Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë ( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili) I

Këngët historike, duke filluar prej këngës së Luftës së Kosovës të vitit 1389 e deri te këngët e dëshmorëve të UÇK-së, janë këngë që kanë pasqyruar dhe pasqyrojnë heroizmin shqiptar nëpër shekuj. Nga ky mes i këngëve kemi edhe këngët e trimërisë, të cilat jo doemos lidhen për personalitete të caktuara historike, por edhe këto këngë në shumtën e rasteve kanë të bëjnë me ndodhi që janë bërë pjesë e kujtesës dhe historisë sonë tragjike dhe heroike.

Folkloristika e kohës,   këngët për Luftën e Kosovës e ka trajtuar si cikël të këngëve legjendare, edhe pse kemi të bëjmë me personalitete të caktuara historike, për të cilët ka qindra burime e fakte relevante historike, në historinë e popujve të Ballkanit, në Historinë e  Perandorisë Osmane dhe në shumë dokumente evropiane të kohës. Folkloristët tanë asnjëherë nuk kanë shpjeguar përse ky cikël i këngëve i takon legjendave kur dihet mirëfilli se ka ekzistuar Sulltan Murati, bijtë e tij Jakupi dhe Bajaziti, Milush Kolipiqi, Mbreti Llazar, Vuk Brankoviqi e personazhe të tjera të historisë së Mesjetës. Kjo qasje “shkencore” mbase ka ndodhur për shkak të elementeve legjendare, e fantastike që lajmërohen në rrëfimet komplekse të kësaj beteje të përgjakshme, fatin e së cilës e vulosi kryetrimi shqiptar i Mesjetës, Milush Nikollë Kopiliqi, i cili vrau Sulltan Muratin e Parë,  më 16 qershor të vitit 1389.

 

Tre Halilët  dhe mujët e mustët e  legjendave dhe historisë shqiptare

Në traditën e  rrëfimeve popullore dhe në historinë shqiptare  njihen personazhet  e rrëfimeve popullore Muji e Halili, Halili e Musliu dhe Halili e Musa i Vogël.

Muji dhe Halili janë personazhet e njohura të këngëve, të emërtuara në traditën folklorike, si “Këngë të Kreshnikëve”. Ende nuk dihet se kur janë krijuar këto këngë, të cilat janë analoge me këngët omonime, që këndohen edhe te boshnjakët, mirëpo dihet tashmë se këngët i përkasin  periudhës së konvertimit fetar, meqë personazhet dalin me emra islamë dhe përgjithësisht përfaqësuese të botës islame, që lufton kundër “kaurëve”, të krishterë të Ballkanit dhe të Evropës. Këngët janë të ngjyrosura ideologjikisht, me motive aventuriere-kalorësiake. Janë ndoshta këngë tipike kalorësiake, në të cilat dominon hiperbola, elementet fantastike, madje edhe format naive të groteskut dhe një mori elementesh, jo aq karakteristike për këngët shqipe në përgjithësi, apo për ciklet e tjera të këngëve tona legjendare.

Cikli i këngëve për Halilin dhe Mujin, është i pranishëm dhe mjaft i përhapur te boshnjakët myslimanë, ndërsa vendet  ku zhvillohen ngjarjet përputhen me rajonin e Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Hungarisë, ndonjëherë edhe Stambollit, por krejt pak në toponiminë shqiptare, sikur janë emërtimet“Lugjet e verdha” Mrizi i Zanave”,  që nuk ngrehin ndonjë peshë.

Pa qëllim për të minimizuar karakterin autentik, shqiptar, të këtij cikli, duhet pranuar faktin se në këto këngë megjithatë fshihen dy emra, të cilët e hasim edhe në këngë të tjera e veçmas, në historinë krenare e të dhembshme të Halil Patronës dhe të Musli Bashës.

Të shumta janë dokumentet  historike turke, angleze, gjermane, austriake, arabe, sllave, në të cilat janë shënuar disa nga bëmat e Jeniçerit Halil Patrona dhe veteranit Musli Basha në Budin, Beograd, Nish dhe vende të tjera, ku ata kanë bërë akte të larta të trimërisë, si dy jeniçerë të fuqishëm,  që kishin tronditur Perandorinë Osmane dhe e kishin mbajtur peng për tre muaj me radhë. Për bëmat e Halil Patronës, një jeniçer shqiptar nga Hurpishti i Manastirit, në Maqedoni janë shkruar romane, drama, novela, tregime, ndërsa në Historinë e Perandorisë Osmane dhe në të gjitha enciklopeditë botërore, ekzistojnë mijëra fakte relevante historike, por  fare pak në historinë e  shkruar të popullit shqiptar.

Janë disa elemente që megjithatë lidhin një relacion mes Halil Patronës e Musli Bashës, me Mujin e Halilin e legjendave. Halili i këngëve kreshnike paraqitet si aventurier dhe njeri të cilin nuk e bën zap askush, ndërsa Muji paraqitet si luftëtar më serioz dhe shpeshherë futet në rrezik, për ta shpëtuar Halilin mendjelehtë, por edhe këmbëshpejtë si Akili i Homerit dhe dashnor romantik, ashtu si kalorësit evropianë të kohës. Një element tjetër, i cili  e sforcon deri diku këtë tezë është edhe prania e Halilit dhe Musliut në Budin, ku mbahen në robëri dhe nga ku ikin, pastaj në Beograd, ku luftojnë dhe në vitin 1720, në Nish ku nxisin një kryengritje të madhe me pasoja të rënda. Edhe Musli Basha, shoku i  ngushtë dhe sivëllai i Halilit paraqitet më i matur në qëndrimet e tij, por e pason Halilin edhe atje ku e di se ai do ta humb kokën.

Një element tjetër është edhe dashuria romantike e Halilit me Gjylbejazën, vajzën 17-vjeçare të haremit të Sulltan Ahmedit të tretë, e cila ishte dëbuar nga Haremi, ndërsa Halili e kishte blerë në tregun e robëreshave, me paratë që ia kishte falur tregtari grek Janaçi, i cili më vonë zbulohet se kishte qenë babai i skllaves Irenë, e njohur si Gjylbejazja, në romanin e shkrimtarit më të madh hungarez, Jokai Mor, titulluar “Trëndafili i bardhë”.

Folkloristika shqiptare, këngët për Skënderbeun, për dallim nga këngët për Luftën e Kosovës së vitit 1389  i ka trajtuar si këngë historike, edhe pse ato kanë ruajtur po ato elemente legjendare e fantastike, sikur ato të Luftës së Kosovës, meqë edhe i takojnë po asaj periudhe historike. Cikli i këngëve për Skënderbeun, është ndërtuar po me ato veçori me të cilat është ndërtuar cikli i këngëve të Luftës së Kosovës. Ashtu sikur këngët për Luftën e Kosovës dhe ato për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, janë krijuar nga rapsodë anonimë popullorë. Vetëm në shekullin 19-të me rastin e fillimit të mbledhjes së lëndës folklorike nga atdhedashësit e arsimuar shqiptarë dalin  të shënuar edhe emrat e mbledhësve të kësaj lënde, e aty këtu edhe emrat e këngëtarëve apo rrëfimtarëve të caktuar.

Prej Luftës së Kosovës, luftërave çlirimtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për një kohë të gjatë  këngët historike humbin në mjegullën e dendur të kohës së konvertimit, të kohës sterrë të zezë nën robërinë turke, sllave e greke.

Një këngë e tillë historike  do të “ringjallët” në kohën e kryengritjes së Halil Patronës, në Stamboll më 28 shtator të vitit 1730, për të vazhduar në mënyrë të pashkëputshme me këngët e Ali Pashë Tepelenës, Zenel Gjolekës e Rrapo Hekalit, Tafil Buzit këngët historike për bushatlinjtë e Shkodrës, Kënga e Hamëz Kazazit  kënga e Ibrahim Pashës së Moresë e për të ardhur deri  te këngët e trimërisë të epokës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës, deri në ditët tona.

Këngët për Luftën e Kosovës, ato për Skënderbeun, Tanush Topinë, Lekë Dukagjinin e trimat e Mesjetës, për Vashat e Kurbinit, sado fragmentare  qofshin, ato kanë pikë referimi personalitete të caktuar të historisë dhe si të tilla janë përcjellë gojarisht brez pas brezi, duke arritur deri në kohën tonë, qoftë edhe në formë krejt fragmentare. Pranie e këtyre këngëve është ruajtur sidomos te arbëreshët e Italisë, meqë atje kujtimi për Motin e Madh nuk ishte zbehur kurrë, ndërsa shqiptarët në Ballkan, në luftën e tyre  të vazhdueshme për mbijetesë kishin zgjedhur dy rrugë, të dyja të rrezikshme dhe ishin rreshtuar në dy tabore, në luftë kundër turkut dhe në luftë me turkun.

Prej kohës së Skënderbeut e deri te Ali Pashë Tepelena kemi jo më pak se tre shekuj dhe nuk kemi të shënuar asnjë këngë historike për ndonjë personalitet të caktuar, përveç këngës së Halilit dhe Musës, e cila në shumë segmente ndërlidhet me epokën e Halil Patronës dhe Musli Beshit dhe kryengritjes së Stambollit nga jeniçerët shqiptarë, turq  e të tjerë.

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …