Zyrtarët serbë paralajmërojnë se në takimin e sotëm në Bruksel me delegacionin e Kosovës do të diskutojnë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë edhe në tërë territorin e Kosovës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha për transmetuesin publik serb, RTS, se në Bruksel do të bisedohet “për të pagjeturit, gjyqësorin, por edhe për zgjedhjet e 3 prillit, sepse ato duhet të mbahen në Kosovë”. Petkoviq dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të takohen të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill. Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur për këtë çështje, meqë ende nuk ka qëndrim të caktuar.
