Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e pestë, ndërsa gjasat e këtij shteti për ta përballuar më gjatë Armatën ndër më të fortat e botës, sikur është kjo e Rusisë, janë më shumë se skeptike. Pavarësisht se mediet në perëndim po mundohen ta paraqesin Ukrainën se fuqi që po përballon me sukses pushtimin, e vërteta është se Rusia po përparon duke u kujdesur edhe për popullatën civile, ukrainase, që është shumë e afërt me atë ruse si nga përkatësia gjuha dhe feja, por edhe për faktin historik se këta dy popuj edhe kanë jetuar me shekuj së bashku duke qenë pjesë e Perandorisë Ruse, si shtet i madh sllav i Evropës Lindore.
Rusët e ukrainasit nuk janë njëjtë si ruset e polakët, as si serbët e Kroatët. Ukrainasit janë më afër me ruset se me çdo komb tjetër sllav, andaj edhe përmbajtja e Rusisë, tregon se ajo me çdo kusht do të kërkojë dhe do të vendosë një qeveri por ruse në Ukrainë, ashtu sikur në Bjellorusi e në disa shtete të tjera. Ky është qëllimi i Kremlinit dhe këtë me siguri se do ta arrijë. Rusia vazhdimisht ka kërkuar që ish shtetet e Bashkimit Sovjetik të mos bëhen pjesë e NATO-s.
Shtetet e Evropës dhe Amerika e kanë joshur Ukrainën që të ndahet e të largohet sa më shumë nga Rusia, duke i premtuar integrim në Bashkimin Evropian dhe por në NATO. Mirëpo tani po shihet se premtimet kanë qenë verbale, ndërsa manovrimet e tyre ushtarake kanë pasur për qëllim që ta frikësojnë Rusinë, në mënyrë që ajo të bindet se perëndimi do të reagojë, do ta armatosë Ukrainë dhe në fund do të angazhohet edhe ushatarkisht. Mirëpo kjo as ka ndodhur as do të ndodh, meqë Kremlini zyrtar i ka në dispozicion të gjitha forcat për ta arritur deri atje ku synon.
Sesi po ballafaqohet Ukraina me realitetin e ndihmës nga Perëndimi këtë e bëri të ditur edhe ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andrij Melnjik. Ai e ka kritikuar reagimin e qeverisë gjermane ndaj pushtimit rus të Ukrainës, duke e cilësuar “zemërftohtë”. “Më duhet të ju tregoj se nuk kam qarë shumë vjet. Sot ishte ajo ditë dhe ne kemi qarë. Megjithatë, jo vetëm për shkak të luftës së pabesë dhe asgjësimit. Unë, në të vërtetë, qava sot për shkak të ftohtësisë dhe indiferencës që hasa në Berlin gjatë ditës”, ka saktësuar ambasadori ukrainas. Ai u takua me disa pjesëtarë të kabinetit qeveritar gjerman dhe tha se u prit nga “disa ministra”, nga të cilët kërkoi “karburante dhe pajisje për ushtrinë”. Ambasadori tha se përgjigjja e tyre e la vërtet pa fjalë, shkruan ZDF. Melnyk citoi qeveritarët gjermanë t’i kenë thënë: “Sipas vlerësimit tonë, ju, ukrainasit, mund të keni edhe disa orë. Nuk ka kurrfarë kuptimi që t’ju ndihmojë tash. Ambasadori tha se nuk mundi të kuptonte se si dikush mund të mbetet “aq zemërftohtë dhe kokëfortë” para ushtarëve që po vriten dhe para qytetarëve që po qëllohen me armë. Ai u bëri thirrje gjermanëve që ta ndihmojnë Ukrainën për t’ia ndryshuar mendjen qeverisë federale. “Kjo politikë, ky ngurrim na lë si kurban që theret para kamerave”, tha ambasadori ukrainas.
Edhe kërcënimet e NATO-s dolën të kenë qenë më shumë propagandë dhe përpjekje për ta frikësuar Rusinë, edhe pse Aleanca Veri-atlantike nganjëherë ka deklaruar se nuk mund ta mbrojë Ukrainën, i cili nuk është pjesë e Aleancës.
Amerika, nuk rrezikon paqen botërore, jo vetëm për Ukrainën por për asnjë shtet tjetër të globit, meqë e di po aq mirë sa edhe vetë Kremlini se me çfarë force bërthamore mund të ndeshet. Nuk është më Rusia e dobët e Jelcinit, sikur ishte për fatin tonë të madh në vitin 1999, por është një Rusi krejt tjetër, një forcë e madhe ushtarake e ekonomike botërore, në mesin e tri shteteve më të forta të botës, pas Amerikës dhe Kinës.
Andaj Ukraina është qengji i flijimit, edhe për faktin se drejtuesit e shtetit nuk i kishin analizuar mirë rrethana gjeostrategjike, por ishin joshur nga vendet e Evropës e nga Amerika, pa e studiuar mirë pozicionin e vet, forcat e veta dhe rreziqet me të cilat do të ballafaqohej dhe që realisht po ballafaqohet.
Politika e Rusisë ndaj Perëndimit është shumë e qartë. Tani kjo po shihet edhe në vepër. Rusia nuk lejon zgjerimin e NATO-s, madje as afër shteteve me të cilat kufizohet. Po kështu Rusia, në rast të ndonjë të papriture të ndeshjes me forcat ushtarake të Perëndimit ka në Krah Kinën dhe Iranin, madje muaj më parë ka lidhur edhe një aleancë me këto dy shtete. Në një konfrontim të tillë shumë shtete të tjera të Azisë, do të rreshtoheshin me Rusinë.
Ukraina, dashur pa dashur do t’i nënshtrohet diktatit nga Kremlini, jo sepse është e drejtë, por sepse forca nuk pyet për të drejtën, por e bën të veten. Ukraina është shtet me një popullsi të madhe që arrin afër 45 milionë banorë, dhe nuk do të duhet ta lejonte veten të bëhet mish për top për fuqive të mëdha për interesat e tyre. Po ashtu duhet të bindet se territoret e saj me shumicë ruse, nuk mund t’ i marrë me vete, për t i bashkuar me Evropën, sepse këtë nuk e duan ata, as e lejon Rusia, që numerikisht është tri herë më e madhe se Ukraina, ndërsa ushtarakisht, nuk mund as edhe të llogaritet. Dihet po ashtu botërisht se Bashkimi Sovjetik në kohën e Hrushçovit, ia kishte bashkuar Ukrainës rajonin e Krimesë me qëllim që vendi të zhvillohej më shumë ekonomikisht, pasi në atë kohë republikat e Bashkimit Sovjetik jetonin të bashkuara në një shtet të vetëm.
“Analistë” të vetëquajtur të disa TV-ve, në Kosovë që rrinë kujdestare për të shitur mend dhe për të profetizuar se Rusinë do ta mund Ukraina, se Putini do ta ketë fatin e Millosheviqit, se Amerika, Evropa, NATO e Turqia do ta mundin Rusinë. Konstatime të tilla janë profka naivësh që nuk meritojnë, as të përmenden.
Për Qeveritë, në Tiranë dhe në Prishtinë është me rëndësi të bashkëpunojnë e të bashkëveprojnë dhe të jenë të përgatitura nga ndonjë aventurë e papritur që mund të vijë nga Serbia, e cila sikur po shihet, në rastin e Ukrainës është futur në kurthin e vet, sepse në këto rrethana nuk mund ta mbajë gjatë qëndrimin e vetë dualist, me Rusinë dhe me Ukrainën.
Serbia përkrah integritetin e Ukrainës, për t i thënë botës se ajo përkrah të drejtën ndërkombëtare për mos ndryshimin e kufijve, duke menduar se ora e historisë kthehet prapa dhe bota do ta shpërblejë Serbinë me kthimin e Kosovës, nën “sovranitetin” e saj, vetëm sepse po u treguaka parimore, duke menduar se janë harruar krimet, masakrat e gjenocidi që e ka kryer Serbia në Kosovës, Bosnje e në Kroaci.
Serbia ende po ushqehet me ëndrra, me iluzione e përralla priftërinjsh mjekërgjatë.
Sa i përket Kosovës, Rusia e ka bërë të ditur se do të pajtohet me çdo marrëveshje që do të arrihet në Bruksel dhe që do të jetë e pranueshme për të dyja palët, kështu që frika se Rusia do ta lejojë apo do ta ndihmojë Serbinë ta okupojë Kosovën është jashtë çdo logjike, sepse Kosova nuk ka pasur as ka ndonjë ngjashmëri me zhvillimet dhe luftën në Ukrainë.
Serbia aktualisht por pret përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë, për të marrë mësim, por përderisa në Kosovë janë të stacionuara forcat paqeruajtëse të KFOR-it, ajo kurrsesi nuk mund të lëshohet në një aventurë të tillë dhe kurrsesi pa marrë pëlqimin e Kremlinit.