Më 26 shkurt të vitit 1936, lindi Simboli i Rezistencës kombëtare shqiptare, Adem Demaçi. Ai u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg. Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet burg gjatë kohës së regjimit të RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 1998- 1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë. Pas luftës ishte tejet aktiv në jetën qytetare por nuk iu dha ndonjë pozitë zyrtare, në Shtetin e Kosovës për të cilin ka bërë aq shumë. Në vitin 2015 Adem Demaçi me disa ish të burgosur politikë themeloi TV-Diellin, por meqë ndërkohë ishte sëmurë familja e tij i tërhoqi mjetet, të cilat i kishte investuar në këtë medium. Adem Demaçi vdiq më 6 korrik 2018, në Prishtinë. (Kalendari Kombëtar TV-Dielli)
