Në ceremoninë e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë adresimeve të tyre në Kuvend para deputetëve, nuk e kanë zënë fare me gojë ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe as ish-presidentin Fatmir Sejdiu. Lidhur me këtë veprim të pamatur e naiv ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili thotë se në ditë të tilla duhet t’iu njihet kontributi të gjithëve, përfshirë edhe Thaçin që kishte lexuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës. “Unë mendoj se në raste të tillë duhet të vlerësohet kontributi i çdo njërit, edhe kontributi i presidentit Thaçi, përkatësisht Thaçit si kryeministër i vendit sepse ai atëherë e ka lexuar deklaratën e pavarësisë. Edhe kontributi i presidentit Fatmir Sejdiu, edhe kontributet e të gjithë atyre që kanë punuar dhe ndihmuar për pavarësi, sepse historia nuk mund të rishkruhet mbi bazën e një mandati, në qeveri apo presidencë. Askush nuk mund ta zhbëjë faktin që në aktin e shpalljes së pavarësisë ka qenë edhe Thaçi, ka qenë edhe Krasniqi, Fatmir Sejdiu si president, prandaj unë mendoj që meritat e tyre janë aty”, ka thënë Isa Mustafa.
