Fjala e kryetarit Latifi të mbajtur në seancën solemne të mbajtur në Kuvendin Komunal për  14- vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Fjala e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi të mbajtur në seancën solemne të mbajtur në Kuvendin Komunal për  14- vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

I nderuari kryesues i Kuvendit të Komunës së Rahovecit Defrim Kafexhiu, anëtarë të Kuvendit, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, veprimtarë të çështjes kombëtare, zonja e zotërinj, tashmë jemi në përvjetorin e katërmbëdhjetë që kur kemi shpallur Pavarësinë e Republikës së Kosovës, një qëllim i yni, i qytetarëve të Kosovës të cilët historikisht, në një mënyrë apo tjetër, me mundësitë që kishin, dhanë gjithçka nga vetja për ta arritur këtë ditë sublime!

Të nderuar të pranishëm,

Kosova ka kaluar nëpër periudha të vështira dhe historia ka qenë e ashpër me shqiptarët. Ndonëse më 28 nëntor 1912 një pjesë e trojeve shqiptare fituan pavarësinë, më shumë se gjysma e shqiptarëve mbetën nën mëshirën e të pamëshirshmëve, qeverive gjakatare fqinje, të cilat shtypën me zjarr e me hekur çdo përpjekje të shqiptarëve për çlirim e bashkim. Gjaku ka rrjedhur lumë dhe aq shumë njerëz janë gjymtuar e privuar nga të drejtat njerëzore e kombëtare. Zemrat e shqiptarëve mbetën të copëtuara dhe duke vuajtur për pak dashuri për njëri-tjetrin. Ndonëse të ndarë me kufij me tela e gjemba, armiqtë asnjëherë nuk arritën të na bëjnë të harrojmë gjakun tonë, prejardhjen tonë të lashtë. Sa herë që stuhitë kanë rënë mbi një pjesë të atdheut tonë të robëruar, pjesa tjetër ka ndjerë dhimbje e trishtim. Kjo u dëshmua edhe në luftën e fundit për liri, kur kombi shqiptar reagoi si një i tërë, duke gjetur forma të ndryshme  të mbështetjes së luftës së drejtë për çlirimin e Kosovës. Kjo luftë, që për mburojë pati emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mbështet edhe nga popuj të tjerë të civilizuar për t’i dhënë fund një padrejtësie shekullore mbi shqiptarët. Fitorja e qershorit 1999 duhej finalizuar dhe 14 vjet më parë u vendos që Kosova të shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Ndonëse nuk ishte përmbushje e aspiratës tonë për çlirim e bashkim, pavarësia e Republikës së Kosovës përbën hap të rëndësishëm përpara drejt konsolidimit të kombit shqiptar në trojet e veta autoktone në gadishullin ilirik. Për këtë sukses u desh të sakrifikohen mijëra jetë njerëzish të pafajshëm; gra, fëmijë, pleq e të rinj. Mbase ky është “tagri i gjakut” që duhet të paguanin shqiptarët për arritjen e lirisë, siç vlerësonte intelektuali i madh, profesor Ukshin Hoti. Edhe Rahoveci me rrethinë ka kontributin e madh për liri dhe pavarësi, e në themele të tyre ka gjakun e derdhur të dëshmorëve e martirëve, mundin dhe djersën e brezave. Do t’iu jemi mirënjohës përjetë burrave dhe grave dhe të gjithë atyre që i shërbyen këtij qëllimi. Ata janë dhimbja dhe krenaria jonë, prandaj nderimi dhe respekti do të jetojë përgjithmonë.

Të nderuar të pranishëm,

Se sa e vështirë ka qenë arritja e pavarësisë e dëshmojnë edhe sot përpjekjet sistematike të armiqve tanë, të cilët në unison janë vënë kundër interesave të kombit shqiptar. Përpjekjet e tyre për ta zhbërë shtetin e Kosovës tregojnë për vrazhdësinë dhe egërsinë e këtyre armiqve, të cilët bënë gjithë ato vrasje, torturime e masakrime të njerëzve të pambrojtur në vazhdimësi. Pra, edhe sot vazhdon ajo loja e sofistikuar e janë në veprim plane e skenarë kundër Kosovës dhe Republikës sonë! Për tragjiken tonë flasin varret e shumta nëpër lëndina, përmendoret e dëshmorëve e martirëve gjithandej, flet historia e larë me gjak shqiptarësh. Megjithëkëto, shtetit të Kosovës po i sillen si fantazma ende hijenat, gjithashtu ende po vazhdon përpjekja për t’i njollosur vlerat e luftës e të lirisë dhe luftëtarët e saj janë në bankat e akuzës nga Gjykata Speciale, e Serbia vazhdon të përkëdhelet si shtet bashkë me kriminelët që janë në krye të saj, në vend se të përgjigjet e të ndëshkohet krimi dhe kriminelët e vërtetë, për gjithë ato të këqija që i bëri ndaj nesh, Përballë kësaj përpjekjeje kundër shtetit tonë, Kosova jonë duhet të mbetet e përkushtuar, ta forcojë pavarësinë dhe sovranitetin, t’i jep fuqi sigurisë dhe mbrojtjes së integritetit, njëherësh, ekonomisë, zhvillimit dhe progresit në secilën fushë. Ajo sot ka ushtrinë e vet dhe plot argumente të tjera, prandaj prej nesh kërkohet  të jemi të bashkuar, ta ruajmë, ta mbrojmë e ta përparojmë Kosovën, duke mos ju lënë hapësirë kundërshtarëve të veprojnë kundër saj e t’i minojnë të arriturat tona të përbashkëta. Ata që e duan Kosovën, pra, secili prej nesh e të gjithë bashkërisht, kanë detyrim të jenë syqelë, të punojnë e angazhohen për forcimin e lirisë dhe integritetit tonë shtetëror, pavarësisht pozitës që kemi në shoqëri. Sfidat e të sotmes janë të mëdha, por pak kohë më parë e kishim shumë, shumë më të vështirë. Forcimi i bazës shtetërore dhe puna me nder e përkushtim është “Nder dhe detyrë, prandaj besoj se do ta bëjmë së bashku, pa humbur kohë. Duke ju uruar edhe një herë në 14 vjetorin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj që festat tona në të ardhmen të kenë më shumë rezultate në Rahovec e gjithë Kosovën. Urime, shëndet dhe punë të mbara e me nder në ruajtjen e vlerave tona kombëtare dhe në forcimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës! Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të kombit! Lavdi të gjithë atyre brezave që u bënë therror për çështjen e lirisë dhe të bashkimit kombëtar! Nderim të gjithë atyre që vazhdojnë të punojnë me nder në frontet e punës për ta bërë Kosovën dhe Shqipërinë, ashtu siç e ideuan dëshmorët dhe që t’iu shërbejë shqiptarëve si komb, brezave të sotëm dhe brezave që vijnë.

Urime 17 shkurti 2022!

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë organizon tryezë diskutimi për aktivizimin kundër dhunës ndaj gruas

Komuna e Vitisë, përmes zyrës së kryetarit dhe Zyrës për Barazi Gjinore, ka mbajtur sot …