Njoftim publik i ministrit të mbrojtjes Armend Mehaj lidhur me Fondin e Sigurisë
Miq të vendit dhe popullit tonë liridashës dhe paqedashës,
Për Atdheun tonë, Lirinë dhe Pavarësinë e saj, dhamë shumë gjak, djersë, mund e para nga puna jonë e ndershme, në të gjitha periudhat e historisë sonë të dhimbshme e të lavdishme.
Një vullnet shumë të madh për të dhuruar donacione në mjete financiare për institucionet e sigurisë së vendit, e keni shprehur gjithmonë.
Ka një kohë të gjatë që jemi duke punuar në themelimin e Fondit të Sigurisë, në të cilin qytetarët tanë mund të kontribuojnë me mjete financiare dedikuar sigurisë në vend.
Jam shumë i lumtur që më në fund kjo punë intensive u finalizua dhe sot me nënshkrimin e vendimit nga ana e kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, ky fond do të jetë i hapur.
Vlerën e shenjtë të Lirisë dhe Pavarësisë së Atdheut tonë që e paguam shumë shtrenjtë, jemi të vendosur ta ruajmë me çdo çmim.
Siguria jonë kurrë nuk ka nënkuptuar pasiguri për të tjerët. Përkundrazi, dje, sot dhe nesër, ishim, jemi e do të jemi siguri e mbrojtje për të gjithë, pa dallim.
Të kontribuojmë së bashku, për të mirën e institucioneve tona të mbrojtjes dhe sigurisë.
Për garantuesit e Lirisë, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të vendit.
Për garantuesit e jetërave dhe pronave tona, garantuesit e sigurisë dhe rendit tonë publik.
Nesër do të bëjmë publike të gjitha informacionet, lidhur me llogarinë dhe detajet tjera, se si mund të jepni donacionet tuaja.
Urime të gjithëve!