Në një intervistë për gazetën, “Dita”, historiani i mirënjohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, duke folur për të ashtuquajturën “reformë në drejtësi” ka deklaruar: Me përjashtim të reformës së fundit, asaj në polici, së cilës qytetarët ia shohin efektet, reformat e tjera janë vrarë që në embrion nga paqartësia, paaftësia e pavendosmëria e qeverisë, nga refuzimi i tërbuar i opozitës për të pranuar edhe ndryshimin më të vogël dhe nga shteti paralel që drejtohet nga ish-Kryeministri dhe që është mbjellë prej tij me kujdes maniak në të gjitha institucionet publike përgjatë këtyre 25 vjetëve të tranzicionit. Ky është shteti esadist i fanatikëve, i të paditurve, i njerëzve të liq, pa ndërgjegje e pa atdhe, që vazhdojnë edhe pas 25 vjetësh të thërrasin “dum babën”, pavarësisht se ndërkohë “baba” e ka djegur dhe e ka pjekur nja tre herë Shqipërinë, e ka varfëruar, degraduar e shpartalluar shtetin dhe i ka shkaktuar një krizë identiteti të pashembullt qytetarit shqiptar, të cilit i merret goja kur i duhet të pohojë identitetin e vet.
Por, mos harrojmë që ngërçi në realizimin e reformave vjen edhe nga politikat e gabuara, me bazë antipopullore e antidemokratike të mishëruara në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të bëra kokë më kokë, buzë më buzë e vesh më vesh me “anti-shtetin”, d.m.th. me Sali Berishën. Nëse sot qeveria e Edi Ramës nuk bën dot një hap përpara në reformën në drejtësi, kjo vjen ngaqë atë e pengojnë një president, një KLD, një Prokurori apo një Gjykatë që janë pjellë e drejtpërdrejtë e atyre ndryshimeve kushtetuese, me të cilat Berisha, e jo Edi, e kapi shtetin në të gjitha hallkat e tij. Nëse tek ne zgjedhjet nuk pasqyrojnë vullnetin sovran të popullit, nëse parlamenti është shndërruar në një palestër harbutërie, nëse partitë politike janë shndërruar në detashmente besnike të kryetarëve të tyre, kjo ka ardhur gjithashtu nga flirti pranveror i vitit 2008, kur vesh më vesh e buzë më buzë u sajua një kod zgjedhor e një sistem zgjedhor, që i bënte dy kryetarët e partive të mëdha titullarë të vullnetit e të sovranitetit të popullit….
(Xhevdet Shehu – Botuar sot në DITA)