Lufta në Ukrainë na ka mbërthyer të gjithëve rreth ekraneve televizive, na ka bërë sy e vesh dhe secili në mënyrën tonë i komentojmë ngjarjet duke i shfaqur opinionet tona rreth luftës dhe qëndresës së popullit ukrainas kundër pushtimit rus. Në fakt kjo rezistencë u bë edhe si leksion për shumë popuj të Botës të cilët po kanë rastin për të parë se si luftohet dhe mbrohet liria e atdheut. Në përgjithësi është për tu admiruar Qeveria e Ukrainës për angazhimin dhe mënyrën e organizimit të rezistencës e në veçanti ajo e Presidentit V.Zelenski për maturinë, qëndresën dhe moralin e lartë luftarak. Pikërisht kjo luftë sikur ua zgjoi kujtesën e fjetur edhe një pjese të popullatës tonë të cilët po trumbetojnë me mburrje për heroizmin e luftëtarëve ukrainas. Dorën në zemër kjo rezistencë po përkrahët nga i gjithë populli liridashës jo vetëm për mënyrën e organizimit dhe qëndresës por edhe për angazhimin e mijëra vullnetarëve nga e gjithë Ukraina për t’iu bashkuar luftëtarëve në vijën e parë të frontit.
Prandaj çdo koment rreth këtij realiteti është i tepërt. Por, ajo që më nxiti të shkruaj është mënyra e komentimit dhe euforia e disa bashkëkombëseve të mi të cilët para ekranit televiziv e ngritin në piedestal qëndresën e luftëtarëve ukrainas dhe anashkalojnë formën e rezistencës dhe qëndresën e luftëtarëve të UÇK-ës në Kosovë. Si dukët kjo kategori e njerëzve ose e kanë harruar atë periudhë të luftës ose nuk kanë arritur ta shohin asnjëherë si të tillë në memorien e tyre. Mbase syri i tyre miop as pas kaç vitesh nuk ka arritur për ta dalluar konfliktin e gjatë që ka ekzistuar në mes popullit shqiptar dhe ati serb i cili edhe përfundojë me një luftë të ashpër dhe të pa barabartë. Kur dihet se Sllobodan Millosheviqi për ta ripushtuar Kosovën dhe shkatërruar UÇK-në përveç arsenalit të rëndë luftarak që përdori gjatë luftimeve angazhojë dhe mercenar rus e paramilitar. Nuk dua të tërheq paralele në mes të luftës në Ukrainë dhe asaj të Kosovës por as nuk mund të heshti para faktit se më çfarë force organizative dhe rezistence kanë luftuar pjesëtarët e UÇK-ës gjatë asaj periudhe. Vetëm ata që kanë qenë atje patën fatin e mirë të shohin për së afërmi organizimin dhe angazhimin e djalërisë shqiptare në radhët e UÇK-së, në fillim prillin e vitit 1998.
Mbase as kujtesa ime nuk mund ta pasqyrojë ashtu siç duhet atë që panë sytë tanë gjatë asaj kohe. Por, përderisa nuk ka incizime të mjaftueshme të cilat do ta dokumentonin atë realitet dhe do ta faktonin ashtu si ka ndodhë kjo periudhë do të mbetët e varfër për t’ua përcjellë brezave . Ajo që do të mbetët e paharruar për ne është vargu i gjatë i vullnetarëve që kishin ardhur nga të gjitha viset e Kosovës dhe të organizuar në grupe kishin marr rrugën e gjatë e të vështirë drejtë Shqipërisë për t’u armatosur. Një pjesë e tyre ishin maturant që në fakt nuk arritën ta përfundojnë as maturën , por dëshira e madhe për ta parë atdheun e lirë i kishte hedhur në vijën e parë të frontit edhe pse pjesa më e madhe e tyre nuk kishin pas rast te kapnin armë në dorë më parë . Ata nuk pyetën për vështirësitë e udhëtimit as për rrugën e gjatë e të minuar nga ushtria serbe , ata kaluar përmes tehut të shpatës edhe pse e dinin që kufiri i Kosovës kontrollohej nga forcat kufitare serbe. Pjesëtarët e UÇK-ës përveç luftimeve që bënin nëpër fronte të ndryshme ishin të obliguar që vet të përkujdeseshin për grumbullimin dhe bartjen e armatimit. Mbi supet e tyre të njoma mbanin pesha të rënd të armatimit si: fishek, bomba dore, zolla e mortaja, minahedhës të kalibrave të ndryshëm, topa etj. Po këta ushtar me rrobat e trupit të tyre ua mbyllën plagët shokëve nëpër istikame duke u përpjekur për tu dhënë ndihmën e parë.
Edhe atëherë kur lufta mori përmasa të gjëra dhe u përhap në tërë Kosovën vargu i vullnetarëve që vinin nga kurbeti ishte i gjatë. Ata kishin lënë luksin e tyre dhe të armatosur hynë në Dardani se malli për ta parë atdheun e lirë kishte mposhtë çdo barrierë, prandaj moto e tyre u bë lufta deri në vetëmohim. Por e keqja më e madhe qëndron në faktin se ata nuk e patën fatin që në vijat e frontit dhe nëpër istikame ti vizitonte një President, ti përkrahte e t’u jepte forcë morale. as një Qeveri që do të organizonte luftën e tyre e do t’ua siguronte armatimin sepse Qeveria e asaj kohe jetonte dhe vepronte në ekzil. Prandaj lufta në Kosovë ishte më e vështirë se ajo që po zhvillohet në Ukrainë se ajo nuk u përkrah nga udhëheqësi e saj.
Qëndrim të tillë inferior kishte mbajtur edhe pas rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari por edhe atëherë kur Komandanti i Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit Ramush Haradinaj kishte mbetur në Gllogjan me një numër solid të ushtarëve e që për asnjë moment nuk u largua nga Kosova , as atëherë nuk u përkrah nga ata. Prandaj të rrahim gjoksin për trimëri nëpër luftëra sot është shumë lehtë. Po të ishte një organizim i mirëfilltë t ‘paktën sa një e treta e asaj që sot po e shohim në Ukrainë dhe lufta të udhëhiqej nga Presidenti e Qeveria e asaj kohe jam e bindur se Kosova nuk do t ‘kishte pasur nevojë për ndërhyrjen e NATOS sepse luftëtarët e UÇK-së do ta çlironin vet Kosovën. Luftë e cila është lartësuar me qëndresën heroike të bijave dhe bijve të saj më të mirë duke i skalitur me gjakun e tyre shkronjat e lara në gjak.
Si dukët lufta në Ukrainë ua ka kthjellu sado pak mendjen edhe udhëheqjes së tashme të Kosovës për qëndrimin e tyre ndaj krerëve të Shtabit të UÇK-ës të cilët në përvjetorin e njëzet e katër të luftës heroike të familjes Jasharaj morën guximin dhe para mediave televizive e pranuan faktin duke pohuar se : shokët e Adem Jasharit po e vuajnë dënimin në Hagë“ .Shpresoj se lufta që po zhvillohet në Ukraine të vetëdijësojë një pjesë të pushtetarëve aktual dhe të opozitës të ndryshojnë opinionin e tyre për krerët e UÇK-ës të cilët më vite i paragjykuan dhe drejtuan akuza të rënda kundër tyre. Të tillët nuk e pan të arsyeshme që në një moment delikat ti marrin në mbrojtje luftëtarët e vendit. të vet. Sot kur po i shoh si mburren e flasin me “ patriotizëm “ për luftën në Ukrainë nuk mund të heshtë e të mos i pyes: Çka po bëni ju për luftëtarët e UÇK-së? Deshët apo nuk deshët ta pranoni ju ata e shkruan historinë e Shtetit të Kosovës. Atdheu nuk mbrohet duke u përpjekur për ti hedhur në bankën e të akuzuarve çlirimtarët e vendit për të “zezat e shpifura “ por duke i mbrojtur e përkrahur denjësisht ashtu siç luftuan ata pa luftën e të cilëve sot Kosova nuk do të ishte Shtet.