Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, ka nisur për në Kosovë një grup prej 30 efektivë komando nga Forcat e Armatosura. Ky kontingjent do t’i bashkohet forcave të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se ky mision në Kosovë do të kontribuojë për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa janë rritur tensionet pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. “Në këto ditë të sfiduara të paqes dhe sigurisë globale kjo e shton dyfish e rrit vëmendjen, por edhe përgjegjshmërinë e secilit prej nesh e secilit prej jush për të shërbyer me profesionalizëm, me disiplinë ushtarake, me dinjitet në respektim të kodit të etikës dhe të vlerave të aleancës tonë”, tha ai sipas një komunikate të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkaq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor, Bajram Begaj, tha se dërgimi i forcave në Kosovë po bëhet në një moment të “turbullt” të sigurisë në krahun lindor të aleancës. “Siguria globale është më shumë se kurrë ndonjëherë e rrezikuar dhe e kërcënuar. Rajoni dhe vendi ynë nuk janë imunë ndaj këtyre veprimeve të Rusisë”, tha ai. Efektivët shqiptarë do të shërbejnë përkrah trupave të Kroacisë dhe Italisë. Dërgimi i trupave shqiptare në Kosovë vjen një ditë pasi NATO tha se është e përkushtuar që të garantojë siguri në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor. (ReL)
Kontrolloni gjithashtu
Dhjetëra të vrarë nga dhuna sektare në Pakistan
Dhuna sektare mes sunitëve dhe shiitëve në Pakistan, ka shkaktuar dhjetëra të vrarë. Gjatë tri …