Emërtimi i Kryengritjes së vitit 1981 si “Pranverë studentore”, analog me “Pranverën e Pragës” apo lëvizje të tjera, në vendet e Evropës, ka simbolikën e vet metaforike, por nuk e përmbush dimensionin historik, social, politik e shkencor të krejt asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë, në Mars, Prill, Maj të vitit 1981 dhe që vazhdoi deri në qershor të vitit 1999, në përpjekje të vazhdueshme të rezistencës pasive dhe aktive deri kur nga Kosova u dëbua përgjithmonë regjimi okupator serb.
As sot në 42-vjetorin jubilar, institucionet shtetërore, Instituti i Historisë dhe i Albanologjisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk kanë një emërtim adekuat historik, të materializuar me gjuhën e fakteve e të dhënave për të emërtuar shkencërisht zhvillimet revolucionare të marsit, prillit dhe majit të vitit 1981. Emërtimet, të cilat janë përkufizuar nga shoqatat, OJQ-të, nga analistët, nga pjesëmarrësit në ato zhvillime, janë krejtësisht heterogjene dhe ende nuk ka një përpjekje serioze për një emërtim unik, historik e shkencor. Fajin për këtë e kanë në radhë të parë institucionet por edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e cila nuk e ka nxitur këtë çështje, duke u vetë mjaftuar me përkufizimin “Lëvizje studentore” Pranverë studentore 1981”, Lëvizje paqësore, etj.
Në 40-vjetorin jubilar, institucionet shtetërore, Instituti i Historisë dhe i Albanologjisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk patën një emërtim adekuat historik, të materializuar me gjuhën e fakteve e të dhënave për të emërtuar shkencërisht zhvillimet revolucionare të marsit, prillit dhe majit të vitit 1981. Në vend të një emërtimi shkencor, shërbehemi dhe mjaftohemi me stereotipet e së kaluarës, me emërtimet pacifiste të kohës, ashtu sikur historianët titistë që janë shërbyer dhe shërbehen duke përkthyer formulimet e historianëve të regjimit serb, lidhur me Lëvizjen e Rezistencës së Azem e Shote Galicës duke e etiketuar si Lëvizje kaçake, nga gjuha serbe “Kocacki pokret”, etj.
Tani, 41 vjet më pas, 23 vjet nga çlirimi i Kosovës, 14 vjet nga Shpallja e Pavarësisë ende shfaqen mëdyshje se çfarë ka ndodhur në vitin 1981: protestë paqësore, lëvizje studentore, apo fillimi i një kryengritjeje e cila trasoi rrugën drejt lirisë dhe që u kurorëzua me sukses, në qershor të vitit 1999.
Edhe tani, pas 42 viteve, nuk kemi një përcaktim unik, historik, shkencor për Lëvizjen Revolucionare të Marsit, Prillit dhe Majit të vitit 1981.
Simpoziumi i organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në 20-vjetorin e demonstratave, në prill të viti 2001, (dy vjet pasi Kosova ishte çliruar nga regjimi serb), nuk nxori konkluzione të qarta shkencore dhe nuk definoi qartë qasjen e mirëfilltë historike e shkencore lidhur me Lëvizjen e vitit 1981. Debati ishte zhvilluar në kualifikimin e zhvillimeve si protesta e demonstrata paqësore, si Pranverë e studentëve, si Lëvizje paqësore, politike, studentore dhe u përjashtua opsioni i kryengritjes, apo i përpjekjes për kryengritje, të cilën e shfletuan vetëm dy apo tre pjesëmarrës.
Në kohën e pacifikimit të Lëvizjes, në vitin 1989-1990 kur Jugosllavia kishte filluar të shpërbëhej u bënë përpjekje që lëvizja e vitit 1968 dhe ajo e vitit 1981 të kualifikohen si lëvizje paqësore të studentëve, si një presion qytetar që ishte ndërmarrë brenda kornizave ekzistuese politike të kohës duke lënë anash dy segmentet më të rëndësishme të zhvillimeve, rrëmbimin e armëve në Besi të Prishtinës nga protestuesit më 2 dhe 3 prill dhe qëndresën e armatosur të Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të po atij viti, në Prekaz të Ulët të Drenicës, pikërisht në ditën kur Njësitë policore speciale të Jugosllavisë po manifestonin dhe po orgjizonin në mënyrë kriminale, ditën e themelimit të Milicisë së Jugosllavisë, duke vrarë shqiptarë brenda shtëpive të tyre, me atë rast jo shqiptarë duarthatë, por shqiptarë kryengritës të një familjeje me katër breza çlirimtarësh.
Anashkalimi, në konferenca, tubime dhe në medie i këtij segmenti të kryengritjes, mbase u bë me qëllim që Lëvizja paqësore të mos “komprometohej” dhe të lihej në heshtje segmenti thelbësor i saj, segmenti veprues, jo spontan sikur mendohet edhe aktualisht nga disa analistë dhe studiues të asaj periudhe të historisë tonë të rezistencës, të cilët çdo referencë i kanë studentët, kërkesat paqësore, por nuk përmendin me asnjë rresht kryengritjen në Besi, as qëndresën heroike të Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz. Disa prej tyre me asnjë fjalë nuk përmendin as shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme në Kosovës nga ish-RSFJ dhe pasojat e rënda për popullatën shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kulmimi i protestave në Besi, lokalitet mes Prishtinës dhe Besianës, rrëmbimi i armëve dhe i municionit nga forcat rezerviste, që po hynin në Kosovë nga Serbia dhe çarmatosja e shumë prej tyre, më 2 prill të vitit 1981 shënoi fillimin e kryengritjes. Atë ditë Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 130 armë automatike, mijëra fishekë e pajisje luftarake. Pak muaj më vonë ishin dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri në 15 vjet, 38 pjesëmarrës, nxënës, studentë, punëtorë, mësues e fshatarë. Ishte kjo mesatarja më të lartë e dënimit të grupeve, prej vitit 1964, kur ishte dënuar bardi i Lëvizjes sonë Kombëtare, Adem Demaçi me bashkëveprimtarët e tij.
Pikërisht për këtë shpërthim, më 2 prill të vitit 1981, në orët e mbrëmjes, kreu shtetëror e politik i Jugosllavisë shpalli shtetrrethimin në Kosovë, me shumë kufizime të lëvizjes së qytetarëve, ndalim rigoroz të qarkullimit të çdo personi gjatë natës, ndalim të grumbullimit të më shumë se tre personave në një vend të caktuar, ndërprerja e mësimit në të gjitha nivelet në tërë territorin e Krahinës së Kosovës, ndjekja arrestimi dhe nxjerrja para gjykatave e të gjithë organizatorëve, apo atyre të cilët dyshoheshin se ishin të tillë, bastisjet e çdo shtëpie të dyshuar, hapjen e rreth 400.000 dosjeve, sa i dispononte regjimi dhe një mori masash represive, ekstreme, të cilat po i ushtronte Ushtria dhe Policia federale e përbërë nga pjesëtarë e të gjitha republikave të Jugosllavisë. Për shkak të përmasës, që regjimi i kishte dhënë revoltës shqiptare, pse jo Kryengritjes shqiptare të marsit e prillit e majit të vitit 1981, ato zhvillime historike, nga kreu i Shtetit dhe nga vasalët shqipfolës të RSFJ-së, u kualifikuan si kundër-revolucion, kualifikim zyrtar, që pasoi me një represion të përgjithshëm mbi të gjithë liridashësit shqiptarë, kudo, jo vetëm në Kosovë por edhe në trojet e tjera shqiptare nën robërinë jugosllave.
Shpallja e gjendjes së shtetrrethimit nuk do të aplikohej për të shtypur protestuesit paqësorë dhe nuk kishte ndodhur një intervenim i tillë shtetëror në protestat që ishin zhvilluar në Beograd dhe në qytete të tjera të Jugosllavisë, as në vitin 1968. Askund në botë gjendja e shtetrrethimit nuk shpallet për të shtypur protestuesit, por rritet shkalla e sigurisë dhe ndërmerren veprime adekuate në përballimin e situatës.
Askush në Kosovë nuk ka të drejtë ta anashkalojë faktin se ishte kryengritja në Besi, më 2 dhe 3 prill të viti 1981, rrëmbimi i armëve nga kamionët e ushtarëve rezervistë, që vinin nga Serbia për t’ i shtypur protestuesit, që e detyruan Jugosllavinë të shpallte gjendjen e luftës. Me ato armë, protestuesit vendosen disa barrikada në rrugën magjistrale Besianë (ish-Pudujevë) – Prishtinë dhe për një kohë, deri në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nuk u lejua hyrja në Prishtinë e forcave policore e ushtarake serbe.
Pikërisht ky zhvillim historik, bëri që në orët e vona të pasdites së 2 prillit të shpallet Shtetrrethimi, në Kosovë që zgjati 14 ditë, me të gjitha kufizimet e lëvizjeve, sikur në gjendje lufte.
Për ta bërë të suksesshëm shtetrrethimin në thyerjen e kryengritjes së nacionalistëve e irredentistëve shqiptarë, armata jugosllave kishte dislokuar në Kosovë arsenalin përkatës të armatimit. Kishte vendosur qindra postblloqe në Prishtinë dhe në vende të tjera, kishte aktivizuar njësitë speciale në Federatës në nivelin shtetëror, kishte filluar ndjekjen dhe arrestimin e mijëra pjesëmarrësve në protesta, në mesin e tyre edhe organizatorë, ishte marrë qëndrim zyrtar që kryengritja të shpallej si “kundërrevolucion” që kishte për qëllim cenimin e sovranitetit të vendit dhe ndryshimin e dhunshëm të Kushtetutës. Të gjitha këto e shumë masa të tjera, tregojnë më se mëri se kemi të bëjmë me protesta e demonstrata të rinisë studentore, apo me një kryengritje të përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, të cilët kërkonin liri, barazi e drejtësi, kërkonin që Kosova që shpallej Republikë dhe të barazohej me gjashtë republikat e tjera të ish RSFJ-së. Gjatë përleshjeve kishin rënë në barrikada nëntë demonstrues, ishin plagosur qindra të tjerë, ishin arrestuar me mijëra pjesëmarrës ndërsa më 13 maj kishin rënë në një luftim të pabarabartë, në Prekazin e Ulët, Tahir Meha e Nehih Meha.
Po kështu shumica e analistëve pacifistë anashkalojnë faktin se gjatë të gjitha protestave ka pasur kacafytje me milicinë e kohës, ka pasur madje edhe 2 të vrarë dhe shumë të plagosur lehtë e rëndë. Demonstruesit e revoltuar kanë përmbysur veturat, madje edhe ato të milicisë, kanë thyer dhe kanë dëmtuar objekte të ndryshme. Gjatë luftimeve në Kullën e Tahir dhe Nebih Mehës, në Prekaz , gjatë luftimeve janë vrarë të paktën pesë pjesëtarë të Njësive Speciale dhe forcave të Milicisë së Kosovës dhe shumë të tjerë janë plagosur.
Të gjitha këto zhvillime që faktohen e dokumentohen në të dhënat zyrtare, në mediet e huaja dhe në shtypin e Tiranës zyrtare të kohës, japim materiale të mjaftueshëm për të konkluduar se në mars, prill, maj të vitit 1981 kishte ndodhur një kryengritje e përgjithshme popullore, e cila kishte filluar me një protestë paqësore të studentëve, por nuk kishte mbaruar me aq. Dhe nuk ishin vetëm studentët ata që iu paraprinë atyre proceseve por ishin organizatat atdhetare të kohës të cilat aktivitetin e tyre të fshehtë e kishin demonstruar, kudo ku kishin arritur.
Emërtimi i kësaj kryengritje si “Pranverë studentore e vitit 1981”, analog me “Pranverën e Pragës” apo lëvizje të tjera studentore, në vendet e Evropës, ka simbolikën e vet, por nuk e përmbush dimensionin historik, social, politik e shkencor të krejt asaj që ka ndodhur në Kosovë në Mars Prill Maj 1981 dhe që vazhdoi deri në qershor të vitit 1999, në përpjekje të vazhdueshme të rezistencës pasive dhe aktive deri kur nga Kosova u dëbua përgjithmonë regjimi okupator serb.
Sot në 4i-vjetorin jubilar, institucionet shtetërore, Instituti i Historisë dhe i Albanologjisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk kanë një emërtim adekuat historik, të materializuar me gjuhën e fakteve e të dhënave për të emërtuar shkencërisht zhvillimet revolucionare të marsit, prillit dhe majit të vitit 1981.
Emërtimet, të cilat janë përkufizuar nga shoqatat, OJQ-të, nga analistët, nga pjesëmarrësit në ato zhvillime, janë krejtësisht heterogjene dhe ende nuk ka një përpjekje për një emërtim unik, historik e shkencor. Fajin për këtë e kanë në radhë të parë institucionet por edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e cila nuk e ka nxitur këtë çështje, duke u vetë mjaftuar me përkufizimin “Lëvizje studentore” Pranverë studentore 1981”, Lëvizje paqësore, etj.