ETEA: RAPORT HULUMTUES MBI TREGUN E PUNËS DHE KAPACITETET E SHKOLLAVE PROFESIONALE

ETEA: RAPORT HULUMTUES MBI TREGUN E PUNËS DHE KAPACITETET E SHKOLLAVE PROFESIONALE

Publikohet raporti hulumtues i organizatës ETEA: Kërkesat e tregut të punës dhe kapacitetet e shkollave profesionale në Kosovë

Sot, organizata jo-qeveritare ETEA ka organizuar konferencë në formatin e tryezës përgjatë së cilës u publikua raporti hulumtues “Kërkesat e tregut të punës dhe kapacitetet e shkollave profesionale në Kosovë” dhe u shfaq dokumentarin e bazuar në të.

Pjesë e tryezës ishin përfaqësues nga Ministra e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, përfaqësuses nga Agjensia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, GIZ Kosovo, Solidar Suisse, Projekti EYE, përfaqësues të shkollave profesionale dhe të qendrave të kompetencës, si dhe nxënës nga arsimi profesional.

Menaxheri i projektit, Shkelqim Berisha shpalosi para të pranishmëve qëllimin kryesor të hulumtimiti cili ishte analizimi dhe identifikimi i mangësive dhe problematikave të shkollave profesionale në Kosovë në raport me kërkesat e tregut të punës, si dhe  sensibilizimi i opinionit publik dhe palëve relevante mbi rëndësinë dhe rritjen e përkushtimit drejt Arsimit dhe Aftësimit Profesional si çelësi i uljes së nivelit të papunësisë.

Në ndërkohë, Velsa Shabani, hulumtuese e raportit shpalosi rezultatet dhe të gjeturat kryesore, disa prej të cilave ishin: AAAPARr është më e suksesshme në menaxhimin e shkollave profesionale sesa Drejtoritë Komunale të Arsimit; Ka raste të eksploatimit të nxënësve gjatë praktikës në ndërmarrje; Përceptimi i të rinjëve mbi shkollat profesionale ka filluar të ndryshoj në aspektin pozitiv; Përshtatja e profileve të ofruara dhe të kërkuara nuk është problemi kryesor aq sa cilësia e arsimimit; Formula financiare e IAAP ka defekte të mëdha; Nxënësit kanë dëshirë të emigrojnë pas përfundimit të shkollës së mesme profesionale etj.

Përgjatë diskutimit të ftuarit, njëherit profesionistë të arsimit dhe aftësimit profesional, diskutuan mbi temën e hulumtimit dhe ndanë mendimet e tyre:

Majlinda Rizvanolli – Eksperte e jashtme për AAP në MASHTI, shprehu se: “Gjendjen në arsimin profesional e pam gjatë dokumentarit dhe prezantimit të të gjeturave se si është dhe pajtohem me shumicen e prezantimit. Sa i përketë rekomandimeve të ETEA-s për MASHTI, janë pothuajse në një linjë me atë se çka MASHTI është duke punuar tani. Një prej tyre ishte formula financiare, ne jemi duke rishiku formulën financiare për shkollat profesionale dhe jemi duke punuar për ta përcaktuar atë. Po ashtu, ne si ministri kemi plane të inicojmë arsimin dual të mirëfillët, ku do të përfshihen bizneset të cilat tashmë veçse kanë shpreh gadishmëri për zhvillimin e tij“.  

Muharrem Ibriqi nga AAAPARr theksoi punën e suksesshme të agjensionit në menaxhimin e Qendrave të Kompetencës:”Sa i përketë rolit të Agjensisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve është e vërtetë që jemi të kufizuar në 6 shkolla, por përkundër faktit që jemi të kufizuar ne kemi arritë të bëjmë një punë të sukseshme. Sot qendrat tona të kompetencës njihen për infrastrukturë të zhvilluar, kemi bë hapjen e qendrave të karrierës, kemi nënshkruar marrëveshje me kompani vendore e të huaja, kemi inicuar rishikimin e kurrikulave dhe gjitha këto kanë arritë falë punës së agjensionit”.

Shemsie Ibrahimi, profesoreshë në ShML“7 Shtatori” tregoi për arritjet e vazhdueshme të nxënësve të kësaj shkolle, pavarësisht vështirësive dhe pengesave gjatë rrugës: “Është e vërtetë që në shkollat profesionale vijnë edhe nxënës me sukses jo të mirë, por fal punës së mësimdhënësve pothuajse shumica e tyre arrijnë të i zhvillojnë kapacitetet dhe kur shkojnë në praktikë arrijnë të i shfaqin aftësitë e tyre shumë mirë dhe të i prezantojnë tek punëmarrësi. Nxënësit tanë janë shumë të kërkuar në profesionet e tyre dhe arrijnë ta gjejnë veten shumë shpejtë pas përfundimit të shkollës profesionale”.

Valbona Rraci, Zyrtare e lartë në projektin EYE fletë mbi rëndësinë e zgjedhjes së profesionit nga vet nxënësit dhe promovimin e tij në shoqëri: “Në gjithë botën ka nxënës të mirë dhe nxënës jo të mirë, por shoqëria ka detyrë të ua ofroj mundësi të barabarta dhe kushte adekuate për shkollim. Është e një rëndësie të veçantë që të rinjët të zgjedhin profesionin të cilin ata dëshirojnë, në momentin që zgjedhin profesionin që duan atëherë rezultatet pozitive do të jenë të pashmangshme. Është për keqardhje se si Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk i shohin si të rëndësishme kampanjat vetëdijsuese, sidomos për prindërit dhe sektorin privat. Në anën tjeter, MASHTI është duke bërë një punë të mirë, duke i ndërlidhur elementet e duhura që kanë implikim dhe influencë e njëra ndër to është edhe orientimi në karrierë“.

Po ashtu, nxënësit/et nga shkollat profesionale thanë këndëvështrimet e tyre mbi arsimin profesional, sfidat por edhe anët pozitive të saj.

Dardan Vllasaliu, nxënëx në ShML”Gjin Gazulli”: “Në klasë të dhjetë, kam pas shumë paragjykime nga familja. Përveç kësaj, edhe shoqëria, na cilësojnë dhe na drejtohen me terma ofendues e bullizues. Prej Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit nuk ka asnjë ndihmë ofruar shkollës. Po e marrë një shembull të thjeshtë, unë jam në drejtimin informatikë dhe ne ende punojmë me Windows XP, pra nuk ka mjete. Nëse do kishim një software të mirëfilltë, ne si shkollë profesionale do mund të bënim një website për shkollën. Po ashtu, mendoj që profilet duhet të specifikohen dhe të mos jenë aq të përgjithshme, sepse kjo ndikon në cilësin dhe vullnetin e nxënësve për të ndjekur një profil të caktuar”.

Shkurta Maliqi, nxënëse në Qendrën e Kompetencës “11 Marsi”: “Shkolla jonë në krahasim me shkollat tjera ka shumë përparësi, shkolla jonë ka bashkëpunim me biznese të ndryshme për zhvillimin e praktikës si brenda edhe jashtë vendit, secili drejtim ka mjetet e duhura, edhe pse pjesa teorike në disa raste nuk është shumë e mirë, pjesa e praktikës është shumë në rregull dhe gjithçka shkon mirë

Leonard Shoshi, nxënës nga ShML “Shaban Spahija”: “Kur kam qenë në shkollë fillore dhe i tregova shoqërisë dhe familjes për profesionin që doja të ndjekja, nuk jam pritur mirë dhe kam hasur në komente nga më të ndryshmet, duke tentuar të më ndyshojnë mendimin. Më vonë, kam biseduar me një mësimdhënës i cili më ka rekomanduar shkollën profesionale “Shaban Spahija“, ku edhe tani ndjeki mësimin në drejtimin e arkitekturës. Shkolla jonë ka shumë nxënës, të cilët arrijnë sukses në fushat e tyre, por mendoj që rritja e fondeve do ndihmonte shkollën të ngrisë kapacitet e saj. Përveç kësaj, edhe media mendoj që luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si e portetizon shkollën profesionale“.

Ky projekt u jetësua nga organizata ETEA me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Rinisë.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …