Ukraina ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Moskën dhe u ka bërë thirrje qytetarëve ta mbrojnë shtetin kundër sulmit rus

Padituria apo hipokrizia djallëzore e disa shteteve të Perëndimit ndaj Ukrainës

Intervenimi ushtarak i Rusisë, në Ukrainë më 24 shkurt 2022, e ktheu botën në një gjendje, sa të padëshiruar aq edhe të rrezikshme, për ardhmërinë. Këtë intervenim me kohë e ka paralajmëruar Federata e Rusisë, por nuk i kanë dhënë rëndësinë e duhur BE-ja, NATO-ja dhe Amerika.

Realisht, qysh prej rënies së Bashkimit Sovjetik, bota në perëndim e ka hequr nga strategjia e rrezikshmërisë Rusinë si shtet që mund të mëkëmbët dhe të bëhet forcë e madhe botërore, ashtu sikur ishte prej vitit 1945 e më herët, deri në vitin 1990.

Kjo prognozë u tregua e gabueshme dhe solli këtë rezultat që cilin po e vuajnë kurriz, jo vetëm Ukraina e rrezikuar drejtpërdrejt dhe me fatalitet, por edhe të gjitha shtetet e Evropës e më gjerë.

Strategjia politike e Kremlinit, nuk është se ka lindur me ardhjen në pushtet të Vladimir Putinit, pasi Rusia cariste e më vonë ajo komuniste ka qenë një forcë historike botërore, sidomos në dy shekujt e fundit,  veçmas në shekullin e 20-të.

Pretendimet e Kremlinit për të shtrirë ndikimin, por edhe sundimin mbi të gjitha ish shtetet socialiste të Bllokut Lindor, dikur anëtare të Paktit të Varshavës, që ishte krijuar me qëllim për ta përballuar ushtarakisht  Aleancën Veriatlantike, nuk janë fshehur asnjëherë, ndërsa politika zyrtare e Kremlinit është treguar shumë e sofistikuar dhe ka vepruar me shumë dinakëri në këtë drejtim.

Politika zyrtare e vendeve të Evropës Perëndimore dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ka qenë as është homogjene, në nivelin që është politika ruse, sepse jo të gjitha shtetet e Evropës janë unike në qëndrimet e tyre, pasi secila në radhë të parë shikon interesin e vet ekonomik, pastaj atë të përgjithshëm e strategjik.

Asnjëra nga shtetet e Evropës, nuk e dëshiron luftën në vendin e vet, andaj pozita mes Lindjes e Perëndimit ka pasur dhe ka shumë divergjenca, në radhë të parë për shkaqe ekonomike e tregtare, pastaj për ato të përgjithshme e strategjike.

Loja që i ka kurdisur Perëndimit Kremlini me gazin rus, ka qenë karremi, të cilin e kanë kafshuar shtetet më të mëdha të Evropës, dhe  jo vetëm ato, natyrisht, në radhë të parë për interesat e tyre  ekonomike.

Duke mos pasur një politikë unike, shtetet perëndimore kanë vepruar në drejtim të interesave të tyre ekonomike, ndërsa nuk janë përqendruar në  pretendimet ekspansioniste të Rusisë, duke bërë llogari të gabuara, lidhur me politikat strategjike të Kremlinit, e cila i ka manifestuar ato fillimisht brenda ish shteteve anëtare të Bashkimit Sovjetik, duke rivendikuar kufijtë e disa shteteve dikur autonome, në të njëjtën kohë  duke përfituar ekonomikisht në marrëveshje  tregtare me Evropën e Azinë.

Si shtet i fortë ekonomikisht e ushtarakisht,  Rusia nuk është mjaftuar me status-quonë, por ka synuar dhe synon ta shtrijë sa më shumë ndikimin e saj në rajon dhe në botë ashtu sikur Kina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, tani vonë edhe Irani e Turqia.

Shtetet e Evropës Perëndimore janë mjaftuar me gogolin e NATO-s, për ta frikësuar Rusinë dhe pretendimeve për ta gjunjëzuar atë,  duke i pranuar në radhët e veta disa nga shtetet e ish bashkimit Sovjetik, shumica syresh që i përkasin edhe botës sllave, në pikëpamje rase, feje, gjuhe e kulture të përbashkët,  pan-sllaviste,  sikur Polonia, Ukraina, Bjellorusia, Çekia,  Sllovakia, Bullgaria, Moldavia  e shtete të tjera. Përparimi i Perëndimit në këtë drejtim ishte bërë në kohën e rënies së Bashkimit Sovjetik dhe periudhës së rëndë të tranzicionit nëpër të cilin kishte kaluar Rusia dhe shtetet e saja të dikurshme, satelite.

Amerika, BE-ja dhe disa nga shtetet e fuqishme të Evropës, kanë bërë përpjekje të pareshtura t’ i joshin disa nga ish shtetet e Bashkimit Sovjetik, duke i ndihmuar  ekonomikisht, duke i pranuar në BE dhe në NATO. Por nuk janë mjaftuar me këto fitore. Ato kanë pretenduar dhe pretendojnë që edhe Rusinë ta “demokratizojnë” deri në nivel  të pranimit të modelit demokratik perëndimor, të qeverisjes, mbase edhe me qëllime të mira dhe humane, po ja që rusët nuk i kanë përfillur as i përfillin  ofertat e tilla, për më tepër, janë bërë sikur nuk i japin shumë rëndësi, ndërsa kanë vepruar në strategjinë e tyre të njohur, e cila tanimë ka dalë në sipërfaqe.

 Ukraina qengj i flijimit

Ukraina,  si njëra ndër shtetet më të mëdha të ish-Bashkimit Sovjetik, me kohë ishte rreshtuar në politikat e Evropës Perëndimore, me pretendime të qarta për t’u integruar në BE dhe për t’ u anëtarësuar në NATO, pavarësisht kërcënimeve nga Kremlini. Kërcënimet e tilla janë llogaritur vetëm si retorikë politike,  ditore, duke mos besuar në fuqinë ushtarake dhe ekonomike të Rusisë dhe duke mos besuar kurrë se një ditë, ajo, do të ballafaqohet ushtarakisht me njërin nga tri shtetet më të fuqishme të botës.

Këtë mendjelehtësi të politikave ukrainase e kanë përforcuar shtetet e Evropës, Amerika dhe NATO-ja, të cilat tashmë po shihet qartë se kanë bërë llogari të gabueshme. Ata, duke mbështetur politikat e kryetarit të Ukrainës, Volodimir  Zelenskij, duke e ndihmuar ekonomikisht e ushtarakisht, duke i premtuar se në rast të intervenimit rus do ta marrin nën mbrojtje,   shkaktuan luftën aktuale mes Rusisë dhe Ukrainës.

Evropa dhe Amerika po e mbështesin Ukrainën duke i dërguar armë, logjistikë lufte dhe të gjitha të tjerat,  por e kanë bërë të ditur, madje  drejt hapur se nuk do të hyjnë në luftë me Rusinë, sepse vjen deri te Lufta e Tretë Botërore, e cila tashmë ka filluar. Tani për tani për  të mos lejuar zgjerimin e luftës,  e kanë në dorë vetëm dy autoritete, Putin dhe Zelenskij, ky i fundit një politikan që nuk i korrespondon nivelit serioz, strategjik dhe mujshar të Vladimir Putinit.

Situata në Ukrainë është e rëndë dhe pa perspektivë.

Perëndimi mbase edhe ka nevojë që lufta të zgjasë sa më shumë, me qëllim që të dobësohet sa më tepër Rusia, me qëllim që të frikësohet bota nga ringjallja e një “Hitleri”, me qëllime të errëta  propaganduese, të cilat nuk i sjellin asgjë të mirë, askujt në botë.

Ukraina ose do të dorëzohet, ose do të shkatërrohet  në tërësi.

Asaj nuk i ndihmon propaganda ditore perëndimore se po e mund Rusinë, se ka vrarë 14 mijë ushtarë rus, nuk i ndihmon as propaganda dashakeqe se Rusia ka humbur në luftë një të katërtën e ushtrisë së rregullt, se Rusia nuk e mund dot Ukrainën, por po e rrezikon vetë Rusinë dhe qytetarët e saj.

Përderisa Perëndimi nuk është në gjendje ta ndalojë depërtimin e ushtrisë ruse në Ukrainë dhe këtë e kanë thonë hapur, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  Stoltenberg, kancelari  gjerman, Scholz, kryetari amerikan Bajden, dërgimi i armëve në Ukrainë, nxit edhe më tej pushtimin rus. Kremlini tashmë është fare i sigurte se nuk do të ballafaqohet me NATO-n as me Amerikën. Ai po ashtu  ka mbështetje të fuqishme Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut e me siguri edhe të shumë shtete të tjera në Azi e në Amerikën Latine. Andaj dërgimi i armëve në Ukrainë, është çmimi fatal që do ta paguajë mbi kurriz populli i Ukrainës dhe kjo nuk bëhet në emër të marrëveshjeve e paqes…

Ahmet Qeriqi

  1. 3. 2022

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …