leoni

UNDP-ja dhe BE-ja anulojnë projektin për restaurimin e shtëpisë së kolaboracionistit nazist, Xhafer Deva

Xhafer Deva e ndërtoi Pallatin në kohën kur Jugosllavia monarkike angazhohej për shfarosjen kolektive të shqiptarëve

Pse asnjë historian  nuk flet për vitin 1930 për kohën kur është ndërtuar Pallati i Xhafer Devës, në Mitrovicë? Kalimi në heshtje i vitit 1930 kur është ndërtuar pallati,  asokohe më i madhi dhe më i kushtueshmi i Kosovës,  hedh dritë në një fakt tjetër të kolaboracionist, jo vetëm nazist,  Xhafer Deva.

Në vitin 1930  popullata shqiptare në Kosovë përjetonte një tmerr me përmasa gjenocidi nga Qeveria Serbe Kroate  e sllovene. Asokohe në Kosovë dhe në të gjitha viset që kishin mbetur nën okupim që nga vitit 1918,  jo vetëm që nuk kishte asnjë shkollë në gjuhën shqipe, por shqiptarëve u ndalohej dhe u mohohej çdo simbol kombëtar madje edhe gjuha amtare në ndërkomunikimin e përditshëm. Dëbimi për në Turqi, kolonizimi i trojeve shqiptarë me serbë të sjellë nga viset e Serbisë e Jugosllavisë vrasjet e përditshme në ndjekje të çetave kryengritëse shqiptare,  që quheshin kaçakë e banditë, djegia e shtëpive dhe pasurive të tyre, konfiskimi i tokave me Reforma agrare e dhunë të përditshme, i kishte degdisur shqiptarët të jetojnë vetëm për bukën e gojës, vetëm për të mbijetuar dhe këtë nuk e arrinin të gjithë. Disa çeta çlirimtarësh të Azem Galicës të mbetura nëpër male mezi ia dilnin dhe në të shumën e rasteve rrethoheshin e likuidoheshin  duke qenë të spiunuar nga hafijet shqipfolëse të regjimit të Kralit.

Besnikët e Azem Galicës, regjimi i ndiqte, i ekzekutonte, i vriste në prita.

Disa shqiptarë me qëllim mbijetese kishin bashkëpunuar me regjimin.

Kishte në mesin e tyre edhe xhandarë, zyrtarë dhe kryetar  komunash. Disa tregtonin me Beogradin dhe mallin që e merrnin atje ua  shisnin trefish më shtrenjtë  shqiptarëve në Kosovë.

Pikërisht në kohën e varfërisë dhe tragjedisë më të madhe që përjetonin shqiptarët, dikush, diku, në qendër të Mitrovicës po ndërtonte pallatin më të madhe dhe më të kushtueshëm të kohës, duke qenë në lidhje të përditshme jo vetëm me zyrtarët e komunës por edhe me ata të Beogradit. E ky ishte më pasaniku i Kosovës nën Jugosllavi, Xhafer Deva.

Dikush do të pyeste se si i kishte fituar ato shuma aq të mëdha parash, kënd kishte aksionar, Xhafer Deva,   kush kishin qenë  ndërtuesit apo firmat e tyre, cili ishte destinimi i asaj shtëpie e shumë pyetje të tjera në raport me kohën dhe gjendjen e përgjithshme të shqiptarëve nën robërinë klasike e shfaronjëse, jugosllave.

Po të ishte ndërtuar godina në vitin 1941, pas kapitullimit të Jugosllavisë, kjo pyetje nuk do të ngjallte  asnjë interes, sepse dihet kush dhe si e mori pushtetin. Por vitet  tridhjetë e shekullit të kaluar shënojnë kohën kur pjesa dërrmuese shqiptare ishte vënë në shënjestër të shfarosjes kolektive.

Xhafer Deva ishte i mirëpritur në Beograd, me siguri jo si shqiptar, por pse jo si  shtetas i Jugosllavisë,  të cilin e kishte pranuar ndër të parët, por edhe  si njeri i pasur që donte hapësirë veprimi, shfrytëzimi e pasurimi, pasi pushteti këtë ua lejonte  në mënyrë selektive edhe shqiptarëve besnikë, të cilët qysh atëherë të quajtur “posteni arnauti”, madje edhe “arnauti nase krvi” ( shqiptarë të ndershëm  dhe shqiptarë, apo arnaut të gjakut tonë, që do të thotë serbë të shqiptarizuar), teori unike e  “shkencës”, historisë e politikës institucionale  serbe.

Në mesin e atyre që po  e mbrojnë me çdo kusht Xhafer Devën më i zëshmi, më trim mbi trimat është ministri i Albin Kurtit, Hajrullah Çeku, është ministri që i kishte ndarë mirënjohje jetësore, “aktorit” Enver Petrocvi, vetëm sepse në një intervistë dhënë  një gazetareje në Beograd, kishte thënë se në Kosovë jetohet më keq nën regjimin e Hashim Thaçit, sesa ishte jetuar nën regjimin e Milosheviqit, madje tregon se edhe  foton e “kasapit” të Ballkanit e mbante në dhomë, por shpeshherë tinës ia hiqte bashkëshortja. Andaj nuk është për t u habitur me dijen, arsimimin e kulturën e këtij ministri.

Po ky Çeku, si “trim” shqiptar që është, të gjithë studiuesit e historianët  shqiptarë, që kanë debatuar me qëndrimin  kundër, Xhafer Devës i quan pro serbë,  sepse kështu i thotë morali dhe edukata e tij, ndërsa nuk ia mbanë ta përmend emrat e shumë zyrtarëve dhe autoriteteve të larta gjermane e të tjerë, të cilët, ishin  të parët që  reaguan shumë ashpër, duke mos e pranuar nazistin e Rajhut të Tretë, Xhafer Deva,  si mik të tyre, vetëm sepse kështu mendon ministri i Albin Kurtit.

Debati për Xhafer Devën po polarizohet për qëllime politike dhe kurrsesi për qëllime historike e atdhetare, sepse “atdhetaria” e Xhafer Devës nuk prodhon vlera, përkundrazi prodhon neveri. Andaj një debat i tillë, i pjellë nga politika,  duhet ta marrë edhe përgjigjën definitive politike.

Tre krerët më të lartë të shtetit të Kosovës  nuk janë përfshirë në debat, sepse kanë frikë se mos po gabojnë, sepse nuk kanë qëndrim të prerë kombëtar as politik, edhe pse gabimi është bërë nga institucionet, në radhë të parë nga Ministria e Kulturës, e cila duket se nuk është konsultuar me as kë, sikur me rastin e Enver Petrovicit,  dhe tashmë por shihet se ka rënë në fushë të minuar, sepse përpjekja për ta rehabilituar një ekzemplar të nazizmit gjerman, vazhdon të jetë e dënueshme përgjithmonë. Duke folur për këtë rast, Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani  thekson se, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, në ish-vendet komuniste ka ekzistuar një frymë për rehabilitimin e figurave e ngjarjeve “nga e kaluara para-komuniste në një dritë nacionaliste pozitive dhe  kjo është e gabueshme. Duke e komentuar reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili kërkoi që të ndalet restaurimi i shtëpisë së Devës duke e lidhur emrin e tij me Holokaustin, Hasani vlerëson se diplomati gjerman “ka të drejtë plotësisht, gjykuar nga faktet historike, të cilat janë shumë bindëse”. Ai renovimi duhet të vazhdojë vetëm pas sqarimit një herë e mirë nga ana e Ministrisë së Kulturës se ai bëhet jo për Xhafer Devën, figurën dhe veprën e tij, por për vlerat arkitektonike që ka ai objekt, me destinim të qartë për shndërrimin e tij në ndonjë qendër që flet pareshtur për historinë tonë të përbashkët, si një hapësirë dokumentuese, arkiv, shtëpi për fëmijë të kategorive në nevojë, duke mos lënë asnjë dyshim se Xhafer Deva e ndjek fatin e atij regjimi politik, të cilit i ka shërbyer dhe të cilin e ka gjykuar historia dhe atë në mënyrë konsensuale. Nuk mund të ketë fat tjetër një figurë e tillë ka thënë mes tjerash ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 2. 2022

Kontrolloni gjithashtu

REL: Shqiptarët nga disa shtete të Ballkanit, ishin aktivë në luftimet e fundit në Siri, që çuan në rrëzimin e pushtetit të Assadit

Të gjithë shqiptarët që luftuan regjimin e Assadit në Siri, ishin shpallur ‘terroristë’, dhe disa …