Vendet anëtare të NATO-s duhet të bëjnë gjithçka që munden për të mbështetur forcat ukrainase në fushën e betejës, thotë gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.
Për mundësinë e vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, Clark thotë se NATO-ja duhet të mbetet brenda kufijve të saj.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se mekanizmat ndërkombëtarë duhet ta padisin presidentin rus, Vladimir Putin, dhe gjeneralët e tij për krime lufte.
Nëse cilësohet si kriminel lufte, vendet e tjera nuk mund të merren me të, institucionet financiare nuk mund të merren me të dhe ai do të përfundojë si Sllobodan Millosheviq në gjyq, në Hagë. Vesli Clark, i cili ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, thotë po ashtu se aleanca duhet të ndërmarrë një varg masash për t’u përgjigjur, nëse Rusia i kalon kufijtë e saj.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të bëjnë vendet e NATO-s, veçanërisht Amerika, për të ndihmuar Ukrainën?
Wesley Clark: Vendet individuale duhet të bëjnë gjithçka që munden për të mbështetur forcat ukrainase në fushën e betejës.
Radio Evropa e Lirë: Po a do të provokonin një luftë më të gjerë nëse i dërgojnë Ukrainës, le të themi, avionë, raketa…?
Wesley Clark: Rusia ka angazhuar 100% të forcave të saj luftarake. Forcat kanë qenë tepër të paafta. Ato janë të cenueshme nëse vendet e NATO-s individualisht i ofrojnë Ukranës anti-tanke dhe mbështetjen ajrore – të nevojshme për t’i zmbrapsur ato forca.
Radio Evropa e Lirë: Perëndimi këmbëngul se nuk do të përfshihet në luftë, por do ta armatosë Ukrainën. A nuk është kjo përfshirje?
Wesley Clark: E kemi thënë nga fillimi se do ta mbështesim Ukrainën në luftë. Nuk do ta bëjmë këtë me forcat amerikane. Në rregull, mos e bëni! Por, kjo nuk do të thotë se nuk do t’i japim Ukrainës furnizime, municione, teknologji, informacione të inteligjencës. Ne duhet ta bëjmë këtë.
Radio Evropa e Lirë: Përveç sigurimit të pajisjeve ushtarake për Ukrainën, çfarë duhet të bëjë NATO tani?
Wesley Clark: NATO-ja duhet ta përgatisë veten. Kjo përfshin planifikim dhe rregullim të forcave. Vendet duhet të rishpëndajnë buxhetin; në raste të caktuara, rezervistët të mobilizohen. Kjo nënkupton edhe ndërtimin e projekteve të infrastrukturës, përgatitjen e rrugëve logjistike dhe një sërë masash të tjera, në mënyrë që NATO-ja të përgjigjet, nëse Rusia i kalon kufijtë e saj.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se duhet shpallur zonë e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë?
Wesley Clark: Mendoj se tani NATO-ja duhet të mbetet brenda kufijve të saj. Por, vendet individuale të NATO-s mund të bëjnë atë që duhet të bëjnë për të ndihmuar Ukrainën.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se do të vijë një kohë kur NATO-ja do të përfshihet?
Wesley Clark: Kjo varet vërtet nga zoti Putin. Por, nëse i shikoni objektivat që ka parashtruar në dokumentet diplomatike, që janë dorëzuar në vjeshtë… Ai ka kërkuar që forcat e NATO-s të shpërndahen dhe të largohen nga Evropa Lindore, ka kërkuar që këtyre vendeve t’u hiqet mbrojtja e NATO-s dhe kjo është e papranueshme. Por, nëse ky është objektivi i tij dhe ai është i përgatitur të na kërcënojë dhe të luftojë për të, atëherë mendoj se do të ketë luftë.
Radio Evropa e Lirë: Nga ajo që shihni në lëvizjet e trupave dhe taktikave ruse, çfarë mendoni se është objektiv real i Putinit në këtë luftë?
Wesley Clark: Objektivi real i tij është të shkatërrojë mundësinë që Ukraina të rreshtohet me Perëndimin, të përfshijë NATO-n dhe të mposhtë NATO-n me kërcënimin ose përdorimin e armëve bërthamore ose të armëve kimike dhe pastaj të rimarrë kontrollin e Evropës Lindore dhe ta detyrojë SHBA-në të largohet.
Radio Evropa e Lirë: Mendoni se do ta arrijë këtë?
Wesley Clark: Nuk mendoj. Por, kjo varet nga lidershipi dhe opinioni civil në secilën prej demokracive tona.
Radio Evropa e Lirë: A ka diçka tjetër që mund të bëjë Perëndimi për t’i degraduar kapacitetet ruse, nëse Putin vazhdon ta përshkallëzojë situatën?
Wesley Clark: Sigurisht, Putin do të vazhdojë ta përshkallëzojë situatën, sepse qëllimi i tij është të thyejë vullnetin dhe rezistencën e Ukrainës. Ne duhet të padisim Putinin për krime lufte, ashtu si dhe gjeneralët e tij, dhe duhet ta cilësojmë Rusinë si shtet mashtrues. Duhet t’i inkurajojmë të gjitha vendet në botë që të mos bëjnë tregti me Rusinë, ta ndërpresin gjithë tregtinë me të. Të gjitha këto mund të ndihmojnë. Por, kjo është një betejë që do të përcaktohet nga rezultati në terren në Ukrainë.
Radio Evropa e Lirë: Mendoni se do të frikësohet nëse mekanizmat ndërkombëtarë e shpallin kriminel lufte?
Wesley Clark: Mendoj se do të ketë një dallim të jashtëzakonshëm nëse cilësohet si kriminel lufte, sepse kjo do të thotë se vendet e tjera nuk mund të merren me të, institucionet financiare nuk mund të merren me të dhe ai do të përfundojë si [ish-presidenti serb, Sllobodan] Millosheviq në gjyq, në Hagë.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Putin po e konsideron përdorimin e armëve bërthamore?
Wesley Clark: Unë mendoj se ai është në gjendje të përdorë armë bërthamore. Dhe, për këtë arsye, duhet t’i rezistojmë tani. Sepse, kur përfshiheni nën ato kërcënime, nuk ka ndalim.
Radio Evropa e Lirë: Por, pastaj, ekziston rreziku i luftës bërthamore?
Wesley Clark: Ne rrezikojmë shumë gjëra. Por, çështja është ose marrim qëndrim, ose jo. E kemi marrë mësimin në vitet 1930 në Perëndim, kur nuk kemi mbajtur qëndrim të fortë kundër Adolf Hitlerit dhe e gjitha ka përfunduar me luftë. Nëse nuk ngrihemi kundër Putinit tani, kjo do të përfundojë me luftën e tretë botërore. Mënyra e vetme për ta shmangur është duke u ngritur kundër tij tani.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se sanksionet do të bëjnë punë?
Wesley Clark: Mendoj se sanksionet tregojnë vendosmërinë dhe seriozitetin e Perëndimit. Nuk mendoj se ato do ta ndalojnë agresionin e zotit Putin. “Nëse rezistenca e Ukrainës është e fortë, Putin rrëzohet”
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendoni për bisedimet që po zhvillohen midis delegacioneve ruse dhe ukrainase?
Wesley Clark: Mendoj se çdo bisedë që bëhet mes ministrave të NATO-s është e shkëlqyer. Mendoj se çdo bisedë që bëhet me ministrin e Jashtëm rus duhet të shihet me dyshim të madh. Qëllim i tyre është ta ngatërrojnë Perëndimin dhe t’i japin Putinit kohë për riorganizimin e forcave për shkatërrime masive në qytetet e Ukrainës.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni fundin e kësaj lufte?
Wesley Clark: Varet nga rezultati në Ukrainë. Nuk mund të shihni përtej Ukrainës.
Radio Evropa e Lirë: Ishte e pritshme rezistenca e Ukrainës?
Wesley Clark: Absolutisht. Pyetja është nëse rezistenca ukrainase do të jetë mjaft e fortë për t’i bërë ballë agresionit rus. Nëse është mjaft e fortë, Putin tërhiqet, me siguri rrëzohet, do të rrëzohet nga njerëzit e tij dhe do të përfundojë në gjykim për krime lufte. Nëse nuk është mjaft e fortë, do të ndodhë diçka tjetër. Do të jetë rrezik gjetkë në botë. Për shembull, pushtimi i Tajvanit nga Kina, ose pushtimi i tokave të NATO-s direkt nga Putini.