leoni

“NEVER FORGET” - GJENOCIDI SERB MBI SHQIPTARËT 1844-1999

“NEVER FORGET” – GJENOCIDI SERB MBI SHQIPTARËT – 1844-1999

         (Libër xhepi nga Prof. Dr. Nusret Pllana dhe MSc. Agim Aliçkaj )

         Ky libër doli nga shtypi këto ditë dhe i kushtohet Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkujtimit të rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij për lirinë e Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Familja Jashari dhe luftëtarët e lirisë e dëshmuan se liria është më e shtrenjtë se jeta dhe se populli shqiptar nuk iu nënshtrohet kurrë barbarëve serb. Trimëria, lufta dhe flijimi i tyre e shpërtheu vullkanin e pashuar të lirisë, flakët e të cilit e përfshinë bishën e egër serbe për ta shkulur përgjithmonë nga Kosova.

         Përmbledhur në rreth 45 faqe, në format xhepi, me titull “Never Forget” (Mos të harrohet kurrë), ky libër i vogël por me vlerë të madhe, simbolizon dëshirën dhe nevojën që krimet serbe mbi popullsinë civile shqiptare, përfshirë një numër të madh grashë dhe fëmijësh, të mos harrohen. Përmban shënimet kryesore për gjenocidin shekullor serb mbi shqiptarët, të ilustruar me foto tmerruese dhe disa porosi të rëndësishme.

         Qëllim kryesor është për të iu kundërvënë në mënyrë më të shpejt dhe më efektive gënjeshtrave, dezinformatave dhe trillimeve të propagandës mashtruese serbe, për të  depërtuar sa më lehtë te bota demokratike, si dhe për të ndikuar në ndërgjegjën e politikanëve dhe diplomatëve tanë dhe ndërkombëtarë që të mos i harrojnë krimet e terroristëve serb dhe të mos bëjnë pazare me tokat shqiptare dhe shtetin e Kosovës.

         Thënia “Never again”( Kurrë më), e cila lidhet me Holokaustin dhe gjenocided të tjera botërore, u thye në mes të Evropës, në Kosovë dhe ish Jugosllavi nga diktatori kriminel Milosheviq në fund të shekullit XX dhe po thyhet prapë sot në shekullin XXI në Ukrainë nga super diktatori kriminel rus Putin. Për gjenocide nuk është e drejtë të fajësohen popujt, megjithatë diktatorët i krijon, i forcon dhe i mban dikush. Në këto raste, nuk mund të mos konkludohet se një pjesë e madhe e popullit serb dhe rus kanë në qenien e tyre tendenca gjenocidiale.

         Rusia ka qenë dhe është armikja më e madhe e kombit shqiptar dhe e mbarë botës demokratike. Serbia është satelit i saj. Ngjashmëria në mes të Kosovës dhe Ukrainës është pushtimi nga forca të errëta hegjemoniste dhe lufta për liri e popujve të sulmuar e të shtypur. Dallimi më i rëndësishëm është se ushtria terroriste serbe është shfryer dhe i ka përjetuar me kënaqësi torturat mizore dhe masakrimet e papara ndaj popullatës civile, përfshirë  gratë dhe fëmijët. Në Kosovë është synuar zhdukja totale e një populli dhe grabitja e tokave të tyre, ndërsa në Ukrainë synohet vetëm nënshtrimi dhe aneksimi i shtetit, duke mos kursyer sulmet ndaj civilëve.

       Rusia duhet dhe do ta humbë këtë luftë të padrejtë. Serbia fashiste do të fundoset bashkë me te.

          Libri “Never forget” i dokumenton të gjitha, shkurt e thjesht. Shpërndarja e tij ka filluar duke iu vënë në dispozicion deputetëve të interesuar në mbledhjen solemne të Parlamentit të Kosovës kushtuar Epopesë së UÇK-së, vazhdon me qeveritarët dhe zyrtarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Trojeve tona në Ballkan, institucionet e ndryshme të Evropës dhe Amerikës, ambasadat e huaja në Kosovë, ambasadat  tona nëpër botë dhe faktorë tjerë të rëndësishëm brenda dhe jashtë vendit. Prof. Dr. Nusret Pllana e ka filluar me sukses promovimin e tij në Itali.

         Ky libër xhepi ka potencial të bëhet një armë e fuqishme në duart e përfaqësuesve të Kosovës në ballafaqim me Serbinë, sidomos të atyre që marrin pjesë në dialog, natyrisht nëse duan, dijnë dhe guxojnë.

         Krimet mizore serbe nuk bënë të harrohen kurrë dhe nuk mund të falen nga askush. Kriminelët serbë që i shkaktuan këto tragjedi duhet të ballafaqohen me ligjin. Serbia është bombarduar dhe dëbuar nga Kosova për ta ndaluar gjenocidin por nuk është dënuar dhe nuk ka kërkuar falje.

         Ka ardhur koha që përkrahësja kryesore ruse pas Bjellorusisë, Serbia të izolohet, të denazifikohet dhe të detyrohet të zgjedh në mes të errësirës së Lindjes dhe dritës së Perëndimit. Kosova të anëtarësohet urgjentisht në NATO, të njihet nga 5 vendet e mbetura të Evropës dhe të fillojë procesi i integrimit në Bashkësinë Evropiane.

         Krijimi i Fondit të Sigurisë nga Qeveria e Republikës së Kosovës është më se i qëlluar. Duhet të përkrahet dhe forcohet në mënyrë të përhershme dhe të përjetshme, pa marrë parasysh buxhetin e shtetit apo hyrjen në NATO. Kundërshtarë të tij mund të jenë vetëm koprracët, qyqanat, trutrashët, ziliqarët, inatçorët, shpirtrat  e shitur, tradhtarët dhe armiqtë e Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar.

         Liria, pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i  shtetit të Kosovës janë të shenjta dhe garanci e vetme që gjenocidi serb mbi shqiptarët të mos përsëritet më kurrë.

Magjistër,  Agim Aliçkaj

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …