Zhvillimet në Ukrainë, si pasojë e intervenimit ushtarak të Rusisë, nuk kanë ndodhur papritur, por ato kanë qenë të paralajmëruara shumë kohë më parë. E papritura qëndron në faktin se shumë nga shtetet perëndimore madje edhe Amerika e NATO-ja nuk kanë besuar se Rusia do të marrë guxim për një veprim të tillë, edhe pse në 20 vitet e fundit, Rusia ka intervenuar në shumë rajone e shtete të ish-Bashkimit Sovjetik.
Në propagandën e sforcuar kundër Rusisë, me manovrat ushtarake që i ka zhvilluar NATO-ja në disa nga shtetet që kufizohen me Rusinë, ishte krijuar bindja e rrejshme se Rusia nuk guxon të ndërmarrë hapa ushtarakë, kundër Ukrainës. Pikërisht kjo ka bërë që Qeveria në Kiev, të mos i marrë seriozisht paralajmërimet dhe kërcënimet e Rusisë.
Fillimi i intervenimit në Ukrainë, më 24 shkurt 2022, solli një realitet të ri në botë, për shumë kë të papritur, por me pasoja të paparashikueshme.
Tani po shihet qartë se NATO-ja nuk do ta ndihmojë ushtarakisht Ukrainën, as shtetet e fuqishme të Evropës, por as vetë Amerika. Kundërvënia me sanksione deri te pompoziteti se me këto sanksione do të mundet dhe do të “varroset”, janë jo vetëm iluzore por edhe naive.
Mediet në Kosovë, të rreshtuara unanimisht kundër Rusisë, janë kthyer në faqe tifozllëku, ku Rusia kritikohet me të drejtë, por shkohet aq larg me prognoza naive, “për humbjen dhe katandisjen e saj” të cilat në të shumtën janë qesharake dhe aspak serioze për pasojat me të cilat po ballafaqohet sot Ukraina e nesër nuk dihet se kush mbetet në radhë.
Në këtë klime lufte mjafton që një serb të blejë tri emblema të UÇK-së në Kosovë dhe bëhet lajm numër një në pjesën më të madhe të medieve, duke paralajmëruar se serbët po përgatisin sulme, se do të përsëritet rasti “panda” në Pejë etj. Naiviteti i gazetarëve të tillë është për keqardhje, pasi kushdo në Kosovë e në Serbi mund të shtyp emblema të UÇK-së dhe mund t’ i përdorë e t’ i keqpërdor ato, ndërsa uniformat ushtarake janë të njëjta, kudo. Nuk kishte UÇK-ja uniforma të prodhuara nga fabrikat e veta, këtë e dinë të gjithë, po jo gazetarët naivë e udhëheqësit sharlatanë të debateve nëpër TV të ndryshme.
Veçmas në mediet në Kosovë, bëhen përpjekje për ta paraqitur Rusinë si shtet të dobët, Putinin si njeri të çmendur, fundin e Rusisë dhe shkatërrimin e saj njëjtë me Gjermaninë e Hitlerit, të cilën e kishte mundur dhe e kishte shkatërruar, pikërisht Rusia në krye me Stalinin, në Luftën e Dytë Botërore, që cilës në fund iu bashkuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ishin bindur se Gjermania ishte shkatërruar në Rusi.
Natyrisht se në Kosovës ka drejtues mediesh që nuk kanë lexuar qoftë edhe një tekst apo libër historie, të mos flasin për gazetarë sharlatanë të bëjnë lajme sensacionale dhe mbushin faqet e medieve të tyre me foto pornografike, me lajme për veshjet e disa këngëtareve, për paraqitjet e tyre lakuriqe dhe për ndonjë fjali që kanë postuar dhe e cila shkruhet “shul” shqip, sepse niveli intelektual, arsimor dhe inteligjenca e tyre është baras me debil-debilis.
Ja disa nga titujt sensacionalë që janë të pranishme në shumë medie
-Pse Vladimir Putin tashmë e ka humbur këtë luftë?
-Disney, Warner dhe Sony ndalojnë shfaqjen e filmave në Rusi. *Cila është pesha e këtij lajmi)
– 4300 ushtarë rusë u vranë në Ukrainë.
– Ish pjesëtarë të forcave speciale nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe bëhen gati për t’u futur në Ukrainë, ( titull sensacional, bëhet fjalë për 10 veta)
-Blerja e emblemave të UÇK-së, skenar serbo-rus për një inskenim si rasti “Panda” në Pejë
– Putinit i pezullohet statusi “President Nderi i Xhudos Botërore”…
– Moska i shpall luftë Turqisë pasi bllokoi kalimin luftanijeve ruse
– Thellohet kriza ekonomike në Rusi, ky është veprimi “dëshpërues” i qeverisë atje
“Bota sot” tituj bombastikë, alarmantë, sensacionalë e naivë:
– “Shpërthen konflikti i brendshëm në Rusi” Paralajmërohet fundi i Vladimir Putinit.
– Lufta në Ukrainë, Kosova e kërcënuar nga lufta speciale – kërkohet që KFOR-i të vendoset përgjatë kufirit me Serbinë.
– Serbia në panik, aleatja e saj biologjike Rusia në luftë me botën.
– Putini i 200 miliardëve do të përfundojë më zi se Millosheviçi
-Lufta e tretë sapo ka filluar, ajo përfundon me gjunjëzimin e Putinit”
-FSK-ja ta thyejë tabunë: Të urdhërohet vendosja në veri- Dronët po vijnë!
-Epoka e dronëve “Bayraktar”, ku Vjosa Osmani vizitoi këtë fabrikë: Të lirë, efikas, por ( është keq pasi) s’mund të përdoren kundër Turqisë.
-Tomë Gashi: Dronë na duhen të shteteve perëndimore, të BE-së, aleatëve të NATO-s, të Amerikës e të Gjermanisë, jo të Turqisë.
-Franca ishte ajo që fjeti me ariun Rus për inat të Gjermanisë, dhe ia solli këto pasoja Evropës’
Edhe një paradoks për fund
Lajmi i ditës së djeshme që bënte të ditur se kryetari i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, në një konferencë për media pas takimit me kryetaren Vjosa Osmani, ka thënë se Turqia e përkrah hyrjen e Kosovës në NATO, dhe do të angazhohet për këtë qëllim, pasi është shteti i dytë me forcë ushtarake në NATO- pas Amerikës, nuk u afishua fare nga disa jugomedie të Kosovës, të cilat më lehtë do ta pranonin kthimin e Serbisë në Kosovë, sesa ndihmën nga Turqia.