Sot në përvjetorin e 24-të të Betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Çirez e Likoshan

Në përvjetorin e 24-të të Betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Çirez e Likoshan, si dhe në nderim të sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve të këtyre fshatrave, delegacionet e komunave Skenderaj e Drenas, të prirë nga kryetarët Fadil Nura e Ramiz Lladrovci, nënkryetari Sami Lushtaku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, drejtorët komunalë, asamblistët, shoqatat e dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Çirez, në kujtim të kësaj ngjarjeje historike.

Pas homazheve, delegacionet kanë vizituar familjet e dëshmorëve dhe martirëve, të cilët dhanë jetën në mbrojtje të lirisë së vendit.

“Sot, në nderim të kujtimit të paharruar për dëshmorët dhe martirët e Çirezit dhe Likoshanit, si dhe Betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pikënisje e zgjimit popullor kundrejt shtypjes së egër serbe, që pasuan ngjarjet tjera historike, përkujtojmë 24 vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve dhe martirëve të fshatrave rrezë Qyqavicës, sakrifica e të cilëve solli lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Është detyrë e të gjithëve t’i nderojmë dhe t’i lartësojmë veprat e heronjve dhe të gjithë të tjerëve që ranë në mbrojtje të nderit e kombit”, ka thënë kryetari Nura.

Nënkryetari i Komunës, Sami Lushtaku, ka thënë se Beteja e 28 shkurtit 1998, në mes njësive të UÇK-së dhe policisë serbe dhe hakmarrja e këtyre të fundit ndaj civilëve të pafajshëm, ishte shenjë se lufta në Kosovë po fillonte dhe se çmimi i lirisë do të ishte i lartë.

Kontrolloni gjithashtu

Nënkolonel Besnik Fana, shpallet “Qytetar Nderi” i Deçanit

Nën kujdesin e kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, dhë nënkryetarit, z. Sami Cacaj, u …