Kryeministri bullgar Kiril Petkov shkarkoi të hënën Ministrin e Mbrojtjes Stefan Yanev për shkak të ngurimit për ta cilësuar sulmin rus në Ukrainë si një luftë. Kryeministri nënvizoi se Sofia do të flasë me një zë me Bashkimin Evropian. Zoti Petkov tha se koalicioni i qendrës i qeverisë së tij do t’i kërkojë parlamentit të martën të miratojë shkarkimin e zotit Yanev dhe emërimin në vend të tij të Todor Tagarevit, i cili ka qenë përkohësisht në këtë detyrë edhe në vitin 2013. “Ministri im i mbrojtjes nuk mund të përdorë fjalën operacion në vend të fjalës luftë. Nuk mund të quhet operacion kur mijëra ushtarë nga njëra palë dhe nga tjetra janë vrarë tashmë”, tha zoti Petkov në një deklaratë të transmetuar në televizion. “Nuk është në interesin e Bullgarisë të mbajmë kokën ulur… Nëse shohim diçka për të cilën nuk jemi dakort, diçka kaq të dukshme, nuk mund të rrimë të heshtur”, tha zoti Petkov.
Kontrolloni gjithashtu
Riçard Verma: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë
Zëvendës-sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma, shprehu shpresën se dialogu mes …