Vëllezërit Osmani drejtonin një rrjet të madh droge që destinacion kishte Evropën, nga Amerika e Jugut

Vëllezërit Osmani drejtonin një rrjet të madh droge që destinacion kishte Evropën, nga Amerika e Jugut. Në rrjetin e Bashkim Osmanit e të vëllezërve të tij “kishin rënë” edhe të afërmit e Sali Berishës e zyrtarët të Ibrahim Rugovës

Mediat spanjolle, italiane e gjermane po shkruajnë për arrestimin e biznesmenit me origjinë nga Kosova,  Bashkim Osmani,  me vëllezërit e tij si drejtues të një rrjeti të madh madhe droge, që destinacion kishte Evropën nga Amerika e Jugut. Bashkë me Bashkimin, autoritetet ndërkombëtare kanë kapur edhe vëllezërit e tij: Qazimin, Burimin dhe Bekimin, Në shumë vende të ndryshme në Spanjë, Gjermani e Itali janë sekuestruar vila e shtëpi luksoze, meqë vëllezërit Osmani kishin qenë një ndër familjet më të pasura në Gjermani. Përveç Bashkimit, pjesë e familjes Osmani me prejardhje nga Gjakova, ishin edhe vëllezërit tjerë, Qazimi, Burimi dhe Bekimi.  Gazeta kroate shkruante se si Bashkim Osmani kishte qenë edhe këshilltar i ministrit të Kulturës dhe Sportit në Kosovë në vitin 2007, kohë kjo kur Ministria e Kulturës drejtohej nga Astrit Haraqija. Ata kishin miqësi edhe me vetë Ibrahim Rugovën saktëson kjo gazetë.

Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende europiane, të organizuar nga Europol. Fillimisht u tha se në shënjestër ishte një organizatë e madhe e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë, e drejtuar nga shqiptarët.

Klani “Osmani” ishte financuesi kryesor dhe garanti financiar i gjithë fushatës elektorale të Partisë Demokratike më 2005. Ata financuan pagesën nën dorë për një kompani lobimi amerikane, si dhe më pas mbështetën gjithë shpenzimet personale të Seli Berishës, për t’u shpërblyer pas fitores me marrjen nën kontroll të lojërave të fatit në Shqipëri.

Në janar të vitit 2005, Partia Demokratike nënshkroi në Uashington një marrëveshje me shoqërinë BG&R për mbështetje në fushatën elektorale të vitit 2005. Ish-këshilltari i Berishës atë kohë, Mero Baze, tregon:

“Ndërsa dilte nga zyrat e BG&R, ku Berisha sapo kishte firmosur kontratën, ishte shqetësuar dhe ishte çuditur, pse “këta” i donin 500 mijë me bankë dhe pjesën tjetër në cash.

Në kontratën formale të nënshkruar, pagesa do të ishte 500 mijë dollarë e ndarë nga 20 mijë dollarë për 25 muaj. Por jashtë kontratës do të paguheshin 1 milionë dollarë të tjerë.

Damir Fazlliçi që na printe në korridorin e ndërtesës, dukej i lumtur dhe po i jepte zemër Berishës se gjithçka do shkonte mirë. Dhe Sali Berisha e kishte një zgjidhje në mendjen e vet. Për të siguruar pagesën formale, Sali Berisha organizoi një justifikim fondesh nga 25 degë të Partisë Demokratike, të cilat gjoja do të grumbullonin nga 20 mijë dollarë. Operacioni ishte fals.

Më tej Damir Fazlliç, i cili ishte ndërmjetësi me BG&R, tha se duhet të merrte pagesën formale prej 1 milion dollarë në Tetovë. Paratë u kaluan ilegalisht në kufirin shqiptaro- maqedonas dhe dorëzimi i tyre u bë në Tetovë”.

Lidhjet e Sali Berishës me familjen Osmani ishin më të hershme. Në vitin 2002, mbesa e Sali Berishës pati nevojë për një ndërhyrje mjekësore të shtrenjtë në Gjermani dhe ajo u mundësua në Hamburg aty, ku vepron familja Osmani.

Më pas lidhjet e tyre u forcuan dhe ata u bënë garantët financiarë të fushatës elektorale të vitit 2005. Pas fitores së Partisë Demokratike, lojërat e fatit u futën tërësisht nën kontrollin e këtij klani. Ata ishin shitësit kryesorë të makinave të lojërave të fatit për kazinotë e lagjeve që u hapën në çdo cep rruge, ndërsa një rrjet i gjerë lojërash të fatit nën kujdestarinë direkte të djalit të Sali Berishës, funksiononte jashtë vëmendjes fiskale të shtetit dhe sot janë njerëzit më të rëndësishëm të klanit Osmani në Tiranë.

I njëjti klan kishte lidhje me një ministër të afërt me familjen e Rugovës në Prishtinë, të cilët po ashtu u përfshinë në biznese të përbashkëta me lojërat e fatit në Shqipëri.

Shkëlzen Berisha u bë njeri familjar i klanit Osmani. Ai ishte jo vetëm i ftuari i tyre i përhershëm në Evropë, por dhe mysafir tek shtëpia e tyre në Gjakovë gjatë një fatkeqësie ku shkoi për ngushëllime, çka tregon lidhjen e afërt personale me ta.

Lidhjet e reja që po dalin dhe me sekserë të tokave në bregdetin e Vlorës, e forcojnë dhe më shumë përfshirjen e Shkëlzen Berishës në bizneset e këtij grupi.

‘Tani që ky grup është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe është vendosur nën sekuestro, SPAK e ka për detyrë të hetojë gjithë partnerët e tyre në Shqipëri, njerëzit që kanë përfaqësuar bizneset e lojërave të fatit të lidhur me ta dhe natyrisht, Shkëlzen Berishën” – thotë, analisti, Mero   Baze.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …