leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: KUR KËRKOHEJ PLEBISHITI PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore filloi Konferenca e Paqës në Paris, e cila i zhvilloi punimet prej 18 janarit 1919 deri më 21 janar 1920.

Shqipëria që kishte shpallur pavarësinë në vitin 1912 dhe  kishte marrë njohjen ndërkombëtare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, shpresonte se Konferenca e Paqës do të ndreqte padrejtësitë që ishin bërë me pushtimin e trojeve shqiptare në Luftën Ballkanike dhe se ato troje do t’i ktheheshin pas Luftës së Madhe. Shpresën më të madhe shqiptarët e mbështetnin te Presidenti i ShBA-ve, Vudrov Vilson, i cili në 14 pikat e tij të njohura, kishte deklaruar se do të respektohet e drejta e kombeve për vetëvendosje.  

Shqipëria nuk ishte radhitur me asnjenën palë të Luftës, nuk ishte as në krahun e fituesve as të humbësve, por ishte e pushtuar nga ushtri të hueja: serbe,  greke, italiane, franceze. Shtetet fqinje: Serbia, Italia dhe Greqia  kërkonin që statusi  politik i Shqipërisë të rishikohet dhe rikonstruohet, sipas kërkesave dhe marrëveshjeve të tyre.  Ato kishin bërë marrëveshje për copëtimin e Shqipërisë dhe aneksimin e pjesëve të saj shteteve të tyre. Ekzistonte edhe një marrëveshje e fshehtë e lidhur më 26 prill 1915, midis fuqive të mëdha: Italisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë, për ndarjen e Shqipërisë midis shteteve fqinje. Ajo marrëveshje  ishte bërë për ta joshur Italinë që t’i bashkohej koalicionit të forcave të shteteve të përmendura në luftën kundër Perandorive Osmane dhe Austrohungareze. Sipas asaj marrëveshjeje, Italia do ta merrte Vloren me një territor mbrojtës (hindërlandin), Greqia pjesën jugore  me Korçën e Gjirokatrën, ndërsa Serbia pjesën veriore. Ishte paraparë të krijohej një Shqipëri e vogël, që përfshinte mesin e Shqipërisë, midis Drinit dhe Vjosës, edhe ajo do të ishte nën protektoratin e Italisë. Pazaret me tokën e Shqipërisë zhvilloheshin në kontekst me “Çështjen e Adriatikut”, ku kishin pretendimet e tyre edhe Italia edhe e ashtuquajtura Mbretëri Serbo-Kroato-Sllovene që ishte formuar më 1 dhjetor 1918. 

Gjatë mbajtjes së Konferencës së Paqes, Delegacioni i Qeverisë së Durrësit dhe delegacione e përfaqësues tjerë të shqiptarëve nga diaspora, i kanë dërguar Konferencës  informata, reagime, qëndrime, protesta, relacione, kërkesa, memorandume, nota e propozime të shumta, në mbrojtje të shtetit dhe  me kërkesë për këthimin në kuadër të shtetit të ardhshëm shqiptar të trojeve  shqiptare, të cilat Konferenca e Londrës (1913) padrejtësisht ia kishte marrë Shqipërisë e dhënë shteteve fqinje. 

Një nga ato akte të Delegacionit të Qeverisë Shqiptare, të cilin e kryesonte  Turhan – pashë Permeti,  ishte kërkesa  e dërguar kryetarit të Konferencës, Zh.Klemanso, për të lejuar dhe organizuar plebishitin për deklarimin e popullit shqiptar në trevat në kontest  me shtetet fqinje: Greqi, Serbi, Mali Zi, që populli  i atyre trojeve të deklarohej për të ardhmën e vet politike. Poqese lejohet plebishiti për trevat shqiptare në zaptuara nga shtetet fqinje, Shqipëria do të lejonte plebishit edhe për deklarimin e popullsisë në Jug të Shqipërisë, siç kishte kërkuar kryeministri grek E.Venizellos, i cili pretendonte se ajo popullsi është greke, pasi janë të besimit ortodoks. Në këtë pretendim të Venizellosit, i ishte përgjegjur dr Mihal Turtuli: “Unë jam ortodoks, por nuk jam grek. Bullgarët, Serbët dhe Rusët janë ortodoksë, por nuk janë grekë”!

Delegacioni shqiptar kishte kërkuar që në territoret ku do të zhvillohej plebishiti, të vendoseshin trupa amerikane për një ose dy vjet, deri sa të merrte fund plebishiti. Kërkesa e Delegacionit shqiptar për plebishit, e dërguar kryetarit  të Konferencës, kishte këtë përmbajtje :

Paris, më 7 mars 1919

Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, z.Zh.Klemanso

Kërkesë për Plebishit

Shkëlqesë,

Në të pritun që patëm, më 27 të shkurtit qi shkoi, prej komisiës së ngarkueme me punët greke, na ishte dukun se Zotniët Delegatë fort po nguteshin me një çashtje së cilës na i apim ma te naltën randsië tyke qenë se te ajo varet liria ase robnia e sa qind mijë vëllazënve tanë.

Prap kemi pamun se komisia e sipërthanë është marrë vetëm me pandehmat greke në Shqipnië e as pak me kërkesat e drejta shqiptare mi Çamërinë e pushtueme prej Grekvet. 

Kërkesat t’ona janë fare të këthiellta. 

Nuk po kërkojmë tjetër përveç pjesvet të tokës s’onë kombtare ku populli i ynë ka një shumicë të madhe. 

N’ato krahina qi jemi tue kërkuem ,arsyet historike, ethnike e gjuhsore mblidhen të gjita për neë. Për me mbështetun thesën t’onë, na vijmë e nëvkasim sidomos  ndiesiën kombtare të popullsivet t’atyne viseve qi u janë sakrifikuem Grekëvet e Sllavvet e vullëndetin e zjarrtë  të tyne për me u bashkuem me mamën – atdheë.  Në qoftë se argumentat e shtruem para Konferencës s’janë dukun të bindshëm për të drejtën t’onë të bukur, po vijmë , për me shpëtue sa qin mijë vëllazën t’anë nga robnia e fqinjvet të tyne, e i lutemi Konferenës qi të ketë mirsinë me i dhanë një nëkambsië qeveriës së Shtetevet të Bashkueme të Amerikës për me shkelun e me adminstruem motmot ase dy vjet, me qëllim të nji plebishiti qi kemi kërkuem, do me thanë, Çamërinë, të pushtueme prej Grekvet e viset qi gjinden ne Verit e në Lindjet të Shetit Shqiptar, të pushtueme prej Malazezvet e Serbvet, dhena të cilat i kemi dëftyem në Memorandumin t’onë më 12 të Shkurtit të kaluem. 

Vrasat e të djegunat qi kanë shpopulluem krahinat e Shqipniës së Poshtme i din gjithë bota; qëllimi i këtyne ishte me shtrënguem një numër të madh të bashkatdhetarve t’anë qi të delshin prej vendit për me mbetun mandej Grekët në shumicë. Me gjithë këtë, po të jetë se Konferenca do t’pranojë lutjen t’onë për një plebishit në të gjitha dhenat qi po kërkojmë, kishim me ndëgjuem qi edhe për viset e Shqipniës së Poshtme, të cilat Greqia po i kërkon pa fare të drejte, t’i jipet nëkambsia po asaj qeverie që thamë, me i shkelun e administruem motmot ose dy vjet. 

Popullsiët e të tana këtyne dhenave do të munden këso dore me dëftyem lirisht e pa as  nje shtrëngim vullëndetin e vërtetë të tyne e venduem fatin e vet vetë.

Jemi të bindun se Mbledhja e Naltë nuk do të dojë memos na e pëlqyem nje lutje kaqë të drejtë e të ligjëshme.

Paris, 7 Mars 1919 Kryesuesi i Dërgatës Shqiptare

    (nënshkrimi) TURHAN

Shkëlqesës së Tij, Z.G.Clemenceau,

Kryesues i Konferencës së Paqes

* ** 

 Në konstalecionin e forcave dhe interesave që dominonin punën e Konferencës së Paqes, as  që kishte gjasa të pranohej kërkesa për plebishit të shqiptarëve të cilët kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. Shqipëria nuk e kishte përkrahjen e askujt, madje as për ta ruajtur atë gjyshëmshteti që kishte, lere më për t’i ndrequr padrejtësitë duke përfshirë territoret dhe popullin e saj të mbetur jashtë kufijve. Konferenca fund e krye  zhvilloi punimet mes ngatërresave dhe intrigave të interesave të ndryshme, të projektuara me marrëveshje të fshehta e të hapta të pretendimeve të shteteve fqinje, të përkrahura nga fuqitë e mëdha. Dhe, gjykuar sipas kësaj situate, duket se kërkesa e Delegacionit shqiptar për plebishitin e popullit shqiptar që ishin jashtë kufijve të Shqipërisë, më tepër kishte për qëllim ruajtjen e kufijve të vitit 1913, sesa përfshirjen e të gjitha territoreve të banuara me shqiptarë, me të cilët do të arrinte rreth 93.000 km katrore dhe mbi 2,5 milionë banorë e do të bëhej faktor vendimtar në Ballkan.

———-

Sqarim: Teksti i këresës për plebishit është marrë nga libri i Muin Çamit e Marenglen Verlit: “Shqipëria në Konferencën e Paqes (1919-1920) dhe  transponuar këtu me të folmën e kohës, që nuk përputhet me drejtëshkrimin aktual, dhe kur mbi disa shkronja-zanore ka pasur aksente, e që në këtë shkrim nuk kemi mundur t’i përdorim. 

Adil FETAHU

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …