Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë vlerëson se po ekzagjerohet alarmi nga terrorizmi në Kosovë

QKSS: DITA EVROPIANE PËR VIKTIMAT E KRIMIT

 

Prishtinë, 22 Shkurt 2022

Sot, me datën 22 Shkurt 2022, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në shënim të Ditës Evropiane për Viktimat e Krimit, ka organizuar një diskutim për sfidat dhe rrugën përpara në mbrojtjen e viktimave të krimit në Kosovë. Pjesë e panelit diskutues ishin Nënkolonel Fehmi Xhata, Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, Policia e Kosovës, Z. Leotrim Gashi, Hulumtues i lartë ligjor, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Z. Muharrem Ademi, Ekspert i Adiksionit, Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë LABYRINTH. 

Diskutimi u fokusua në efektshmërinë e politikave dhe strategjive përkatëse për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe mbrojtjen e viktimave të krimit dhe sfidat e zbatimit të tyre në praktikë. Në këtë aspekt, u vu në pah fakti që përderisa korniza ligjore dhe strategjike e mbulon në mënyrë adekuate mbrojtjen e viktimave dhe është në përputhje me standardet e institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare, zbatimi i saj në praktikë lë për të dëshiruar. Njëri ndër problemet kyçe që u theksuan në këtë diskutim është kompenzimi i viktimave të krimit, përkatësisht kapitalizimi i Ligjit Nr. 05/L-036 mbi kompensimin e viktimave. Problemet kryesore në këtë aspekt lidhen me mungesën e informatave për ekzistimin e një ligji të tillë dhe rrjedhimisht mos-shfrytëzimi i kësaj të drejte nga viktimat e krimit. Ndonëse ligji parasheh që institucionet e ndryshme që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me viktimat siç janë Policia, Gjykatat, Prokuroria, Institucionet Shëndetësore, Qendrat për Punë Sociale etj., duhet t’i drejtojnë viktimat tek programi për kompensim, në shumë prej këtyre institucione mungojnë informacionet publike në lidhje me këtë program. Për më tepër, në raste të shpeshta as mbrojtësit e viktimave nuk kanë informacione për kompenzimin e viktimave dhe shprehin paqartësi në lidhje me funksionimin e këtij ligji. Në anën tjetër, edhe gjatë proceseve gjyqësore ka paqartësi nëse kompenzimi duhet të trajtohet gjatë procedurës penale apo si proces i ndarë në procedurë civile, duke dekurajuar kështu viktimat të përfitojnë nga ky ligj. 

Në diskutim gjithashtu u trajtua zgjatja e tepërt e procedurave gjyqësore, problem ky që shkon në dëm të viktimave të krimit. Në diskutim u argumentua se stërzgjatja e trajtimit të lëndëve në gjykata i vë viktimat e krimit në rrezik sepse rrit potencialin e ekspozimit karshi kryersve të veprave penale, cenon konfidecialitetin e viktimave dhe vë në pyetje trajtimin dinjitoz të viktimave të krimit nga institucionet e Kosovës. Në këtë aspekt, një praktikë e tillë është tejet dekurajuese për të gjithë ata që raportojnë krimin ose janë viktima potenciale të krimit. Për më tepër, joefikasiteti i sistemit të drejtësisë gjithashtu dëmton rëndë besimin qytetar karshi institucioneve të ndryshme që janë të përfshirë në hallkën e mbrojtjes së viktimave, pavarësisht kompetencave që ata kanë. 

Për më tepër, në këtë aktivitet u diskutua edhe për trajtimin e të varurve nga droga dhe ekspozimin e lartë të të rinjve nën 18 vjeç ndaj drogave. Në veçanti u diskutua për nevojën e ngritjes së vetëdijes që përdorimi i drogës të shihet nga prizmi i shëndetit publik dhe ngritjes së kapaciteteve të institucioneve të ndryshme për trajtimin e varësisë. Gjatë diskutimit u vu në pah fakti që kriminalizimi i përdorimit të drogës nuk përkon me politikat e shteteve të BE-së, përderisa një qasje nga perspektiva e përgjegjësisë penale rrezikon stigmatizimin e përdouresve të drogës dhe thellimin e mëtutjeshëm të këtij problem.

Ky diskutim u organizua në kuadër të koncorsiumit rajonal “Radari i Krimit të Organizuar në Ballkanin Perëndimor(WB-OCR)”. WB-OCR synon të fuqizoj rolin e shoqërisë civile në luftimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të kontribuojë në zhvillimin e politikave efektive dhe afatgjata kundër krimit të organizuar në kontekstin e zgjerimit në BE (Kapitulli 24: Liria, Siguria dhe Drejtësia). Projekti vjen si një përgjigje ndaj debatit jo të plotë dhe ad hoc rreth krimit të organizuar dhe mungesës së analizave dhe vlerësimeve të rregullta të pavarura të cilat ekspozojnë arsyet e joefikasitetit të qeverive në luftën kundër krimit të organizuar.

Kontrolloni gjithashtu

Arrestohet një i dyshuar për dhënie ryshfeti

Më 8 nëntor 2024, zyrtarët e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë,  gjatë një …