Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar gjatë viteve 1995-1997
Gjatë viteve 1992-1995 komuniteti ndërkombëtar ishte i angazhuar kryesisht në ndaljen e konflikteve të armatosura në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Derisa në aspektin e jashtëm Kosova u la në harresë, në aspektin e brendshëm në Kosovë vazhdonte dhuna sistematike policore serbe. Gjitha institucionet shoqërore-ekonomike e politike ishin uzurpuar nga Serbia, mbi 30.000 punëtorë shqiptarë ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës, nxënësit, studentët e mësimdhënësit nga shkollat e fakultetet. Filloi të mbizotëronte një gjendje e rëndë ekonomike. Tashmë ne këto momente të vështira ekzistonte solidariteti popullor dhe organizimi për ndërtimin e institucioneve paralele. Shqiptarët në Kosovë kishin ngritur sistemin e pavarur arsimor – shtëpi/shkollat, institucionet shëndetësore – nëpër shtëpi private, me një rezistencë pasive kundër okupimit serb.
Në këtë periudhë daljen nga kjo gjendje e vështirë elita politike shqiptare e kohës e shihte tek përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftimeve në Bosnjë-Hercegovinë e me këtë edhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për Kosovën. Pasi që Evropa nuk kishte qenë në gjendje ta zgjidhte krizën në Bosnjë-Hercegovinë, dhe për të parandaluar zgjerimin e krizës dhe përfshirjen e shteteve tjera në të, një përgjegjësi të tillë e mori përsipër administrata e presidentit Bill Klinton. SHBA organizoi Konferencën e Dejtonit, që u mbajt në nëntor 1995. Por, Kosova nuk ishte ftuar në këto bisedime pasi që gjasat për arritjen e paqes do të ishin më të vogla nëse do të diskutoheshin probleme të gjera dhe se pjesëmarrja e Kosovës mund të ishte shkas për zemërimin e Millosheviqit, i cili shihej nga ndërkombëtarët si çelës i arritjes së paqes.
Refuzimi i faktorit ndërkombëtar për ta trajtuar çështjen e Kosovës në Dejton shkaktoi një zhgënjim dhe pakënaqësi të përgjithshme në Kosovë. Perëndimi nuk e kishte shpërblyer durimin e popullit dhe punën e liderit të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës, pavarësisht vlerësimeve pozitive për rezistencë paqësore. Bashkimi Evropian vazhdoi me qasjen se raportet e përmirësuara midis BE-së dhe RFJ-së mund të çonin deri tek një qasje “konstruktive” e RFJ-së në akordimin e një lloj autonomie për Kosovën.
Një qasje e tillë nënkupton se Bashkimi Evropian nuk kishte ndryshuar qëndrim karshi Kosovës dhe po vazhdonte me qëndrimin e vjetër për Kosovën në kuadër të Serbisë. Një tjetër argument që e vërteton këtë konstatim është se komuniteti ndërkombëtar tani filloi të angazhohej për zgjidhjen e çështjes së arsimit në Kosovë, me shpresën se një gjë e tillë do ta qetësonte situatën e do t’i hapte rrugë dialogut të mëtejshëm midis Serbisë dhe shqiptarëve në Kosovë. Me ndërmjetësimin e komunitetit katolik Shën Exhidio u arrit marrëveshja midis Ibrahim Rugovës e Sllobodan Millosheviqit për kthimin e nxënësve dhe studentëve në objektet e tyre duke filluar nga shtatori 1996.
Sigurisht, një marrëveshje e tillë nuk u zbatua, sepse ajo kishte qenë vetëm një lojë e Millosheviqit për ta hequr nga vetja presionin e komunitetit ndërkombëtar e njëkohësisht edhe për ta goditur rezistencën aktive shqiptare që kishte filluar t’i jepte shenjat e para në Kosovë. Në anën tjetër, një marrëveshje e tillë ishte e nevojshme edhe për Ibrahim Rugovën, pozitat politike të së cilit kishin filluar të veniten në Kosovë. Në këto rrethana, qëndrimi i tillë i komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës, bëri që qarqe të ndryshme politike në Kosovë të mendonin për gjetjen e formave të tjera të rezistencës kombëtare. Deri tek një pikë e tillë çonin analizat që iu bënë vendimeve të Dejtonit. Pavarësisht kostos së izolimit ndërkombëtar, dënimeve për spastrimit etnik dhe gjenocid, serbët e Bosnjës kishin përfituar më shumë se sa kishin kërkuar.
Me fjalë tjera, marrëveshja e Dejtonit bëri të ditur se marrëveshjet territoriale në baza etnike në Ballkan, gëzonin legjitimitet në sytë e Perëndimit dhe se vetëm përdorimi i forcës në tentativat për arritjen e vetëvendosjes mund ta siguronte vëmendjen e Perëndimit. Në këtë kontekst, shumica e shqiptarëve në Kosovë tani u bindën se ishin shteruar mjetet politike dhe diplomatike për zgjidhjen e problemit, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk e konsideronte Kosovën si problem serioz. Në anën tjetër, gjatë viteve 1995-1997 shtypja serbe vazhdonte ende më ritmin e vjetër, duke privuar shqiptarët nga të drejtat e tyre më elementare, në të gjitha segmentet e jetës ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore e politike. Lëvizja shqiptare e rezistencës pasive filloi t’i nënshtrohej një transformimi të pjesshëm pasi që një pjesë e aktivistëve filloi t’i bashkëngjitej rrymave të reja. Në fakt, filloi një lëvizje aktive që fillimisht u shoqërua me demonstrata popullore. Një faktor tjetër që përshpejtoi organizimin e rezistencës aktive ishin ngjarjet e pranverës së vitit 1997 në Shqipëri. Skemat piramidale financiare që i kishte lejuar Qeveria shqiptare kishin arritur fundin e tyre të natyrshëm. Shqipëria ra në anarki. Qeveria shqiptare e kohës humbi kontrollin, kurse armatimet e braktisura nga forcat e sigurisë u vodhën. Qindra mijëra armë ishin në dispozicion të qytetarëve, sidomos pushkët automatike. Kjo ngjarje lehtësoi organizimin e rezistencës së armatosur. Një faktor tjetër që intensifikoi transformimin e rezistencës pasive në atë aktive ishte edhe Lëvizja Studentore, respektivisht demonstratat studentore të tetorit 1997. Dhuna e shfrenuar serbe kundrejt demonstruesve paqësorë bindi komunitetin ndërkombëtar për vështirësitë në demokratizimin e Serbisë, kurse ishte edhe një moment kthese, sepse ktheu vëmendjen e Perëndimit përsëri nga Kosova. Rritja e interesimit të diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, vërtetoi edhe njëherë se përfshirja ndërkombëtare ndodh vetëm pas eskalimit të situatës. Në aspektin e brendshëm, protesta po ashtu bindi popullatën shqiptare në Kosovë se me Serbinë është e pamundur marrëveshja në kushte paqësore, sidomos kur pas paqes në Bosnjë, Serbia i kishte duart e lira të merrej me Kosovën e në këtë mënyrë ta shtonte dhunën e represionin. Andaj, në kushtet e intensifikimit të dhunës dhe shtypjes së policisë serbe ndaj civilëve të pafajshëm, politikës së brendshme të vendit dhe indiferencës së faktorit ndërkombëtar, në Kosovë i erdhi fundi durimit dhe status quo-së.
Qëndrimi i faktorit ndërkombëtare gjatë viteve 1998-1999
Në kushtet e dhunës së vazhdueshme policore serbe dhe mungesës së perspektivës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, organizimi i rezistencës së armatosur u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjes së çështjes së saj. Shqiptarët u detyruan të organizoheshin për vetëmbrojtje e luftë të armatosur, me qëllim që t’i mbrojnë vatrat dhe tokën e tyre, dhe për të fituar lirinë. Ndonëse celulat e para të organizimit të rezistencës së armatosur i hasim qysh në fillim të viteve 1990, 28 nëntori i vitit 1997 shënon daljen publike në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Pavarësisht se misioni i UÇK nënkuptonte luftën për të drejtën legjitime të një populli për liri, dhe se në ballafaqim me UÇK-në forcat serbe kishin ushtruar dhunë të paparë ndaj civilëve të paarmatosur, komuniteti ndërkombëtar, vazhdoi me të njëjtat pretendime për respektimin e të drejtave të njeriut dhe sigurimin e një autonomi në kuadër të Serbisë. Madje, Robert Gelbard, emisar special i presidentit Klinton, kishte deklaruar në mars 1998, se “UÇK është një organizatë terroriste”. Një deklarim i tillë i dha pretekst të qartë Millosheviqit që të fillojë serinë e parë të sulmeve të shkallës së gjerë kundër popullatës civile, duke vrarë një numër civilësh të paarmatosur. Sidoqoftë, ka të ngjarë se prapa një deklarate të tillë qëndron papërgjegjësia apo tejkalimi i kompetencave nga Gelbardi, pasi nuk besohet se SHBA të ketë dhënë dritën jeshile për një veprim të tillë. Po ashtu, ai mund të jetë ngatërruar me ide të ndryshme brenda komunitetit ndërkombëtar që mund të shkonin deri në atë shkallë sa të mendonin për eliminimin e UÇK-së, nënshtrimin e shqiptarëve dhe arritjen e asaj çfarë kërkonte komuniteti ndërkombëtar – mosndryshimin e kufijve.
Pavarësisht deklarimeve të Gelbardit dhe të bashkëmendimtarëve të tij, UÇK ishte ushtri tipike çlirimtare. UÇK-ja nuk kishte të bënte me asnjë nga variantet e terrorizmit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës iu kundërvu agresionit serb duke u mbështetur në të drejtën që kanë popujt për t’u mbrojtur nga dhuna e agresioni si dhe për t’i sjellë atij çlirimin kombëtar. Rruga e luftës së armatosur në formë të organizimit ushtarak u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes së saj. Regjimi policor dhe ushtarak serb i Millosheviqit ishte shkaktari kryesor i përkeqësimit dhe i radikalizmit të situatës në vend, te cilët ndiqnin, arrestonin, burgosnin, rrihnin, maltretonin dhe vrisnin popullsinë shqiptare e kontrollonin me forcë territorin e pushtuar, që nuk u përkiste atyre, por popullit autokton shqiptar.
Këmbëngulja e UÇK-së dhe shkalla e paarsyeshme e dhunës së ushtruar nga autoritetet policore serbe kundër popullatës civile, bënë që komuniteti ndërkombëtar në pjesën e parë të vitit 1998 ta modifikonte qëndrimin ndaj Kosovës. Një nga përfaqësuesit e BE-së kishte deklaruar se BE refuzonte të pranonte se Kosova është një çështje e brendshme e Jugosllavisë.
Me fjalë tjera, lufta e armatosur e UÇK, që u manifestua edhe me aktin sublim të Jasharajve në Prekaz, vuri Kosovën në tryezën e diskutimeve të komunitetit evropian. Çështja e Kosovës u trajtua nga Bashkimi Evropian, Grupi i Kontaktit, Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, etj., të cilat ofruan alternativa të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nga propozimet më të rëndësishme ishte ai i Grupit të Kontaktit i datës 9 mars 1998, i cili doli me propozimin për “… një autonomi substanciale për Kosovën, që do të shprehej me vetë-administrimin e saj përmbajtësor, duke funksionuar si njësi më vete brenda Serbisë, e jo në kuadër të Jugosllavisë”. Nuk ka asnjë dyshim se një ofertë e tillë paradoksale ishte e papranueshme për shqiptarët e Kosovës.
Mospranimi i “autonomive” të tilla dhe vazhdimi i luftës së armatosur bëri që komuniteti ndërkombëtar t’i avanconte propozimet e saj për Kosovën. Tani, në tryezë të bisedimeve u hodh edhe opsioni i një republike në kudër të federatës jugosllave. Kjo skemë parashihte që Kosova të kishte kushtetutën e saj, t’i administronte çështjet e brendshme dhe të kishte të drejtën e vetos në nivel federate. Niveli federativ do të kishte kompetenca në fushën e mbrojtjes, politikës financiare dhe të politikës së jashtme. Vëmendja ndaj kësaj ideje konsistonte në faktin se nuk kishte nevojë për ndryshimin e kufijve ndërkombëtar të Jugosllavisë, edhe pse sipas logjikës së Komisionit të Badinterit Republika e Kosovës do të ishte kandidate për njohje si një shtet i ri.
Mali i Zi u shpreh kundër, sepse një skemë e tillë ia zbehte atij rolin në federatë. Por, as serbët e as shqiptarët nuk do të pranonin një skemë të tillë. Si do të mund të jetonin shqiptarët nën sigurinë e një ushtrie që kreu masakra, vrasje e depërtime, apo në anën tjetër, si mund të pranonte Serbia një republikë të Kosovës kur aq shumë energji e propagandë ishte harxhuar e kur shumë mite për serbizmin e kishin gjenezën në Kosovë.
Sidoqoftë, gjatë fundit të marsit dhe gjatë gjithë prillit 1998 SHBA dhe Bashkimi Evropian, respektivisht mekanizmat përkatëse nën drejtimin e këtyre subjekteve, dolën me ide dhe propozime të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që fillonin nga një autonomi politike e administrative, autonomi e zgjeruar, republikë me kusht, republikë me kompetenca jo si të Malit të Zi, por jo më pak se “Republika Srpska” në Bosnje-Hercegovinë, republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë pas një prove transitive të vetëqeverisje së vetë suksesshme prej 3 vitesh, etj. Por, sikurse shihet, asnjëra nga këto propozime nuk e parashihte pavarësinë e Kosovës, pra gjitha ato, pak a shumë, parashihnin gjetjen e një lloj modeli përmes së cilës Kosova do të mbetej nën Serbi, ndonëse ishte e qartë se asnjëra nga këto propozime nuk do të pranohej nga shqiptarët e Kosovës, sepse binin ndesh me parimet themelore të luftës çlirimtare.