Preng Cub Lleshi

Preng Cub Lleshi: A mund të debatojë historiani, Paskal Milo me kryepriftin, Fan Noli për Enver Hoxhën dhe ballistët e zogistët?

 Gjashtë vite më parë, në vitin 2016, kur opozita shqiptare bërtiste në kupë të qiellit për “Rishkrimin e historisë”, pata botuar librin me titull “Kur rishkruhet historia” dhe me nëntitull “Del me dritë dhe robëria”. Por ja që, edhe në ditët tona, është “projektuar” edhe nga Akademia jonë e Shkencave, kur ajo ka vendosur për të rishkruar Historinë e Shqipërisë në tre vëllime.

Dhe, kur shtrohet kjo nismë, dy pyetje lindin nga dashamirësit e historisë: A nuk është shkruar historia e gjersotme e Shqipërisë e të gjithë brezave? Nëse po, pse u dashka të rishkruhet kjo histori?! Se Napoleon Bonaparti pat folur edhe për ne shqiptarët kur pat shkruar: “Historia është version i ngjarjeve të kaluara, për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”. Por ja që, këto ditë, historiani ynë Paskal Milo, i ngarkuar nga Akademia e Shkencave, në një dalje në televizion, shpalosi ca ide që, çuditërisht, tingëllojnë si “teza” të gatuara në kuzhinën e ballisto-zogistëve. Se, nga ato që tha duke folur për librin e tij të kohëve të fundit, sulmin e niste duke u përpjekur për të hedhur hije mbi personalitetin me dritë të Komandantit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe udhëheqësin e lavdishëm të popullit Shqiptar për afro një gjysmë shekulli-Enver Hoxhës.

Ky sulm, ky zë tjetër në korin e antikomunistëve shqiptarë, më kujtoi thënien lapidare të shkrimtarit të madh francez,  Viktor Hygo: “Gjenitë ndjellin të shara poshtëruese nga pas. Pas njerëzve të mëdhenj ka gjithmonë njerëz që lehin si qentë”. Gjithsesi, ideve të historianit Paskal Milo për Enver Hoxhën, që t`i bëjmë bindëse edhe për gjithë antikomunistët shqiptarë të ditëve tona, do t`u kundërvëmë pohimet e Kryepriftit dhe të historianit Fan S. Noli. E ai shpaloste një të vërtetë të madhe kur shprehej: “Desh perëndia, duallnë në shesh partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm e nxuarrnë Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, po e vunë në radhën e të gjallëve pranë shteteve aliate”. (gazeta “Dielli”, Boston 1947, 26 mars, nr. 5767).

Dhe Kryeprifti ynë do ta ngrinte Enver Hoxhën në piedestalin e Heroit Kombëtar, kur do të shkruante: “Atë punë që nuk e bëri dot Skënderbeu, e bëri vetë populli, duke organizuar Frontin Nacionalçlirimtar… Punën që nisi Skënderbeu në shekullin XV, e mbaroi Enver Hoxha në shekullin XX me sakrificat super-njerëzore të popullit”. (“Dita”, 16.10.2018) Dhe, nëse ndonjë nga antikomunistët shqiptarë, i pakënaqur nga ky pohim, e padit Kryepriftin tonë si “komunist”, po i sjellim një vlerësim brilant e ish-Presidentit amerikan,  Xhorxh Bush. Se ky, duke kujtuar Enverin, shkruante: “Për mua Enveri është idhull dhe kam mësuar shumë nga ai se si duhet kombi dhe atdheu” dhe më tej vazhdonte: “Ai… ishte një udhëheqës i madh, që udhëhoqi për 45 vjet dhe zgjoi një popull, duke e rreshtuar midis popujve të emancipuar dhe të zhvilluar”.

Por, duke gjykuar nga ato që tha në një studio televizive, duket se historiani, Paskal Milo është vënë në rolin e antikomunistëve shqiptarë, që përpiqen të mbulojnë karakterin kolaboracionist të “Ballit Kombëtar” e të ish-mbretit Zog. Veçse Kryeprifti ynë, historiani, Fan S. Noli, i bën me turp edhe pas vdekjes ballistët, kur shkruan: “Nuk ka shqiptar aq budalla, sa të mos dijë që ballistët tanë vdiqën një herë e mirë posa falimentoi politika e tyre… Bashkëpunuan me fashistët italianë dhe me nazistët gjermanë me shpresën që do të fitonin luftën tok me ta”. (Gazeta “Dielli”, Boston 1947, 26 mars, nr. 5767) Dhe, nëse historiani Paskal Milo e ndonjë tjetër nuk e beson kryepriftin Fan S. Noli, lë të dëgjojë Herman Neubauer (Oficer i lartë i Hitlerit, i deleguari Qeverisë gjermane në Shqipëri, në vitin 1943)! Se ai nuk ishte komunist, siç e akuzojnë Kryepriftin tonë antikomunistët shqiptarë në ditët tona! Se ai i informonte eprorët e vet që 1. “Forcat nacionaliste… (“Balli Kombëtar”)… nuk do të përbënin rrezik për ne. Për ta, kundërshtarë Nr. 1, si në Jugosllavi ashtu dhe Greqi ishin komunistët”. 2. “Çetat e “Ballit Kombëtar” nuk hodhën asnjë pushkë kundër trupave tona”. 3. “Në përkrahje të forcave tona ishte Xhafer Deva dhe Ibrahim Biçaku”. (“Dita”, 14.11.2019).

Kur kujtojmë këtë dokument, të cilin nuk do mund ta fshehin as ithtarët antikomunistë të Ballit Kombëtar, as historiani Paskal Milo, na mbetet ta pyesim këtë të fundit: “Si do të reagojë ndaj këtyre të vërtetave në studimin që do t`i paraqesë Akademisë së Shkencave për këtë periudhë historike?

Se, për të qenë objektiv në shpjegimin e këtyre dukurive historike do jemi të detyruar t`u tregojmë atyre se edhe për “të famshmen” Mbledhje të Mukjes, për të cilën diskutohet shumë, ka dëshmi që zbulojnë ca të vërteta të hidhura për Ballin Kombëtar.

Se jo më kot Ymer Dishnica do të shprehej: 1. “Me raportin e z. Enver Hoxha jam dakord, se është zëri i pastër i kombit, zëri i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, është zëri i Lëvizjes sonë. 2. Ne u thonim se këto vendime do të aprovoheshin në Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe nuk mund t`i pranojmë pa marrë pëlqimin e organizatës sonë 3. Atje (në Konferencën e Mukjes-shënimi im) ne pamë Ballin me letra të hapura, ethet që patën për të fituar kolltuk, trashëgimtarë të vërtetë të fashizmit, siç tha Nakua”. (Arkivi i PPSH, Fondi 40, Dosja 12) Dhe, për të mos u zgjatur më me Ballin Kombëtar, antikomunistëve shqiptarë (kryesisht ballisto-zogistë), edhe historianit Paskal Milo duhet t`u kujtojmë se në debatin tonë nuk mund të mos zërë vend figura e ish-Mbreti Zog, i cili, pavarësisht se i është ngritur për mendorja (?!) në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit, ishte vënë në shërbim të pushtuesve fashistë. Gjithsesi, përsëri për të mos u zgjatur, po u sjellim pohimet e ish-ambasadorit të tij në SHBA, Faik Konicës. Se ai, edhe pse nuk ishte komunist, shkruante: 1. “E përbuz mbretin Zog për këto arsye: Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë”. (Vepra 2, f. 325), 2.

“Ahmet Zogu… kishte zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes dhe të foljes. E imitonte veçan në punën e ryshfeteve”. (Vepra 3, f. 312). Por se kush ishte e djathta shqiptare në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e zbulonte Harry Fultz, kur, në shtator të vitit 1944, i shkruante Uashingtonit se “…duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e tyre (pjesëtarët e qeverisë kuislinge)… përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë,… ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, …”. Dhe, pasi pohon se “Anëtarët e këtij grupi…, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komuniste, çdo shfaqjeje të pakënaqësisë, apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira”, Harry Fultz dëshmon të vërtetën e madhe se “elementë të këtij grupi janë: Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj., Bajraktarët, dhe kapedanët myslimanë të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët, katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit, Markagjonajt, Krujat, Bushatët, Çobat, Harapët”, duke shtuar se “Shumica (e këtyre shënimi im) janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”. (Dokumenti origjinal në arkivin e DASH: A. M. 1211/16/875. 01/9-2244).

Kjo dëshmi historike sikur i bën më të qarta dhe më të plota Reginald Hibert në librin “Fitorja e hidhur”, f. 23, kur shkruan se: “Ndërsa lufta (Antifashiste Nacionalçlirimtare-shënimi im) po shkonte drejt fundit, PKSH, duke punuar nëpërmjet Lëvizjes Nacionalçlirimtare, qe në gjendje ta bënte veten të vetmen lëvizje efikase të qëndresës në Shqipëri, në një shkallë të madhe për shkak të hezitimeve të nacionalistëve”. Dhe, pas këtyre dëshmive, shqiptarët nuk e kanë të vështirë ta kuptojnë se janë pasardhësit e këtyre forcave që kërkojnë “rishkrimin e historisë” për të mbuluar bëmat e paraardhëve të tyre, që, siç thoshte Harry Fullc, “përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”.

Dhe pyetja shtrohet: A do t`i paraqesin këto të vërteta historike ata historianë që do t`i paraqesin Akademisë së Shkencave studimet e tyre për Shqipërinë e viteve 1939-1992? Se ata nuk mund ta anashkalojnë pohimin historik të kryepriftit Fan S. Noli: “Diell i flaktë ishte Guberna Demokratike e Enver Hoxhës, e cila, pa asnjë dyshim, është e fortë edhe brenda edhe jashtë…se, përveç veprave konstruktive, ka mundur të zbatojë reformën agrare me rrënjë dhe ta transformojë Shqipërinë nga një çiflik i bejlerëve, në një tokë të fshatarëve dhe të punëtorëve;…se, për herë të parë në histori të saj, Shqipëria e vogël qendron ballëpërpjetë dhe di t`ua japë xhevapin gjithë kapadainjëve që i bien në qafë” (v. 3, f. 379), vlerësim që i ngjan vlerësimt të ish-Presidentit Xhoxh Bush  për Enver Hoxhën.

Ja pse shqiptarët e ditëve tona, sot e në vazhdim, duke dëgjuar thirrjet për “dekomunistizim” dhe për “rishkrimin e historisë”, duhet ta kujtojnë mësimin historik që na vjen nga Edward R. Marrow: “Hapi i parë për likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojnë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë çfarë është dhe çfarë qe”. (“Zhbërja e Kombit”). Por, ndoshta, duhet dëgjuar edhe zëri i shkrimtarit Ismail Kadare, i cili, pavarësisht zigzakeve që bën në histori, sikur u flet dhe atyre që duan të “rishkruajnë” historinë. Këtë e bën kur shkruan: “Kur vetakuzimi teprohet, nuk është më regjimi që nxihet, por tërë kombi; dhe, kur hidhet shumë baltë, dhe kur shkatërrimi nis t`i shkulë rrënjët jo vetëm komunizmit, por krejt Shqipërisë, kjo është për të vënë alarmin”. (“ZËRI i POPULLIT” 04.03.1992)

 

  1. 3. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …