Përpjekja për rehabilitimin e Xhafer Devës, nga ndonjë ta quajmë historian apo ministër i Qeverisë Kurti, nuk është akt skandaloz, por thjesht është veprim dhe qëndrim antikombëtar, sepse Xhefer Deva ishte kriminel lufte, dhe me shpurën e tij vrastare ka vrarë e ka masakruar shqiptarë të pafajshëm dhe partizanë në Shqipëri dhe jo partizanë jugosllavë. Përpjekja për rehabilitim të nazistëve të rangut të Xhafer Devës, apo edhe të Ahmet Zogut të Shqipëri, janë thjesht akte antikombëtare dhe nuk mund të arsyetohen me asnjë fakt dhe me asnjë dokument. Ishte pikërisht ambasadori gjerman në Prishtinë, i cili reagoi me të drejtë lidhur me vendimin e Ministrisë së Kulturës, kundër renovimit të Shtëpisë së Xhefer Devës në Mitrovicë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde është shprehur i shqetësuar lidhur me planet për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, kriminelit fashist, të cilën Ministria e Kulturës e Qeverisë Kurti e konsideron si një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë. “Kjo është kultura e kujtesës në mënyrën e gabuar!”, ka shkruar ambasadori gjerman, duke bërë thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin. Ndihem shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor protagonist i njohur, nazist famëkeq. S’ka zbardhje të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të merren si mundësi për t’u marrë me të kaluarën në një mënyrë të hapur dhe të vërtetë, ka saktësuar me këtë rast ambasadori gjerman, Jorn Rohde.
Xhafer Deva la gjurmë kriminale në historinë shqiptare, gjatë kohës së Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare sidomos për dy momente mjaft kriminale në periudhën e pushtimit gjerman: Krijimi i Divizionit SS “Skanderbeg” dhe masakra e 4 shkurtit në Tiranë. Masakra e 4 shkurtit është një njollë e zezë në karrierën politike të Devës, por funksionarët e zbulimit amerikan e kanë parë atë si një person potencial kundër influencës komuniste në Ballkan. Ndaj autoritetet amerikane, me gjithë informacioni që kanë pasur mbi Devën, nuk e kanë arrestuar dhe dënuar atë në lidhje mbi aktivitetin e tij politik në dobi të nazizmit në Ballkan. Në fakt, duke parë se rreziku komunist do të ishte kërcënimi më serioz i interesave te tyre në të ardhmen, amerikanët toleruan apo angazhuan shumë elementë pro gjermanë të njohur si antikomunistë në operacione të Kundërzbulimit amerikan. Rasti më i njohur është rrjeti i zbulimit i njohur si “Shërbimi i Gjeneralit Gehlen”, një rrjet i agjenturës gjermane, e cila pas luftës u vu në shërbim të Zbulimit amerikan kundër interesave sovjetike. Mbi aktivitetin e Xhaver Devës në emigracion nuk ka shumë të dhëna deri më tani, por me sa duket edhe pse me një të kaluar pro gjermane, Xhafer Deva u la i lirë. Ai jetoi në Vjenë për një kohë të gjatë dhe më vonë u transferua në Amerikë, ku edhe vdiq.
Krimet e Xhafer Devës kundër shqiptarëve janë si ato të Ahmet Zogut, në kohën e regjimit të tij, por me disa dallime. Ahmet Zogu vrau të gjithë kundërshtarët e tij politikë por nuk masakroi popullatën civile ashtu sikur bëri Xhafer Deva, jo vetëm në Tiranë por edhe në Shkodër dhe në shumë vende të tjera. Nuk dihet që Xhafer Deva të ketë vrarë apo pushkatuar partizanë apo çetnikë serbë.
Xhafer Deva nuk i shpëtoi hebrenjtë por i dërgoi në Shkritoren e Trepçës, kuptohet me urdhrin e nazistëve gjermanë.
Pavarësisht se meremetimi i Shtëpisë së tij, nuk është e thënë ta shpërlajë atë edhe kombëtarisht e politikisht, duhet ditur edhe një fakt se ndërtesa nuk mund të emërtohet ndryshe, por si Pallati i Xhafer Devës. Nuk ka kurrfarë vlerash artitektonike kjo shtëpi, por ka një emër të shëmtuar, ashtu sikur nuk ka kurrfarë vlerash artitektonike hoteli “Union” në qendër të Prishtinës, të cilin e kishte ndërtuar Nikolla Pashiqi në vitin 1927 dhe e ka restauruar Qeveria e Kosovës, shumë vite pas luftës, me insistimin e bijve të ish komunistëve të Titos e Rankoviqit.