Sot, në një mot me ngrica dhe erëra të akullta, Ministrja e Jashtme Gjermane, Annalena Baerbock, iu bashkua Kryeministrit, Albin Kurti në inaugurimin e parkut të erës „Selac Windpark“ në Bajgorë të Mitrovicës. Projekti gjermano-izraelit në vlerë prej 169 milion euro, përbën investimin më të madh të huaj të drejtëpërdrejtë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Parku i erës do të prodhojë 103 MW energji për rreth 70.000 amvisëri kosovare. Turbinat e para kanë filluar prodhimin e energjisë që në tetor të vitit 2021, pikërisht me kohë për të rritur prodhimin e energjisë në Kosovë gjatë dimrit, kur edhe është konsumi më i lartë.
Gjatë hapjes Ministrja e Jashtme Baerbock deklaroi:
„Parku i erës “Selac Windpark” është një hap qenësor në rrugën e Kosovës drejt tranzicionit të gjelbër. Gjithandej Ballkanit Perëndimor ekziston një potencial i madh, akoma i pashfrytëzuar për energji solare dhe me erë. Gjermania përmes politikës së saj të re të jashtme për çështje klimatike, është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën në këtë fushë thelbësore: për të përmbushur objektivat e Evropës dhe botës për sa i përket klimës dhe për të ndihmuar në ruajtjen e planetit. Për të furnizuar qëndrueshëm qytetarët me energji dhe rrymë dhe për të përmirësuar sigurinë tone energjetike. Parku i erës në Selac ofron një fllad të energjisë së pastër në Kosovë. Ai shënon një gur të rëndësishëm kilometrik në zhvillimin e vendit tuaj.”
Parku i erës SOWI është në pronësi dërmuese të kompanisë izraelite Enlight me bashkë-investues nga Gjermania dhe Kosova. Kreditë janë ofruar nga BERZH-i, Erste Bank (Austri) dhe NLB Bank (Slloveni). Turbinat, shtyllat dhe krahët janë prodhuar në Gjermani. Procesi i ndërtimit është mbikqyrur nga Notus Energy nga Potsdami në Gjermani. Eksporti i komponenteve gjermane është mbuluar nga një garancion i sigurimit i shoqërisë gjermane Euler-Hermes.
Parku i erës që operon në një lartësi prej rreth 1.900 metra mbi nivelin e detit, përbëhet nga 27 turbina, secila me një kapacitet prej 3,83 MW. Kjo e bën parkun prodhuesin më të madh të energjisë ripërtëritëse në Kosovë. Investitorët gjithashtu kanë ndërtuar një linjë ajrore prej 19.4 për të lidhur parkun me rrjetin energjetik të Kosovës. Energjia me erë i shitet operatorit shtetëror të Kosovës KOSTT me një çmim prej 85 EUR/MWh për një periudhë 12-vjeçare; ky çmim fiks është vendosur me ligj.