Naim Lubovci u lind më 10 shtator të vitit 1979, në fshatin Greiçevc të Therandës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollimin e mesëm nuk e vijoi për shkak të kushteve ekonomike dhe rrethanave të pushtimit.
Naimi rrjedh prej një familje me tradita atdhetare. Në aksionin famëkeq për grumbullimin e armëve të shqiptarëve nga regjimi i Titos dhe i Rankoviqit në dimrin e viteve 1955-1956, UDB-eja jugosllave i keqtrajtoi rëndë babain dhe gjyshin e Naimit. Meqë ata nuk kishin dorëzuar armë dhe milicët kishin të dhëna se ata i dispononin ato, me pretekst të kërkimit të armëve policët serbë ia rrahin familjen edhe në vitin 1997. Asokohe në fshatin Graiçevc, milicët serbë të stacionit policor të Therandës, por edhe të Shtimes kanë torturuar një pjesë të madhe e burrave të fshatit në kërkim të armëve, që ata i mbanin pa leje.
Babai i Naimit, Qazimi ishte murator dhe e angazhonte të birin ta ushtronte këtë zeje me të cilën mbante familjen, mirëpo ai kishte të tjera synime. Një natë i kishte treguar së ëmës për dëshirat e tij dhe kishte kërkuar nga ajo që të bisedonte me babain e tij që ta lejonin të kyçej në radhët e UÇK-së.
Nëna i kishte përkujtuar faktin se ishte i ri dhe nuk do ta pranonin në radhët e UÇK-së. Mirëpo babai Qazimi, jo vetëm që i dha bekimin por edhe u angazhua t’i gjente armën, me qëllim që ai të kryente detyrën e tij për atdheun dhe kombin.
Fillimisht Naimi u paraqit në Shtabin e Malishevës, por nuk e pranuan atje, duke i thënë se ende ishte i ri në moshë. Ndërkohë depërton në fshatin Bllacë të Therandës, fshat që mbahej nën kontroll të UÇK-së, por edhe aty nuk gjen mirëkuptim.
Mirëpo për fat të tij, më 15 Qershor 1998 pikërisht në lagjen e Lubovcve, u formua Kompania e Dytë e Brigadës 121, komandant i së cilit ishte Ismet Jashari “Komandant Kumanova”, ndërsa komandant i kompanisë së dytë ishte Jetullah Qarri i njohur me emrin e luftës si Komandant “Guri” Ai tashmë ishte tërë shend meqë ishte pranuar në radhët e UÇK-së në fshatin e tij të dashur, në vendlindjen e tij të cilën e donte më shumë se çdo gjë në botë dhe tashmë iu kishte dhënë rasti të luftonte edhe për çlirimin e saj nga robëria. Familja e tij e luftës ishte më e madhja dhe ajo tashmë përbëhej nga pjesëtarë me emra të ndryshëm si: Guri, Çuni, Norisi, Luani, Murisha, Kodra, Plaku, Gega, Biti, Studenti e shumë të tjerë që shtoheshin çdo ditë.
Menjëherë u morën masat e duhura dhe i gjithë fshati u mobilizua në hapjen e istikameve. Ndër familjet që kishte dhënë më së shumti në atë lagje ishte familja e Naimit, e cila menjëherë liroi shtëpinë për strehimin e ushtarëve dhe gjithçka që kishte nga materiali, fuqia punëtore dhe dy djem ushtarë. Naimi u inkuadrua në këto punë aq me rëndësi, i frymëzuar tej mase. Edhe pse i ri në moshë tashmë ishte aftësuar të përdorte çdo lloj arme, që posedonte në atë kohë UÇK-ja. Mori pjesë në ofansivën e parë në Qafë të Duhël, më 23, 24 dhe 25 gusht të vitit 1998. Gjatë asaj ofensive të forcave armike ranë në altarin e lirisë dy luftëtarë të dalluar: Mehmet Lumi dhe Safet Kica, i cili kishte ardhur në ndihmë nga Batalioni i Budakovës. Nga radhët e UÇK-së pati edhe shumë ushtarë të plagosur, ndërkohë më 25 gusht në vendin e quajtur “Bajrak” të fshatit Luzhnicë kishte rënë në altarin e lirisë së Kosovës edhe Ismet Jashari – “Komandant Kumanova”.
Naim Lubovci ishte pjesëmarrës edhe në ofensivën e Budakovës më 26, 27 dhe 28 shtator të vitit 1998 dhe në shumë aksione të tjera që i ka ndërmarrë UÇK-ja në Grykën e Carralevës, në fshatin Muhlan, në lagjen e Lubovcve etj.
Falë përkushtimit dhe trimërisë, Naimi u emërua komandant skuadre dhe zëvendës-komandant i togut të tretë, ku për komandant togu kishte luftëtarin Shaqir Tërshani, po ashtu dëshmor.
Për shkak të numrit të vogël të ushtarëve që kishte në Fshatin Reçak dhe rrezikut që po kanosej, meqë forcat serbe ishin shumë afër, me urdhër të SHP të UÇK-së dhe Komandantit të Batalionit Guri, togu i Shaqir Tërshanit shkoi në përforcim në fshatin Reçak më 19.12.1998. Në atë togë ishte edhe Naimi, i cili me mjaft mjeshtëri e përdorte edhe topin pa dridhje të kalibrit 75 mm. Ata qëndruan atje deri më 30.12.1998 dhe gjatë kësaj kohe kryen edhe disa aksione.
Më 15 janar 1999 herët në mëngjes, forcat e shumta serbe kanë sulmuar Reçakun. Me këtë rast, posa u dëgjuan krismat u dha urdhër që të shkojë një tog në përforcim, për çudi të gjithë dëshironin të shkonin sikur të ishin duke shkuar në dasmë. Ishte vendosur që të shkonte Shaqir Tërshani me togun e tij, me të ishte edhe Naim Lubovci. Ata u pozicionuan në fshatin Petrovë, në vendin e quajtur te “Dheu i Kuq”, ku me topin e tyre Shaqiri dhe Naimi ua kallën frikën në palcë barbarëve serbë dhe nuk lejuan armikun të futej në fshatin Petrovë.
Lufta vazhdoi edhe për një javë me radhë sepse armiku donte qe t’i merrte kufomat e Masakrës së Reçakut me qëllim që t’i humbte gjurmët. Për tri ditë rresht trimat e lirisë nuk lejuan që kufomat të nxirreshin nga xhamia e Reçakut. Gjatë kësaj kohe është bërë një luftë e rreptë sepse armiku dëshironte që nga ana e prapme, nga Lagjja e Lubovcve nëpër fshatin Rancë të depërtonte në Reçak. Armiku nuk i realizoi këto synime meqë në pozicione ishin Shaqiri, Naimi, Esati, Safeti dhe i gjithë Njësiti Diversanto-Vëzhgues i Brigadës 60 Kumanova, pran SHP të UÇK-së.
Në ofansivën e pranverës së vitit 1999, kur forcat serbe kishin ndërmarrë një sulm të përgjithshëm kundër UÇK-së dhe popullit shqiptar në përgjithësi, Njësiti diversant vëzhgues i Brigadës 60 “Kumanova” të SHP të UÇK-së, luftoi deri në mbrëmje të datës 10 maj 1999. Gjatë kësaj ofansive kanë rënë dëshmorët e kombit, Esat Curri, më 22 prill, Safet Elshani më 8 maj, Shaqir Tërshani, më 10 maj 1999. Po atë ditë rreth orës 19.30, Naim Luboci ishte duke u shkuar në ndihmë shokëve që ishin në lagjen Bungu. Në pararojën ku bënte pjesë, Naimi ka hasur në forcat policore e ushtarake serbe para pozicioneve, në lagjen Mehmeti, në fshatin Topillë. Ai ka luftuar ballë për ballë dhe ka rënë dëshmor për çlirimin e Kosovës nga mizoria dhe barbaria serbe. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …