultatet. (RKL)