Sa bukur e bëjnë shqiponjën, shqipet që kanë ardhur të mësojnë gjuhën amtare. Nxënësit e Shkollës Shqipe në Erlen të Kantonit të Thurgau-t përshëndesin bashkëmoshatarët e tyre duke ju bërë thirrje, ejani edhe ju ta mësojmë së bashku gjuhën e nënës.
Nga një vendbanim në tjetrin, nga njëri skaj i Zvicrës në tjetrin, “Shkolla Shqipe” në Zvicër vazhdon me hapjen e pikave tjera shkollore. Thënë shkurt aty ku punohet me përkushtim sukseset nuk mungojnë. Pas dhjetëra e dhjetëra pikave shkollore në mbarë Zvicrën, dje, me datën 25 shkurt 2022 hapet edhe pika shkollore e radhës, tani në Erlen të Kantonit Thurgau. Ishte kënaqësi e veçantë t`i shohësh 22 nxënës të cilët u regjistruan qysh në ditën e parë. Edhe 4 nxënës të tjerë për shkaqe subjektive nuk arritën të vijnë në orët e para të gjuhës shqipe, ata do t`iu bashkëngjiten në javën në vazhdim.
Pra thënë shkurt qindra e qindra nxënësve të shkollave shqipe iu bashkëngjiten edhe njëzet gjashtë nxënës të rijë. Dhe në javët në vazhdim do të lexojmë dhe do të shohim edhe më shumë nxënës të cilët do të ulen në bankat shkollore për të mësuar shqip, edhe në pikat tjera shkollore. Kështu na informon koordinatori i “Shkollës Shqipe” në Zvicër, z. Vaxhid Sejdiu, i cili me punën dhe angazhimin e tij së bashku me prindërit dhe mësuesit e tjerë është bërë shembulli më i mirë se si punohet për shkollën shqipe. “Ai na shpjegoi se pas një pune të vazhdueshme gjatë këtyre dy (2) muajve të fundit me prindërit në këtë rrethinë arritëm të hapim pikën shkollore në Erlen të Kantonit të Thurgau-t. Pothuajse çdo javë hapim nga një pikë shkollore. Tani “Shkolla shqipe” në Zvicër, tani është një realitet i bukur në mërgatën shqiptare në Zvicër dhe më gjerë. I madh është numri i prindërve dhe veprimtarëve, të cilët paraqiten dhe kërkojnë njoftimet për shkollat e radhës. A ka gëzim më të madh se të hapësh një pikë shkollore në gjuhën amtare.”
Sa të buzëqeshur, sa të gëzuar! – Dhe sot lumturia shihet në fytyrat e tyre: Lejla, Rona, Saranda, Sumeja, Melisa, Medina, Rubina, Rumeisa, Zirkade, Klea, Ezana, Diari, Loriku, Eljana, Suela, Hana A., Loreta, Ermira, Hana N., Enesa, Fortesa, Aroni… së bashku me mësuesen e tyre Anila Borova
Gëzuar nxënës!
Suksese në orët e gjuhës shqipe!
“Shkolla shqipe – Zvicër”
Sektori për informim
Isuf Ismaili