leoni

Prof. assoc. dr. Sabit Syla

Prof. dr. Sabit SYLA: QËNDRIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTAR NDAJ KËRKESAVE TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS PËR PAVARËSI 1990-1999 III

Krahas aktiviteteve të komunitetit ndërkombëtar, në terren gjithnjë e më shumë po faktorizohej UÇK, e cila me ngulm kërkonte të merrte përgjegjësinë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar e kishte kuptuar se nuk mund të arrihej një zgjidhje pa UÇK-në, prandaj për të kuptuar nga dora e parë qëllimet e luftës çlirimtare, diplomati i rangut të lartë amerikan, Riçard Holbrok, zhvilloi në fund të qershorit 1998 në Junik një takim me përfaqësues të UÇK. Edhe pse Holbrok kishte deklaruar se “… ishte një takim jozyrtar midis përfaqësuesve amerikanë dhe atyre të UÇK-së me qëllim të identifikimit të gjendjes reale në terren …”, megjithatë një akti i tillë mund të konsiderohet edhe si njohje e heshtur e UÇK-së nga SHBA.

Pas momentit të cekur më lart, faktori ndërkombëtar gjithnjë e më tepër do të orientohet tek Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, pasi që UÇK-ja ishte forcë reale në terren, e cila nuk mund të anashkalohej as nga faktori ndërkombëtar e as nga Jugosllavia në përpjekjet për ndaljen e luftimeve dhe vendosjen e paqes. Në këtë mënyrë kontaktet midis UÇK dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë do të intensifikohen gjatë nëntorit 1998. Diplomatët evropianë e amerikanë u takuan me përfaqësues të UÇK-së në Dragobil më 6 nëntor 1998, në të cilën UÇK përfaqësohej nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja. Këto takime ishin një indikacion i qartë se adresa e bisedimeve me shqiptarët tanimë ishte zhvendosur nga Prishtina në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe se UÇK tanimë ishte pranuar edhe zyrtarisht si faktor vendimtar për çështjen e Kosovës.

Zgjerimi i territoreve nën kontroll të UÇK dhe kundër ofensiva serbe e gushtit 1998, që u shoqërua me zhvendosjen e një numri të madh civilësh nga vendbanimet e tyre, bëri që komuniteti ndërkombëtar të angazhohej për ndaljen e luftimeve, si parakusht për zhvillimin e aktiviteteve drejt gjetjes së një zgjidhjeje paqësore. Më 13 tetor 1998 nënshkruhet marrëveshja ku policia e ushtria serbe do të ktheheshin në nivelet e paraluftës, në Kosovë do të vendosej misioni verifikues i OSBE dhe se NATO do të bombardonte Jugosllavinë brenda 96 orësh nëse marrëveshja nuk do të realizohej. Pavarësisht këtij kërcënimi, gjatë periudhës janar-mars 1999 vazhdoi dhuna brutale e forcave serbe kundër civilëve. Mbi 200 000 njerëz u dëbuan nga vatrat e tyre, kurse nga Serbia gjithnjë e më tepër vinin përforcime ushtarake. Kulmi i dhunës serbe ishte masakra e Reçakut, 15 janar 1999, ku u masakruan mbi 45 civilë. Më 20 mars Misioni Verifikues u tërhoq nga Kosova.

Ndërkohë në shkurt 1999 kishte filluar punën Konferenca e Rambujesë që për detyrë kishte gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën. Bisedimet për bazë kishin projekt propozimet për të ardhmen e Kosovës, të hartuara nga diplomatët Hill dhe Petrisch. Në përbërje të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës ishin përfaqësues të UÇK-së dhe të spektrit politik të Kosovës. Delegacioni i Kosovës kryesohej nga përfaqësuesi i UÇK-së, Hashim Thaçi. Teksti i parë i draft marrëveshjes që iu prezantua shqiptarëve dhe serbëve kishte pesë pika: ndërprerja e menjëhershme e dhunës; tërheqja e menjëhershme e forcave policore e ushtarake jugosllave nga Kosova; stacionimi në Kosovë i një force ushtarake të udhëhequr nga NATO; rikthimi i sigurt i refugjatëve dhe personave të zhvendosur; dhe një zgjidhje politike që përbëhet nga një autonomi e zgjeruar për Kosovën.

Por, propozimi nuk kishte qenë i pranueshëm për dyja palët. Jugosllavia refuzoi praninë e forcave ndërkombëtare, kurse shqiptarët opsionin e autonomisë së zgjeruar të cilin e kishin pasur edhe me Kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa e spektrit politik shqiptar ishte pavarësia, pasi që dhuna brutale serbe prej disa dekadave nuk kishte lënë hapësirë për shqiptarët që të jetojnë nën ombrellën e shtetit serb.

Më 15 mars 1999 rifilluan bisedimet, që ishin ndërprerë për shkak të mospajtimeve. Teksti i ri i negociatave ofronte një autonomi të zgjeruar që përmbante një vetëqeverisje për gjitha çështjet e brendshme, si: arsimi, shëndetësia dhe ekonomia. Kosova do të kishte presidentin dhe kuvendin, gjykatën supreme, qeverinë etj. Trupat dhe zyrtarët e huaj do ta garantonin zbatimin e marrëveshjes. Autonomia e zgjeruar do të ofrohej për një periudhë prej tre vitesh. Pas tre vitesh do të mbahej një konferencë ndërkombëtare për të vendosur mbi statusin final të Kosovës. Kompetencat e RFJ në Kosovë do të ishin: (a) integriteti territorial; (b) ruajtja e tregut të përbashkët brenda RFJ; (c) politika monetare; (d) mbrojtja; (e) politika  jashtme; (f) doganat; (g) sistemi tatimor federal; etj. Për më tepër, në Kosovë do të kishte tre nivele të autoriteteve të zbatimit të ligjit, kosovare, republikane dhe federale, kurse kufijtë ndërkombëtarë do të kontrolloheshin nga autoritetet jugosllave (rreth 1500 ushtarë). Në Kosovë do të zbarkonte edhe një forcë e NATO-s si garantuese e marrëveshjes. Në përmbyllje të draft tekstit qëndronte dispozita që parashihte organizimin e një konference ndërkombëtare për të caktuar mekanizmat për zgjidhjen e statusit final të Kosovës bazuar në vullnetin e popullit, përpjekjeve të palëve për respektimin e marrëveshjes dhe Aktit Final të Helsinkit.

Pavarësisht se premtohej një konferencë për statusin e Kosovës, një formulim i tillë, ku theksohej ruajtja e integritetit territorial të RFJ dhe politikat e përbashkëta në sferat më të rëndësishme, ishte vështirë i pranueshëm për delegacionin shqiptar. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Albright, i dha garanci të qarta delegacionit shqiptar në Rambuje se shprehja “vullnet i popullit” nënkupton vullnetin e popullsisë në Kosovë e jo të asaj në Serbi e Mal të Zi, që do të shprehet përmes referendumit. Delegacioni shqiptar e nënshkroi marrëveshjen, kurse serbët e refuzuan. Më 24 mars 1999, filloi fushata e sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve policore e ushtarake jugosllave. Fushata zgjati 78 ditë. Në qershor 1999 gjeneralët e Millosheviqit u detyruan ta nënshkruanin kapitullimin e Ushtrisë jugosllave dhe brenda një kohe të shkurtër forcat serbe u detyruan të tërhiqen nga Kosova, kurse në Kosovë u vendosën Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), dhe KFOR-i.

Në tërë Kosovën periudha para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s ishte e shoqëruar me beteja të rrepta ndërmjet forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe dhe forcave të UÇK-së.

Si përfundim, mund të konstatojmë: nga të gjitha analizat del përfundimi se, faktori vendimtar për të arriturat në Kosovë ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës, ishte UÇK-ja me dinamizmin, pjekurinë, operacionalitetin, zhdërvjelltësinë, largpamësinë, qëndrueshmërinë, unitetin, kompleksitetin dhe ndërveprueshmërinë. Të gjithë faktorët e tjerë kanë qenë faktorë ndihmës dhe mbështetës… Pra, është e qartë se pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pa luftën e e drejtë të saj, nuk do të kishte as ndërhyrje të NATO-s dhe as mbështetje të opinionit ndërkombëtar dhe organizmave evropianë e botërorë.

Fund

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …