Ahmet Qeriqi: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë ( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili) III

Ahmet Qeriqi: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë ( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili) III

Hakmarrja e motrës

Kënga e Halilit dhe Musës ka edhe katarzën shpirtërore, pikërisht atë katarzën Aristoteliane, e cila te ne quhet hakmarrja e motrës për vëllanë. Në tragjeditë antike, është e njohur tragjedia Antigona e Sofokliut, e cila varros vëllanë, Polinokin,  kundërshtar të mbretit, i cili kishte urdhëruar që trupi i tij të lihet mbi dhe pa u varrosur për shkak se kishte luftuar në radhët armike të mbretit. Meqë kishte thyer urdhrin ajo vritet, ndërsa te varri i saj vetëvritet edhe i dashuri i Antigonës, djali i mbretit Kreon, që kishte dhënë urdhrin e mbytjes së Antigonës. Tragjedia arrin kulmin kur nga dhembja për djalin, vret veten edhe mbretëresha Eurudiqi.

Hajria e traditës dokesore shqiptare, ka diçka të ngjashme me Antigonën e Sofokliut. Ajo vret burrin,  i cili verbërisht, apo për shkaqe përfitimi kishte kryer detyrën ndaj pashait duke vrarë, miqtë dy vëllezërit e bashkëshortes. Hajria po ashtu është e përkushtuar për vëllezërit. Ajo shkon më larg se Antigona. Ajo vret burrin por edhe djalin e vet,  birin e burrit tradhtar, edhe pse ishte e  vetëdijshme se do të mbytej nga Pashai.

U zgjerova në këtë temë për të sjellë disa elemente interesante nga Kronikat e Stambollit të vitit 1730, në të cilat është bazuar seria filmike e Turqisë,  transmetuar ne TRT1: “Bir zamanlar osmaly kijam” seri me 20 episode ku trajtohet koha e Sulltan Ahmedit dhe Halil Patronës, si dhe seria tjetër, “Osmanly darin devlet” me 12 episode ku trajtohet pjesa e dytë e po të njëjtës seri  filmike dhe ku figura e Halil Patronës paraqitet si një monstrum i veçantë, i papërsëritshëm në 700 vitet e Perandorisë Osmane. (Të dy seritë filmike mund të shikohen përmes Joutube në internet). Kliko: Bir zamanlar osmanly kiyam dhe Osmanly darin devlet.

 

Në serialin “Bir zamanlar Osmanli Kiyam”, vëllai i Halil Patronës, Gjergjezi, apo Gjergji i Zi, paraqitet si vrasës me pagesë. Duke vepruar sipas porosisë së  kreut të shërbimit sekret iranian, i cili vepronte dhe kryente diversione  në pallatin perandorak, ai vret gruan me barrë të Murat Solakbashit, të besuarit të Sulltane Hatixhesë, motra e Sulltan Ahmetit, e njohur për qëndrimin e saj kundër vëllait epshtar, përtac dhe adhuruar i sëmurë i tulipanëve. Ndërkohë, vëllai i Halil Patronës  kapet dhe varet në litar, me një ferman special të Damad Ibrahimit. Ai urdhëron që kufoma e tij të qëndrojë e  varur një javë në qendër të një sheshi të Stambollit.

Halil Patrona, paraqitet edhe si vrasës i fëmijës shtatë-vjeçar të Ispiri Zades, meqë ai fillimisht e kishte rekrutuar në kryengritje kundër Perandorisë e pastaj e kishte denoncuar vetë, meqë nuk e kishte përballuar dhunën fizike të ushtruar ndaj tij. Të dy këto motive, nuk kanë asnjë element të përbashkët me Historinë e kohës së Sulltan Ahmedit, ndërsa në të dyja serialet, Halil Arnauti dhe tërë arnautët e asaj kohe paraqiten si përbindësh, si monstrumët e filmave horror.

Kam prirje të besoj se këngën e Halil Patronës, e kanë sjellë nga Stambolli dervishët shqiptarë, gjithnjë bektashi,  të cilët u këndonin bëmave dhe trimërive të heronjve të kohës. Është i njohur fakti se dervishët gjatë fushatave luftarake të Perandorisë, këndonin këngë me qëllim për ta mbajtur moralin e ushtarëve. Shumë nga këngët e periudhës së sundimit turk në Kosovë i kanë sjellë këngëtarët dervishë, të cilat janë kënduar edhe nga rapsodët shqiptarë. Duke kaluar nga brezi në brez, në rrethana të ndryshme historike, këto këngë kanë pësuar edhe ndërrime e modifikime të shumta. Modifikimet e tilla i hasim në variantet e shumta të këngëve për një ngjarje të caktuar. Dervishët bektashi me origjinë shqiptare i kanë sjellë në Arnautistan edhe këngët për Osman Pashën, Për luftërat shqiptare-malazeze, për Zenel Gjolekën, për luftërat e Maliq Pashës dhe të shumë pashallarëve të tjerë.

Mendoj se edhe këngën e Halit dhe Musës (Halil Patronës dhe Musli Beshit) e kanë kënduar në tokat shqiptare pikërisht dervishët shqiptarë, bektashinj, ashtu sikur ishin edhe  Halil Partona e Musli Beshi, Basha.

Gjatë viteve kjo këngë mori karakter rajonal, duke u kufizuar vetëm në dënimin moral të tradhtisë, ashtu sikur dënohej në traditën dokesore shqiptare, në Kanunin e Lekë Dukagjinit

Kënga e Musës dhe Halilit, në variante edhe kënga e Hajrie Garrisë është shënuar në Visaret e Kombit, në Shkodër në vitin 1937.

Fryni era u çil taraba

Çou Halil se Avdi aga,

Me treqind sejmenë përmbrapa,

Të gjithë n’ apanga pa çorapa.

300 vet treqind dai,

Te Halili ia kanë  msye

E zeza nane na i paska ndie,

I ndien motra e zeza nanë,

– Çou Halil o gjumi o randë,

-Ku i ki arme e jataganë-

-Mi ka fshehun miku mbramë,

-S e ka mendjen me na dhane,

-E ka mendjen me na zanë.

-Bejta syla, qen,  çka t baba

-Tu dhimt buka qi ta ngrana

-S’ mu dhimt buka as rakija,

-Plot dukat mu ka mbushe shpija,

-Nuk po dhimbet miqësia,

-Miqasine do ta lame,

-Motren tane nuk e domë.

Bejta Syla qen qafiri.

Bani gost e qoj na thirr

Qoj për muzhde te Veziri,

Tu zu Musa tu ka zanë Halili

-Mori moter e zeza moter,

-Kurr mos t lefte nji djalë në votër!

-Na tradhtove na shtine n Shkoder,

-Mos m’ lefte djalë, vlla, mos m lefte çike

-Ket punë motra s’e ka ditë,

Shkoj nji muaj e shkuen do ditë,

Preu të shoqin me dy bijtë.

-Kur ja vuna thikën burrit

-Si me i nxjerrë vllaznitë prej burgut,

-Kur ja vuna thikën djalit

-Si me i nxjerrë dy sytë e ballit.

Pas shuarjes së kryengritjes së Stambollit të vitit 1730, emri dhe nami i i Halil Patronës dhe i Musli Bashës doemos se ishte përhapur edhe në viset e Arnautistanit.

Për t’i ndjekur kryengritësit kudo në Shqipëri  në pranverë të viti 1732 nga Stambolli ishte nisur një ekspeditë ndëshkuese ne krye me Osman Topall pashën e Moresë, edhe ky me origjinë shqiptare. Ai kishte marrë për detyrë nga Sulltan Mahmudi që t’i ndiqte dhe t’i  vriste  të gjithë kryengritësit shqiptarë, jeniçerët  bektashi që kishin shpëtuar pas shuarjes së kryengritjes së 22 shtatorit të vitit 1730.

Këngëtari popullor shqiptar, historinë e para 280 viteve e këndon edhe sot, por me ndryshime të mëdha.

Kënga është rikrijuar në situata dhe rrethana të reja, të përshtatura për kohën, ashtu sikur  kënga “Maliq Pasha në kali t bardhë”, të cilën  disa këngëtarë të bashkim vëllazërimit e kishin kënduar në stilin, “Marshall Tita n kali t bardhë” , apo Oj dragane iza Brega. “Trazhi majka svoga” e të tjera. Këngëtari popullor nuk ka qenë kurdoherë konsekuent në misionin e tij, sikur është krijuar dhe deri dikur edhe ekziston një bindje romantike e shumë hulumtuesve të folklorit. Ai shpeshherë iu ka përshtatur rrethanave dhe ka kënduar sipas kërkesave të publikut.

Në Kosovë dhe kudo në trojet e veriut të Shqipërisë Janë të shumta dhe mjaft të përhapura variantet e këngëve për Mustën e Halilin, Hajrie Garrinë, apo Halilin e Musën.

Në të shumtën e varianteve, Halili dhe Musa paraqiten si dy trima të Gallapit apo të Llapit, të cilët i pret në besë miku i tyre në Shkodër. Prerja në besë, mbase ishte bërë për motiv hakmarrje, sikur evidentohet në këtë variant të kënduar në Drenicë.  Në fillim të këngës, Veziri i Shkodës, kërkon nga Bejta Syla që t i denoncojë dhe t i zë miqtë e tij, të cilët si duket paraprakisht i kishin vrarë dikë të afërm.

Në Shkodër te zezë u ba beteri,

Na u kanë rrokë bejlertë ndër veti,

Briti e foli, Rrustë Rexhepi.

Vezir Pashë t’ka hup’ gajreti

Bejta Syla t’ ka ba për veti.

Vezir pasha, ne kambë na u çue,

Bejta Sylës fjalë i ka çue,

-Miqtë e ty në Shkodër i ke  prue

-Zemren teme, ma kanë shkrumue

-Pre m’i kanë, djalë e grue!

Bejta Syla, çka ka punue

-Vezir pashë, pse s’ me ke kallzue

-Se lidhë në Shkodër, t’ i kishna prue

-Si ke dashtë ti  kisha punue.

 

Bejta Syla n’ shpi ka shkue

-Eja ketu e jemja grue

-Gjithçka t veti, ki mem kallzue

-Ku i ki vllaznit, ku janë tue rrnune

-Fort për ta, jam përmallue

-Fort për ta, malli më ka marrë

Kqyr e shoqja, çka i ka thanë

-N ma dhash besën me ma dhanë,

-Ti vllazninë qi s’ m i trashton

-Gruja jote po t’ kallon.

Ja dha besën, Bejta n dine e imane

-Ty vllaznine, s’ kam me ti zanë,

Mire ja nisi, shoqja po me i kallzon

-Aj Halili ne Mramuer   jeton

-Musa i vogë asht rrogëtar,

-N Bajçinë të vogël po i ruan gjanë,

-Pa plis n krye pa opanga n kambe.

 

Bejta Syla çka po ban,

Merr një leter e po e shkruen

Se n’ Mramur Halilit ja çon.

Kqyr ne leter shka i ka thanë:

-E ke motren ne dyshek

-Malli juaj s’ pe len me vdeke

Letra djalit na i ka shkue

Merr Halili ka nise me kendue

Lot për faqe i kan’ shkue

Lot per faqe po i shkojnë

Jalla bajke na u çojka n kambe,

Fill te Musa ai po m shkon.

Musa i vogel po i kish lshue gjanë

Ja kisht dhanë shpinën një qarri

 E po i rajke ai kavallit,

-Bre kavall kavall pa  tela

-A thue din ajo motër mjera,

-Që po i ruaj 100 dhi e edha,

Me Halilin janë takue,

Të dy vllaznit kanë bisedue,

-Çou bre vlla, Halili i ka thanë,

-Motra leter na ka çue

-Motra e smutë ka qillue,

-Motra smute ka ra ne dyshek.

-Pa  mallë tonin nuk po vdes.

Musa i vogël shka ka thanë,

-Ngo bre vlla i paska thanë,

Me m ngue mue na nuk shkojmë,

Motra smute nuk ka qillue

Po don miku me na tradhtu.

Motra e smutë o Musë ka qillue

Me ba motra, ajo me vdekë

S sahat dekes shpirti s m’del.

 

Se dy djemtë kanë fillue,

Se n  tasjan kur  kokan shkue,

Musa veten e kish vajtue,

Musa veten po vajton

-Oj Kosove  ai paska thanë,

-Moj Kosovë, oj  Kosovë shkreta

-Me kto kambë une ma nuk t’ shkela

-Kam i lan’ ne Shkodër krye e eshtna,

-Ka me na pre,  ai Vezir Zeza.

 

Po shkojnë djemtë  sikur fryn era,

I kanë shkue mikut te dera.

Një za t’ vogël ia kanë lshue,

Motra e vet i ka hetue

Turr po bajka te dyert me shkue,

Bejta syla iu kish ngërmue

-Ku po  don ti mori grue?

-Zani i bacit mu dok mue!

Ktheu n shpi ti moj grue

Shpejt diçka me na gatue

Darkë të mirë me na gatue,

Do shokë të moçm m’ kanë ardhë mue

Bejta Syla  bajke darkën,

Me la n gjak  Halil at Halil agën

Bejta Syla qen qafiri,

Bani gostinë e miqtë na i thirri,

Çoj për muzhde te Veziri,

-Ardhë na kanë Musa e Halili,

-Na dash po i presim,  n dash po i lidhi.

 

Fryni era u çil taraba,

Shpejt ja mrrini Vezir Pasha,

Me treqind sejmene përmbrapa,

-Hej,  ku je ti o Halil aga?

-Hajde hajde Vezir Pasha!

-Hajde shlirë, jena n’ qorapa.

 

Musa i vogël foli një fjalë

-Ku na mbeten armët mramë?

-Na i ka fsheh haxhuzka plakë,

Po therret Halili, ori  plakë!

-Dheu brenda ty mos të lashtë!

-Fort t u dhimt’ ty  ajo darkë,

-Që na fshehe armët mbramë.

-Jo, mor bir i tha hallokja

-U ka marr ne qafe e zeza, motra,

E herret Hali e jemja motër,

-Ty  mos të lefte nji djalë n’ votër

-Mos m lefte vlla, as djalë as çike

-Kto punë motra s’ i ka ditë,

-Hajt Halil, o vlla i motrës

-Ti pret motra qentë e Shkodrës.

-Tre qen te Shkodër na i ka thanë.

-I mjeri unë, Musa po ban

-I mjeri unë per nji jatagan

-Paç me lanë n Shkodër një nam

-O mjeri per një pale pishtole,

-Paç me i lanë dy teste vorre.

 

Atëherë djemtë po i qesin prej sobe

Halil aga  trim belaja,

-Sot  bashkohen krejt dynjaja,

-Ishalla luten për ne, ulemaja.

Shehrit të Shkodrës po shkojnë tue knue,

Xhalatxhija po shkon tue ngue,

Kush janë këta, qi po vinë tuj kendue?

Kush janë keta që nuk po me tuten mue?

Xhelatxhija prehka shpatën,

Musa i vogël ja zgjati qafën,

-Më prej mue mos ma prej bacën

-Mos ma prej Bacin ma parë

-E kam pasë unë vlla e babë.

Unë me pa shpirti tuj i dalë,

Jam i ri mendt kan me m’ lane.

 

Te dy djemtë na i kanë pre

Xhelatxhja po ban be

-Unë ksi trima kurrë s’ kam  pre,

 

Nanës t’ zezë lajm i ka shke,

Fill te djemtë ajo ka shkue,

Kryet e musës në prehen e ka vnue.

Ja nis  nana po e vajton

O musa o jemi djalë

Kish mbvtetë veç pak gjallë

Veç hallallin me ua marrë

Ke hjekë keq bir deshe e dathe,

Kur don Zoti mallim me ia hjekë

Me izë të Zotir në prehen po flet

Nana ime mos ki dert

Kurrgje s ish kane kjo dynja e shkretë

Tri ditë ymër për gazep

Tri ditë yem mori nanë

 

Bija e Kastrati u qojka n kambë

Ne shpi t vet drejt po shkon

Eja shoqe na i ka thanë

Eja eja ti moj grue

Bejta syla po e therret oj grue

Eja diçka me t kallzue

Te dy vllaznit t i kena shkurtue.

Ani, ani Bejtë i ka thanë

A di çfarë bese me ka dhanë,

Une per ta gajle nuk e kam

Me pasë dashtë unë nanë e babë

Kisha ndejtë te baba në shpi

S kishna ardhe ne Shkoder me t marrun ty.

 

Te dy djemtë medet i ka marrë

Po shkon udhës  me ta po llaf po ba

Djalit t’ madh çka i paska thanë,

A dashte babë bir a po do nanë

Unë e due nanë at të mirin babë

Po rrin baba me pashallarë

Po shkruhet libra por kdnohet n kangë

E pi duhanin në qelibar.

 

Djalit të vogël shka i ka thanë

-A deshte babë bir a do naë

-Nuk e du babën, tha, mori nanë

Se pa dajë baba, ne na ka lanë

Jemi mbetë n Shkodër pa askend.

 

Motra Halilit, Hajria shka po ban

Me dy djem te shpija po shkon

Darkë të mirë ajo po gatuen

Aksham  Zoti kur pe e ban,

Per me fjetë në soba po shkojnë

Bija Kastrati me pa shka po ban,

Ajo në oborr, fill  paska dalë

Një sopatë e ajo n dorë e ka marrë.

Drejt te burrë në sobë po shkon

Sakicë në krye Bejtës po i mshon,

E mbyti burrin e po i shkon vjehrës

-Ah bre vjehërr kaurresha plakë

-Bash si nanën tu t kam dashtë

-I ra sakicë deri në dërrasë.

 

Motra e Halilit ne oborr koka dalë

Me pre djalin po i vjen shum’ randë

Per pa e pre, hiq nuk po ban

Po i ngjet Bejtes, ai rezil na ban

Deri në Kosovë marre ai na  çon

Shkoj me thikë po e helmon

 

Ajo e shkreta çka paska thanë:

-Kur i rashë sakicë burrit

-Si me u çue vllaznit prej burgu

-Kur i rashë sakicë vjehrrës

-Si me i ra Musa derës,

-Kur i rashë me thikë djalit

-Si me i nxjerrë sytë e ballit,

Na dash’ të jetë marre e n dash’ njerëzi

Tre unë i mbyta për të mij vllazni,

Keshtu me ba, nuk jam kanen razi,

Burri i keq ne ket rrugë m ka shti,

Tash kam mbetë qyqe pa vllazni,

Tash kam mbetë me Aline vogël,

Si vejushë me  cubat n Shkoder.

 

 

Literatura:

 

  1. Josef Von Hamer “Istorija Turskog Osmanskog Carstva, I. II. III”. Zagreb, 1978.
  2. Visaret e kombit, Shkodër 1937.
  3. Sami Frashëri, Fjalori enciklopedik, (Kamus-al alam), Shkup 2004.
  4. Jokai Mor, “A feher rusza”, Budapest 1853.
  5. Jokai Mor, “Trëndafili i bardhë”, përkthim, Prishtinë 2013.
  6. Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985.
  7. Enciklopedia turke-Halil Arnaut, Aranut Halil, Patrona Halil…
  8. Enciklopedia angleze, Patrona Halil.
  9. Seria filmike turke TRT 1, “Bir zamanlar osmanly kiyam” 20 episode.

10.Seria filmike turke TRT 1, “Osmanly darin devlet” 12 episode.

11.Kënga e Musës dhe Halilit, rapsodët shqiptarë.

12.Kënga e Halilit dhe Musës së Vogël

13.youtube https://www.youtube.com/watch?v=UX5tG_sBRxY)

  1. Kënga: Fryni era u çil taraba”…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …